Albspirit

Media/News/Publishing

Rusia përfshin “Kuaj Troje” në Europë

“Kujdes nga ‘Kuajt e Trojës’ rusë”! Moska dëshiron që ta “destabilizojë edhe më shumë perëndimin” dhe në rrezik janë vendet kryesore të Bashkimit Europian. Është ky alarmi që lëshon studimi “Kuajt e Trojës të Kremilinit 2.0” i sapopublikuar nga “think tank”-u amerikan Këshilli i Atlantikut që ka analizuar ofensivën ruse të viteve të fundit.
“Një fuqi e butë”, por shumë e rrezikshme cilësohet nga disa autorë të dokumentit që ka nisur që me krizën ekonomike të Europës dhe që në vijimësi u rrit me intensifikimin e lidershipit të Putin.
Ashtu siç konfirmoi pak vite më parë shefi i stafit të Kremilinit, gjenerali Valerij Gerasimov, tashmë Rusia prej kohësh po përfaqëson një “mënyrë të re” për të arritur objektivat e saj politikë dhe ushtarakë nëpërmjet “metodave indirekte dhe asimetrike” apo më saktë “masave aktive”. Kështu u quajtën veprimet e ish-Bashkimit Sovjetik për të manipuluar mediat, shoqërinë dhe politikanët e huaj. Sipas Këshillit të Atlantikut, strategjia e Kremlinit tani është e qartë dhe aktive dhe jo vetëm në vendet e Evropës Lindore, të ndikuara historikisht nga Rusia, por në mbarë Perëndimin, nga Shtetet e Bashkuara në Evropë. Moska shfrytëzon dobësitë dhe krisjet e brendshme evropiane dhe amerikane duke u infiltruar në institucione, politikë, shtyllat demokratike të Perëndimit për të promovuar vizionin e saj mbi botën dhe të ndjekë qëllimet e saj ekonomike. Ajo nuk investon jashtë vendit, si Kina, por “mbjell kaos” që i kushton më lirë. Përtej sulmeve të pakapshme hacker (të cilat janë gjithmonë e më të vështira për tu identifikuar se cilët janë menaxherët dhe drejtorët), studimi fokusohet kryesisht në propagandën e mediave të afërta me Kremlinin dhe gërshetimin e aleancave të reja të këtij të fundit me krerët lokalë populistë të vendeve të tjera “nën sulm”. Ndikimi i Rusisë dhe strategjia e destabilizimit përshtatet edhe me kontekstin në vende të ndryshme. Raporti analizon çfarë ka ndodhur në vendet evropiane: Itali, Spanjë, Gjermani, Francë dhe Greqi.

Spanja
Sa i përket Gadishullit Iberik raporti shkruan se si Madridi së shpejti mund të përfundojë në shënjestër gjë që dëshmohet nga hapja e versionit rus të kanalit televiziv të lidhur me Moskën, Russia Today në spanjisht. Përveç kësaj, nuk është i panjohur faktori Podemos, një parti anti-sistem që mund të shfrytëzohet nga propaganda ruse për të “përhapur tensionet” në Spanjë.
Greqia
Greqia është një rast i veçantë. Vendi është më i lidhur me Moskën sesa Spanja për shkaqe historike dhe lidhjeve të Kishës Ortodokse. Tsipras, lideri i Syriza (parti e së majtës radikale) i ka shkelur vazhdimisht syrin Rusisë gjatë përplasjes me autoritetet evropiane për tu liruar nga masat shtrënguese. Sipas Këshillit të Atlantikut kjo e ka bërë vendin më të prekshëm ndaj shtypjes së Moskës.
Italia
Edhe Italia është në rrezik. Influenca ruse është rritur bashkë me thellimin e krizës ekonomike dhe shtysat anti-establishment brenda shoqërisë. Edhe në Itali, Putini është bërë një simbol shumë i fuqishëm i “sovranitetit” të ri dhe luftës kundër elitave. Rusia ka shumë aleatë politikë potencialë në Itali ku përfshihen Lega Nord, Movimento 5 Stelle, Fratelli d’Italia, por dhe një forcë e re e ekstremit të djathtë “Forza Nuova” apo dhe disa formacione të vogla të krahut të majtë. Të gjitha ndajnë kryesisht vijën e politikës së jashtme të Putinit dhe mbështesin – vullnetarisht apo jo – interesat gjeopolitike të Moskës.
Franca
Këtu, Rusia ka mbështetjen eksplicite të Frontit National, partia e ekstremit të djathtë të Marine Le Pen, ku pothuajse të gjithë anëtarët kryesorë kanë lidhje direkte ose indirekte me organizata të rëndësishme ruse. FN, ndër të tjera, ka kërkuar dhe shpesh ka marrë miliona euro hua nga bankat ruse. Por Rusia ka qenë shumë e aftë për të ndërtuar lidhje edhe me një pjesë të Partisë Republikane (qendra e djathtë), por edhe me disa socialistë dhe madje edhe me ekstremistë të majtë. Dhe jo vetëm. Moska ka lidhje në Francë me disa organizata dhe “think tank” që janë instaluar prej kohësh në këtë vend siç është Instituti për Demokraci dhe Bashkëpunim (IDC). Historikisht Moska ka gjetur terren edhe për shkak të linjës dypalëshe të De Gaulle dhe diasporës ruse në Francë në shekullin e kaluar.
Gjermania
Këshilli i Atlantikut shkruan se në Gjermani, Rusia e Putinit ka provuar gjatë shumë viteve të ndryshojë marrëdhëniet dypalëshe. Ka provuar gjithashtu të ndikojë në politikën e jashtme gjermane e cila “bën ligjin” në Evropë. Këtë është përpjekur ta bëjë nëprmejt rrjetave të saj në Gjermani. Moska dhe Berlini kanë pasur marrëdhënie të përzemërta, por ato u ftohën me aneksimin e Krimesë.
Një nga strategjitë më efektive të Kremlinit në Gjermani ka qenë përfshirja e politikanëve gjermanë në projektet e tyre të energjisë. Shembulli më i spikatur është ish-Social Demokrati, Kancelari Gerhard Shrëder, i cili ishte nga figurat e nivelit më të lartë të Gazprom. E gjithë kjo ka qenë shumë e dobishme për Rusinë. Politikanët socialdemokratë gjermanë, gjithmonë në emër të idealeve të afërsisë me Rusinë edhe në vitet e fundit të qeverisë me Merkel në qeveritë e koalicionit të madh, shpesh kanë kërkuar për një linjë të butë ndaj Moskës (të tilla si zbutjen e sanksioneve evropiane) duke krijuar krisje serioze në BE. Edhe ekstremi i djathtë, Partia AFD flitet për lidhje me Moskën. Në këtë vend prej kohësh kanë marrë hapësirë mediat e lidhura me Kremlinin si RT dhe Sputnik./LAPSI.al/

Please follow and like us: