Dezertimi i komandove, reagon Ministria e Mbrojtjes
Ministria e Mbrojtjes ka reaguar për herë të parë pas publikimit të lajmit të dezertimit të 4 komandove shqiptarë në Londër. Ministria deklaron se 4 ushtarët që kanë qenë duke kryer detyrën e tyre jashtë vendit, nuk janë kthyer në Shqipëri pas përfundimit të saj. Ndaj tyre është depozituar kallëzimi penal për dezertim, ndërsa prej disa javësh, çështja është në hetim. “Lidhur me lajmin e publikuar në media pasditen e sotme, zyra e shtypit në Ministrinë e Mbrojtjes bën me dije se: 4 efektivë ushtarake, që kanë qenë duke kryer detyrën e tyre jashtë vendit, nuk janë kthyer në Shqipëri pas përfundimit të saj. Sipas “Kodit Penal Ushtarak”, ndaj 4 efektivëve, pranë Prokurorisë së Rrethit, Tiranë është depozituar kallëzim penal “Për dezertim”. Prej disa javësh, çështja është në hetim nga ana e autoriteteve përkatese” deklaron ministria.