Drejtori me cel. 0696067755 që kërcënoi Dritan Hilën në televizionin Ora News
Reagimi i Dritan Hilës
Sot në orën 15.35 më telefonon numri 0696067755. Në krahun tjetër më prezantohet një person me emrin Shemsi Prençi. Shkaku ishte një status në profilin tim personal ku sensibilizoja përmbytjet që po ndodhnin në Greqi dhe kanë humbur jetën 15 persona dhe jo pa ironi kujtoja se kë kemi në drejtim të Emegjencave Civile. Është njeriu që në mes të verës në vend se të merrej me zjarret që po përvëlonin vendin, shkaktoi valë kombëtare gazi dhe humori me deklaratën se në vjeshtë do të kemi tërmete. Në fakt ky tipi nuk është shumë humorxhi. Është nga tipat e fortë të veshur me pushtet i përdorur nga demokratët dhe tani përdoret nga rilindasit. Kush ka marrë pjesë në zgjedhjet e Fierit të 2009-ës e njeh mirë.
Nuk dua të ndalem në diskursin e tij një minutësh të mbushur me fjalët “unë i kam shërbyer partisë tënde mor qen kur ishte në pushtet” (siç duket ose më kujton anëtar të PD-së ose e kishte fjalën për periudhën që kam qenë zv/ministër), “po më përmende prapë, të tërheq zvarrë mor zagar”, dhe “jam malësor dhe po e zgjate prapë me mua do ta vazhdoj personalisht”.
Ajo që më bën përshtypje nuk ka lidhje me personin tim, por me fenomenin që mendonim se ishte harruar, ku një zyrtari i lartë i shtetit të marrë në telefon një gazetar dhe njeri publik dhe ta kërcënojë. Muajt e fundit kam dy kërcënime nga zyrtarë të shtetit dhe nga një gangster i famshëm. Për hir të së vërtetës, ky i fundit ishte me takt dhe m’u lut që të mos publikoja në Dritare.net një lajm që fliste për të, pasi nuk ishte i vërtetë.
Tashmë askush nuk i druhet pushtetit të katërt, por vërehet një ndërsim i zyrtarëve dhe të fortëve madje edhe për një status në fb. Dhe kjo nuk ka si të mos ketë lidhje me kryeministrin, sjelljet e tij dhe klimën që ka krijuar.
Mendoj që nuk është ai që urdhëron kërcënimet. Paralelisht besoj se kënaqet, kur dëgjon sesi shahen njerëz që e kritikojnë. Por në vazhdoftë këtë aleancë që ka me krimin dhe injorancën, do të vijë edhe ajo ditë kur do të kemi viktima edhe gazetarë.
E përballë vrasjes, pak ka rëndësi se kryeministri dha urdhërin apo e stimuloi me heshtjen e tij. Madje shumica e krimeve shtetërorë janë të tillë, ku indiferenca stimulon gjysmakët për të goditur kundërshtarët.
Nuk duhet të kenë mbetur shumë që ende e besojnë tezën që me kënaqësi e përsërit edhe vetë se ai është një ish gazetar dhe anëtar në rezerve i shtypit. Ikën kohërat e darkave-spektakël me gazetarë në stil presidentësh amerikanë. Jemi në kohën e luftës së hapur mes tij dhe shtypit, por këtë rradhë nuk kemi djegie redaksish, por eleminim me anë të mbytjes. Ai është krijuesi i strategjisë antimedia që përmblidhet në thënien e famshme “media kazani” dhe klimën armiqësore që po krijohet ndaj medias dhe njerëzve të saj: Nëse ka shpifës ata janë gazetarët; nëse ka gënjeshtarë, ata janë gazetarët; nëse ka gjobaxhinj ata janë gazetarët; nëse ka njerëz që paguhen, sa nuk e meritojnë, ata janë gazetarët; nëse njerëzit nuk janë në gjendje të shikojnë mrekullitë e tij, këta janë gazetarët. Qëmton çdo gabim mediatik madje përdor edhe artifice me bashkëpunëtorë në media për të vërtetuar tezën e tij. Dhe nuk e ka pa qëllim. Ai e di se ka qenë media, me difektet dhe problemet e saj, që ka demitizuar pushtete e Nanos dhe Berishës duke publikuar skandalet e tyre. Ka qenë media që i ka diskretituar në sytë e elektoratit të mesëm dhe të ndërkombëtarëve. Me cilësimin e tyre kazan ai po përpiqet të zhvlerësojë gërryerjen e zmaltit që media po i bën pushtetit të tij; të bëjë të pabesueshme skandalet që publikohen dhe të deligjitimojë kundërshtarin.
Por zhvlerësimi i lajmit, krijon njëkohësisht edhe zhvlerësimin e lajmëtarit. Pas kësaj, çdo halabak me pushtet apo jo, ka të drejtë ta shikojë gazetarin si një target të lehtë që mund ta intimidojë apo sulmojë, pasi askujt nuk do t’i dhimbset një gjobaxhi, gënjeshtar dhe grabitës i parave të popullit. Dhe vjen momenti që gazetari shikohet si shtriga që duhet vënë në turrën e druve ndërsa tipat si Shemsiu, njerëz që na shpëtojnë nga e magjia dhe e keqja./dritare.net, 16 nentor 2017/
Ylli Manjani: Merreni seriozisht kërcënimin e drejtorit Shemsi Prençi
Ish ministri i Drejtësisë, Ylli Manjnai ka reaguar pas denoncimit publik të publicistit Dritan Hila, i cili tregonte se ishte kërcënuar nga Drejtori i Emergjencave Civile, Shemsi Prençi. Manjani, në një postim në Facebook, shkruan se denoncimi i Hilës duhet marrë seriozisht, pasi paraqet sjelljen harbute të një nëpunësi publik, ndaj fjalës së lirë. Duke uruar që jeta dhe shëndeti i Dritan Hilës të mos preken nga këto kërcënime, ai thotë se Prençi nuk duhet të shërbejë në asnjë detyrë publike. “Denoncimi i Dritan Hilës për kanosjen që i bën Drejtori i Emergjencave të shtetit, duhet marrë seriozisht! Kam bindje dhe uroj që jeta e shëndeti i Tanit nuk do ketë asgjë pasojë nga ato fjalë rrugaçërie të një drejtori! Por sjellja harbute e një nëpunësi publik ndaj dikujt që mendon dhe shpreh mendimin e tij siç e ka është seriozisht e dënueshme si dhunë shtetërore ndaj fjalës së lirë! Sjellja është e dënueshme! Është vepër e shkuar veprës penale! Por në çdo rast Ai nuk mund të shërbejë më në një detyrë publike! Vetëm në shtetin ku veprojnë ligjet e hashashit justifikohet kjo sjellje”, shkruan Manjani.
Shemsi Premçi: Shqipëria rrezikohet nga tërmetet
Nuk mjaftojn temperaturat e larta dhe zjarret që kanë pushtuar vendin, por Shqipëria rrezikohet seriozisht nga tërmetit. Këtë alarm e jep kreu i Emergjencave Civile, Shemsi Prençi, i cili tha në një konferencë për shtyp se vendi rrezikon tërmete si ato të vitit 1967. “Pas një vere të nxehtë lind një problem i rrezikshëm së pari do të kemi parasysh që periudha e ripërsëritjeve të termeteve është me kohë dhe limite të përcaktuara. Duke llogaritur termetet e vitit 67 në periudhën e kthimit një herë në 50 vite, ne përkojmë me rrezikshmërinë e lartë të termeteve në Shqipëri në të dy korridoret Elbasan, Tiranë, Shkodër, Dibër , Korcë etj”, tha Prençi. Sipas tij “Ne duhet të jemi të kujdesshëm në raport me situatat e pritshme, kanë nisur lëkundjet e para në rajonin e Elbasanit, kryesisht në Qukës. Do t’i lutemi Zotit të mos ketë pasoja por ne duhet të jemi të përgatitur sepse ekziston rreziku i termetevenë 2017 dhe në fillim të 2018 siç parashikohet dhe nga Gjeoshkenca”. Në 30 nëntor 1967 u përshi nga termetet zona Dibër-Librazhd, duke shkatërruar 177 fshatra, ku gjetën vdekjen 12 veta dhe 174 të tjerë u plagosen. Karakteristike e këtij tërmeti është thyerja e tokës me gjatësi mbi 10 kilometra e zhvendosja vertikale e dheut deri në 50 centimetra.
Burimi: https://www.vizionplus.tv/shemsi-prencishqiperia-rrezikohet-nga-termetet-si-ai-i-1967/