Albspirit

Media/News/Publishing

Senatori amerikan Al Franken përballë akuzave për ngacmim seksual

Një senator nga Minesota është i fundit mes personaliteteve të njohura nga bota e artit dhe e politikës që janë akuzuar për ngacmim seksual. Demokrati Al Franken, akuzohet nga një drejtuese lajmesh në radio se ai e kishte puthur dhe prekur në mënyrë të papërshtatshme gjatë një turneu me spektatkle për trupat amerikane në Lindjen e Mesme në vitin 2006. Mes materialeve të programit ishte një skeç i shkruar nga Franken. Ndërkohë një kandidat republikan për senator në Alabama po përballet me akuza për abuzim seksual të vajzave adoleshente.

Gratë amerikane po lënë pas vite heshtjeje, ndërsa njëra pas tjetrës po flasin publikisht për historitë e abuzimit, që kanë vuajtur nga burrat në pushtet. Të enjten, Leeann Tweeden, një drejtuese emisionesh radioje në Kaliforni, akuzoi senatorin Franken se kishte ndryshuar skenarin e një skeçi dhe e kishte puthur kundër vullnetit të saj, gjatë provave për një spektakël në Afganistan, para 11 vjetësh.

“Dhe papritur, kur ishim shumë afër njëri-tjetrit ai vuri dorën pas kokës sime dhe me forcë e afroi fytyrën me fytyrën time. Ndodhi aq shpejt dhe ai i vuri buzët në fytyrën time dhe futi gjuhën në gojën time dhe me mendjen time gjatë gjithë udhëtimit e quajta ‘buzëpeshku’ sepse këtë më kujtoi”.

Tweeden tha se i kishte kërkuar Frankenit të mos ta përsëriste më kurrë. Por më pas ajo mori vesh se ai i kishte kërkuar dikujt të bënte një fotografi të të dyve gjatë një fluturimi për në Amerikë. Në ftografi, Franke shfaqet duke prekur Tweeden ndërsa ajo fle. Franken nuk i mohoi akuzat dhe kërkoi ndjesë të enjten, duke thënë se fotografia ishte bërë për shaka. Por gazetarja nga Kalifornia, nuk e pa si humor.

“Asgjë e tillë nuk është për të qeshur. A do t’ju dukej humor sikur dikush t’ia bënte një gjë të tillë motrës, vajzës ose bashkëshortes tuaj?”

Një tjetër politikan që po përballet me akuza për abuzim seksual është ish-gjykatësi nga Alabama, Roy Moore, kandidat republikan për senatin amerikan. Ai është akuzuar për ngacmim vajzash në moshë të mitur. Moore tha se kishte kërkuar lejen e mamave të tyre para se t’u bënte atyre korte. Udhëheqësi i shumicës në Senat, Mitch McConnell tha se Moore duhet të tërhiqet nga gara dhe se Komisioni i Senatit për Etikën duhet ta analizonte rastin e Frankenit.

Franken nuk ka shprehur kundërshtim, por Moore ka reaguar ashpër.

“Shumë prej jush e kanë kuptuar se kjo është një përpjekje nga Mitch McConnell dhe aleatët e tij, për t’i vjedhur këto zgjedhje nga njerëzit e Alabamës dhe ata nuk do ta pranojnë një gjë të tillë”.

Presidenti Donald Trump e ka mbështetur kandidaturën e tij, por zëdhënësja e tij nuk sqaroi të enjten nëse ai vazhdon ta mbështesë atë.

“Presidenti beson se këto akuza janë shumë shqetësuese dhe duhet të merren seriozisht dhe ai mendon se banorët e Alabamës duhet të marrin vendimin se kush do të jetë senatori i tyre i ardhshëm”.

Akuzat seksuale kundër njerëzve të famshëm, politikanëve dhe të tjerëve janë intensifikuar që nga muaji i kaluar kur producenti i Hollivudit, Harvey Weinstein u akuzua nga shumë gra për ngacmime dhe abuzime seksuale.

Please follow and like us: