Albspirit

Media/News/Publishing

Çerçiz Loloçi: “Shpirti rri zgjuar” i Astrit Gjunkshit

 

Libri i dytë i Astrit Gjunkshit “Shpirti rri zgjuar”, nën siglën e botimeve “Nacional” është vijim i përmbledhjes së parë poetike “Botët brenda shqirtit” publikuar një vit më parë. Megjithatë ky nuk është pikëtakimi i parë i autorit me librin, pasi ai ka sjellë në shqip një kolanë botimesh të rëndësishme si “Ajzenhaueri, ushtaraku, presidenti”, “Kolin Pauell, udhëtimi im amerikan”, “Sfidat e jetës” dhe “FBI, e kaluara e turbullt dhe ardhmja e pasigurt” apo botime të tjera në shqip dhe anglisht për integrimin, sigurinë dhe diplomacinë.

Motive që kanë qenë të pranishme në librin e parë janë rimarrë edhe në të dytin, por këtë herë ato vijnë më të shtjelluara artistikisht dhe me detaje që mbahen mend. Shpirti poetik i Gjunkshit shkon sa penelit të fjalës, vjeshtës së diellit, etydeve për Dibrën, Gjirokastrën e Durrësin, në krijimtarinë e Agollit dhe shtëpinë e Kadresë, ndërsa vjershëron portrete të aktorëve të mëdhenj të Teatrit Kombëtar si Sulejman Pitarka, Margarita Xhepa, Tinka Kurti, Robert Ndrenika apo shkruan për mësuesin Remzi Spahiun, regjizorin Xhelil Aliu, studiuesit Robert Bisha, etj

Përmbledhje e re poetike është konceptuar në pesë cikle ku spikasin “Pema e dashurisë”, “Portret i pamundur”, “Gravitet i atdheut” dhe “Puthja e jetës”.

Cikli i dytë që përbën edhe pjesën më kryesore të librit me 20 poezi është një mozaik këndvështrimesh e gjetjesh për dashurinë që autori herë e sheh si energjia më e pastër, herë si të gdhendur përbrenda, si ujë burimi, si aromë dasme, si trazim flokësh. Akoma më tej brenda këtij cikli ravijëzohen të tjera pamje të dashurisë tek një buzëqeshje, frerët e pasionit, tingujt e zemrës, zanat e Dibrës apo puthja e nënës. Pikërisht poezia për nënën krijon atë atmosferë të ndarjes nga një njeri i afërt ku autori shprehet:

Vetëm një moment hezitoi i biri,

me të shoqen shpejt shkëmbeu një vështrim

e kjo s’hezitoi aspak, të vazhdojë e nxiti

nëna puthi në buzë të birin dhe sytë mbylli në amshim.

Cikli i tretë zgjerohet me të tjera motive ku spikasin krijimet poetike për një portret të pamundur, pemën e urrejtjes, stërnipat e Darvinit, e bukura me rroba grisur, besnikëria, mozaik miqsh apo dorashkat, gjiri i shoqërisë, zhgënjim, robër dhe pema e pasurisë.

Në ciklin e katër të titulluar “Graviteti i Atdheut” autori apelon për një bashkim mbarëshqiptar duke ruajtur traditat më të mira të qëndresës, mikpritjes, të referencave kombëtare. Këtu muza e poetit shkon sa te krahasimi mes Skënderbeut e Hamza Kastriotit, te shqiponja, te dy Dibrat që rrahin në një zemër, te arbëreshët, sfida e kufijve, urtësia popullore, identiteti, muzetë, flamurmbajtësit, etj.

Cikli i pestë i titulluar “Puthja e jetës” fokusohet në gjendje që kanë të bëjnë me jetën njerëzore dhe autori të fton të zbulosh të tjera emocione nëpërmjet dijes, të bukurës së thjeshtë, mësimet e jetës apo zgjidhja e dilemave.

Ashtu si në ciklet e mëparshëm edhe në këto krijime Gjunkshi bën përpjeke për të dhënë një mesazh, për të shpërndarë një kumt, për të reaguar ndaj veseve e ceneve njerëzore, por edhe për të gëzuar pas një udhëtimi, pas një kremtim fundviti apo pas ndodhi të tjera të zakonshme që marrin tjetër kuptim nën vargjet poetike.

Autori në parathënien e kësaj përmbledhje thotë se “Shpirti që rri zgjuar pulson në të gjithë librin. Ai pasqyron ndjeshmërinë time si qytetar dhe si krijues për tema që zenë një vend shumë të rëndësishëm në përceptimin për botën, për jetën, për shoqërinë në përgjithësi dhe për aktualitetin, në veçanti. Mesazhi që përpiqem të sjell qartë në çdo poezi është se jeta duhet përjetuar me gjithë shpirt, me gjithë dashurinë njerëzore për të mirën dhe virtutet, të cilat mund të fitojnë vetëm pëmes përpjekjeve të vazhdueshme për të ndryshuar veten, shoqërinë dhe botën në drejtim të progresit. Duke qenë thellësisht realist në përshkrimin poetik të subjektit, kam qëndruar larg pesimizmit, duke parë dritën në fund të tunelit edhe kur duket se ajo është shumë larg”.

Astrit Gjunkshi shkruan ashtu siç e ndjen, siç e përjeton realitetin dhe pothuaj në të gjitha krijimet përpiqet të gjejë rimën duke ruajtur formën klasike të vjershërimit dhe duke mos u tunduar për të shkruar në mënyrë tjetër. Duke uruar botimet ‘Nacional’ të poetit të njohur Mujo Buçpapaj për botimin e përmbledhjes së dytë të autorit Astrit Gjunkshi shpresojmë që në të ardhmen të sjellë krijime akoma më të bukura dhe më mbresëlënëse.

Fotografia e Astrit Gjunkshi

Fotografia e Astrit Gjunkshi

Please follow and like us: