Spartak Ngjela: Rama qesharak dhe deficent i trembur
Sot Shqipëria sapo ka hyrë në fenomenin moral dhe ligjor të eliminimit të simbiozës së krimit dhe politikës së lartë. Në fakt, duhet theksuar se kjo është gjendja e mjerë e politikës shqiptare përballë fenomenit të ri të kontrollit ndërkombëtar.
Prapambetja historike shqiptare është në raport të drejtë me injorancën dhe makutërinë e liderëve që e kanë drejtuar që nga viti 1925 e deri tani.
Këta të sotmit ishin më të pështirët, por që më në fund do jenë modeli i ndëshkimit për të vendosur moralitetin në qeverisjen e Shqipërisë.
Kot bëjnë sikur zihen Rama, Berisha dhe Basha. Janë bashkë. Dhe i bashkon krimi i rrugës dhe ai i tregut; domethënë simbioza.
Po janë vetë krijuesit e simbiozës krim ordiner – shtet, veçse do të jenë shpejt vetë modeli i ndëshkimit që do të mbahet gjatë si model historik në krijimin e moralitetit në qeverisjen e Shqipërisë.
Simbioza është e përbashkët, sepse sa herë kanë ardhur në pushtet, njëra pas tjetrës, të dyja palët kanë përdorur të njëjtët elementë kriminalë të cilët kanë ndërruar menjëherë ngjyrë. Dhe tani, kuptohet që janë një.
Kjo kohë do të vinte por asnjë nga treshja Berisha, Rama, Basha nuk e njihte historinë dhe, edhe këta, si Nano, Meta, Bode e një varg i tillë i gjatë nuk e mendonin dot që Shqipëria dhe shqiptarët e Ballkanit Perëndimor kanë qenë gjithmonë në analet historike të Perëndimit të lartë.
Kanë qenë dy politika që e kanë ditur këtë në fillim të Shekullit të XX-të: Austro-Humgaria dhe Gjermania. Dhe janë sot po dy fuqi të mëdha që po realizojnë mendimin proshqiptar të politikës së lartë në Ballkanin Perëndimor: Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Gjermania.
Kjo politikë nuk ka më kthim mbrapa se fuqitë prosllave në Ballkan, Rusia dhe Franca, nuk kanë më forcë, në një kohë që Franca nuk del dot kundër kësaj politike të re perëndimore.
lll. Më qesharaku në këtë kohë po dallon të jetë Edi Rama, se, për nga defiçemca e intelektit që gëzon, nuk e kupton dot fare se çfarë po ndodh. Është i trembur dhe në jerm mendon se me frikën e tij do të gënjejë politikën amerikane duke bërë sikur.
Rama ka marrë me vete edhe Berishën dhe kërkon të shtyjë implementimin e Reformës në Drejtësi. Nuk mbush, prandaj nuk e kupton që amerikanët dhe gjermanët kanë në dorë të tyre Kushtetutën Shqiptare, dhe ajo mund të zbatohet drejtpërsëdrejti.
Po amerikanët?
Ata as që po i pyesin fare as Ramën e as Berishën.
Më forcën e kushtetutës së re, amerikanët kanë sjellë këtu hetuesit ekspertë të FBI-së dhe, edhe gjermanë, dhe e kanë lënë kryeministrin shqiptar të vërtitet si një fëndyell. Ky po kërkon ndihma nga antiperëndimorët, por me një injorancë totale, sepse politika e Enver Hoxhës për të gjetur një Kinë apo një Rusi e për të zhvendosur Shqipërinë, është sot një naivitet fëminor.
Po pse, nuk e shihni kalamallëkun Rama çdo ditë në drejtimin e qeverisë?
lV. Hetimi vijon. Pastrimi në Prokurori dhe në Gjyqësor do të jetë drastik. Po interceptohet i gjithë bazamenti kriminal i Shqipërisë së sotme që është në katër nivele: në rrugë; në treg; në drejtësi dhe në shtet.
Lidhjet janë lehtësisht të kapshme dhe po vijojnë të kapen.
Edhe bankat e huaja të ofshoreve janë nën kontrollin e FBI-së.
Kur të ekspozohen miliardat e politikanëve, gjyqtarëve dhe prokurorëve, pritet që të ketë një urrejtje popullore në Shqipëri, e cila duhet të përballohet me shumë kujdes, sidomos me ndihmën e ndërkombëtarëve.
Por gjithçka do të jetë e përballueshme edhe si pasojë e optimizmit popullor që do të fillojë të funksionojë në Shqipëri, menjëherë pas ndëshkimit të keqbërjes katërfishe shqiptare.