Albspirit

Media/News/Publishing

Pëllumb Kulla: Meditime në vend të kremtimit të një jubileu

 

Në fund të fundit kjo është historia e jetës sime, siç është historia e Fuatit, e Luftarit, e Sofikës e Sotirit…

Janë ca meditime që më vërtiteshin në qiejt e trurit ndërsa para nja 4-5 netësh, shokë e miq u mblodhën në një darkë për të më përcjellë mbrapsh, pas një thirrjeje shterpë, që m’u bë për kremtimin e 60 vjetorit të estradës së qytetit, kremtim që nuk u bë dhe qe shumica e neve që punuam në të, na u duk sikur e blojtën nofullat e një lloj sabotimi, gjithsesi jo aq dashakeqës…

Por kjo është një histori më vete.

Më lejoni të vijoj rrëfimin e një segment të jetës sime në atë trupë dhe në atë qytet që është më shumë i dashur se sa piktoresk…

Është historia e një zone të vuajtur, ku më degdisi jeta dhe ku fati më përkëdheli duke më dërguar të hedh shtat.

Është histori karakteresh, legjendash, përrallash popullore, veprash fisnike dhe banalitetesh…

E gjitha kjo ndodhte në një vend ku ngrohte zjarri i humorit, ku shkrepëtinin xixat e fantazisë së Neços; ku Fuati sillte rrëfenja, se si një fis i tërë vaksinohej me një shiringë të vetme, pa e ndërruar dhe pa e zhytur as në alkol; ku Luftar Paja shkëlqente me imitimet e fshatarëve mallakastriotë dhe lebër; ku aktorët dashuronin me dashurinë time Çehovin, Nesinin, Mark Tuenin, Hashekun dhe Buxatin; dhe zbatonin verbërisht pedagogjinë që sillnim nga fakulteti, – edhe kur ajo pedagogji shkëlqente, edhe kur ajo çalonte!

Ishte histori e një skene, ku Xhuli im në moshën 25 vjeçe debutonte me rolin e një plake të zamanit; e një mjedisi, ku jo vetëm Lad Muzha, por të gjithë aktorët e trupës teatrore nisën të ndjenin etjen që të bashkoheshin me Todin, Arqilenë, Hasanin dhe Fatmirin; historia e një qendre pune, ku organizata bazë e partisë ishte grupimi më i pakulturuar dhe kishte të vetëndjerin se udhëhiqte dhe bile që ishte autorja e sukseseve, frymëzuesja e repertorit dhe arritjeve aktoriale, muzikore dhe vokale! Ishte vendi ku Maku dhe Todi, sekretari i saj, pa bujë dhe pa buçima, në konflikte i dilnin krah të nënëshkruarit, më shumë se shokut të tyre të organizatës dhe e ndjenin se poezia e rruzullit qëndronte në skeçet me karaktere dhe jo në buletinet për përdorim të brendshëm që vinin nga shkallët e larta të partisë.

Kjo ndodhte në Fier, në atë Fier ku përgojohej jetëshkrimi i njërit prej autorëve më të mirë të humorit skenik, ku një herë në vit duheshin plotësuar dokumentat jetëshkrimorë dhe ku pyetjes së shoqes të kuadrit, nëse i jetonte ende gjyshi, Kulla kishte pacipësinë t’i përgjigjej, jo thjesht “nuk rron,” por “është pushkatuar.”

Aty sekretarët e Komitetit të Partisë e kishin frikë partinë e tyre më shumë seç e kisha unë.
Vënd i bekuar!…

Sensi i humorit lulëzonte tek punëtorët e skenës, tek orkestrantët, marangozët, kaldaistët, aq sa njëri prej tyre, Leu Lipe, shkëlqeu në popullaritet dhe u bë Artist i Merituar i Republikës!

Mbi atë skenë mbretëroi pa u shuar asnjëherë pranvera e haresë. Se aty puna nuk ishte lodhje, por dashuri dhe frymëzim. Aty morën jetë figura artistike madhore, myzeqarët e Fuatit, Çoboja, pleqtë dhe ballistët e Luftarit, zëri i dytë humoristik i Hasanit, karakteret temperamentalë të Xhulit, ata episodikë, që Sotiri, jo vetëm nuk i përbuzi, por i gatoi me talent të paparë.

Ishte vendi, ku si rrallëkund, në pikë të agut të mëngjezit, u ndezën zjarre pranë biletarisë, në pritje të hapjes së saj orë më vonë, për të mundur të shihje Lipe Shtogun, Dasmën e Malos, për të shijuar nëntekstet ironike të zonjave buzëmbledhura që pikturonin Hajria me Natashën, kur ato vinin mysafire në përbërje të trupës, monologjet e Vasos, rritjen e përditëshme të Fatmirit të porsa ardhur dhe kupletet e Todit; për të shijuar zërat e Ëngjëllushes, Lefterisë, Sofikës, Brunës, Timos dhe atë prej tenori të Todit vetë; pianon e Maries, fisarmonikën e Isufit, flautin e Mitit saksin e Llazit, trombën e Janit, kitarën e Sandrit. Edhe sidomos për të ndjekur rritjen e Rikut, i cili që nga Konservatori solli kërkimet novatore, orkestrimet dhe ekzekutimet brilante vetjake në dy instrumenta, saks dhe klarinetë.

Ku bashkëpunimit regjisorial me Roshin nuk kish se si të ishte më harmonik…
Kanë qenë ca vite vetëm me pranvera!…

Faleminderit fatit dhe njerëzve të mirë që ishin të shumtë!

E shenjtë bukuria e asaj jete, ku penat më të mira humoristike të vendit synonin interpretime të goditura. Pra fluturonin drejt Fierit faqet e arta letrare të Kallamatës, Buxhelit, Musarait, Tasimit, Dritëroit, Vilit… Dhe ku vendasit sollën ajkën e shkrimeve të tyre, – Ndini, Llazoja, Nevruzi, Tashkoja… Faqet e vlerta të tyre përzgjidheshin dhe kalonin filtrat e lartë të pjekurisë letrare të Laços dhe finesës poetike të Makut.

Vërtet, vërtet! Është e pabesueshme se si njëzet vite nga këta të mijtë, të tetëdhjetë stinët i patën vetëm pranvera!

Nuk ta beson kush! Dhe i jap të drejtë!…

Please follow and like us: