100 vjetori i Revolucionit Bolshevik – Meditime të një viktime
Sami Repishti, Ph.D. *
Ridgefield,CT.- Me 7 nandor 2017 u mbushën plotë 100 vjet nga data kur komunistët bolshevikë, nen drejtimin e V.I. Leninit përmbysën rregjimin e Carit Nikolla II dhe filluen ndertimin e ish Bashkimit Sovjetik, tue ndryshue kështu fatin e botës mbar, përfshi edhe Shqipërinë tonë.
Ky “revolucion” që shumë historianë e konsiderojnë si nji nga ngjarjet ma të randësishme të historisë moderne filloi me 23 shkurt 1917, me protesta popullore në rrugët e Petrogradit/Shën Petersburg ish kryeqytet i Rusisë cariste për 200 vjet. Protestuesët e uritun dhe të lodhun nga lufta me Gjermaninë, kerkuen “bukë e paqë”. Autokrati Car Nikola II preferoi me dergue trupat ushtarake për paqësimin e gjendjes. Në përpjekje u vranë 40 demonstrues. Ushtria u trondit dhe filloi “mosbindjen” e autoritetit carist. Shumë ushtarakë u bashkuen me popullin. Kjo shkaktoi abdikimin e Carit Nikolla II me 2 mars 1917. Nji qeveri e re civile u formue e kryesueme nga Aleksander Kerensky.
Në ndërkohë, V.I.Lenini. emigrant në Svicër, me 3 prill 1917 u kthye në Petrograd me ndihmën e sherbimeve të mshehta gjermane që llogaritshin në premtimin e Leninit se do te bante paqë të ndame me Gjermaninë. Kjo lejonte Gjermaninë me luftue vetëm kundër frontit të Perëndimit. Llogaritjet gjermane u vertetuen. Lenini nenshkroi Traktatin e Brest-Litovskit (1917): paqë me Gjermaninë!
Me arritjen e tij ne Petrograd, Lenini mori drejtimin e grupeve komuniste/bolshevike. Ai deklaroi se nuk njihte Qeverinë e Kerenski-t dhe proklamoi parullën “Paqë, bukë, tokë!” si pikënisje për revolucion. Për nji kohë të shkurtë Lenini fitoi përkrahjen e madhe të nji popullsie të lodhun. Ky ka qenë fillimi i “revolucionit të tetorit” në Rusi. Menjiherë, komunistët filluen përgatitjen e nji force ushtarake efektive, dhe naten 6-7 nandor 1917, nen komanden e Leon D.Trotsky-t, forcat revolucionare morën në dorë ndertesat qeveritare të kryeqytetit, dhe pushtetin e vendit. Kongresi i Dytë Panrus i Sovietëve, i mbledhun në Petrograd, formoi qeverinë e re nen drejtimin e V.I.Leninit, e perbame me shumicë “komisarësh politikë”.
Qeveria e re me operacione ushtarake të përgjakëshme vendosi “diktaturën”, (ma vonë diktatura e proletariatit) e plotë në vitin 1922, datë në të cilën u formue Bashkimi Sovjetik që mbijetoi afër 70 vjet (1990). Mbrenda pakë muejve, Lenini forcoi disiplinën në rradhët e klasës punëtore; në Rusi gjendja u ba shumë e randë. Bashkimi Sovjetik, për arsye të krizes ekonomike dhe luftës u ba skena e shtypjeve të pamëshirëshme dhe vuejtjeve të pa kontrollueshme Diktatura tregoi forcën e vet.
Edhe sot, Presidenti Putin deklaron se për arsye të ndasive të medha në Rusi “…vendi ka nevojë për nji qeveri të fortë” Fatkeqsisht, liria e demokracia e pritun nga miljonët e shtypun nuk u realizue në Rusi. Por. gjatë kësaj periudhe, Bashkimi Sovjetik deshmoi nji rritje të madhe industriale, të arritun me çmim të naltë: miljona qytetarë të kombeve të ndryshme vdiqën nga shtypja dhe uria…!
Revolucioni ka qenë edhe arsyeja e shumë luftave kombëtare për çlirim në shumë vende të botës, që banë njikohësisht shekullin njizetë shekullin ma të përgjakshëm në historinë moderne.
Kush ishte udheheqsi “Bolshevik” V.I.Lenini? Condoleesa Rice, profesor dhe ish Sekretar i Shtetit, spjegon: ”Kur u kthye Lenini nga emigracioni, ai shfrytëzoi situatën që solli lufta në popullsi dhe ushtri, tue predikue nji shkëputje të plotë me të kaluemen. Ai ishte nji revolucionar deri në palc; që në fillim, ai u shpreh me nji retorikë të zjarrtë dhe me nji fjalor politik që këshillonte ‘luftën’ deri në ekstrem.” Ajo spjegon se “për Leninin ‘modaliteti’ nuk duhet të mbështetet mbi bazat e standardeve idealiste që ushqejmë; nuk duhet të bajmë kurrë kompromis, dhe duhet të jemi përherë ekstremistë…. Në mes të nji shoqënie vizionarësh, Lenini përqendronte vemendjen e tij në nji objektiv dominant që zakonisht nuk ashtë objektivi i klasave intelektuale: marrjen e pushtetit me çdo mjet”.
Ky qendrim anti-moral dhe plotësisht i pa skrupull solli rregjimin e “hurit dhe litarit” në ish Rusinë cariste, të vendosun nga Lenini- e të njohun eufemikisht si “diktatura e proletariatit”, dhe nuk pushoi asniiherë deri në vitet 1989-90 me ndryshimet radikale të fillueme nga reformisti Mikhail Gorbaçev…reforma që përfunduen me zhgënjimin e madh: Presidentin Putin. Shpresa për demokratizim dhe integrim në Botën e Lirë të Perëndimit nuk u realizue, dhe sot në shumë vende ish-komuniste, mbeturinat e së “keqes së madhe” vazhdojnë me helmue atmosferën e shoqënisë civile ….. tue përfshi edhe Shqipërinë tonë!
Shprehja “revolucion” në shkencat shoqënore dhe politike përdoret me përcaktue nji lëvizje të madhe, të papritun, dhe tipikisht violente- zakonisht me gjak- që përmbysë rendin ekzistues dhe strukturat e shoqatat e lidhun me këte rend, dhe formon nji rendi të ri.
Sa e përgjakëshme ka qenë veprimtaria e Leninit? Nji shembull: Në mars 1922, ai shkruente: “Ashtë pikeëisht tani, dhe vetëm tani, kur në krahinat ku popullsia vdes nga uria dhe njerëzit ushqehen tue ngranë mishin e njeni tjetrit (kanibalizëm) dhe qindëra, ndoshta mijëra kufoma mbushin rrugët tona, që na mundemi (dhe prandej duhet) me zbatue konfiskimin e pasunisë së Kishës me egërsinë ma të madhe, dhe energji pa asnji mëshirë…Pikërisht në këte moment na duhet të luftojmë klerin në mënyrën ma të pamëshirëshme e vendimtare, dhe të dërmojmë rezistencën e tij, me nji brutalitet të atillë që kleri nuk duhet të harrojë në dekadat që vijnë…Sa ma i madh të jetë numri i fetarëve reaksionarë dhe i borgjezisë reaksionare që ne do të ekzekutojmë për këte arsye, aq ma mirë për ne!” (Martin Amis)
(Shenim: Arkivat kishtare tregojnë se në vitin 1922, V.I.Lenini ekzekutoi 1.962 murgjë, 2.691 priftën, 3.441 murgesha. Pse? “besimi ashte pjesë e natyrës njerëzore, kështu që bolshevikët ishin të detyruem me e shtypë në të gjitha format e tij, dhe të gjithë denominacionet tue përfshi islamizmin e budhizmin.”(po aty). “Nji tragjedi e vertetë, nji ngjarje që shkaktoi vuejtje të mëdha, shkatërrim dhe degradim”(Prof. Orlando Figes)
Akti i fundit: Lenini vdiq në 1924 e la trashëgim për Stalinin nji shtet policor, funksional, që ai perdori pa mëshirë (1924-1953) në asgjasimin e miljona qeniesh njerëzore të pafajshme. (Vetëm vdekja e J.V.Stalinit shpëtoi nga asgjasimi fizik pesë miljonë jahudije në kampet e akullta siberiane të përgatituna nga Stalini)
Vazhduesi i Leninit, kryekrimineli J.V.Stalin (që ka qenë dhe mbetet personi i idealizuem edhe nga shumë komunistë shqiptarë!) ishte nji monstër i vertetë. Kush ishte Stalini?
Historiani i njohun Sebastian S. Montefiore në studimet e tia e përshkruen kështu: ”Deri në vitin 1917, J.V.Stalini ka qenë nji disident carist, rrugaç, pijanec, kangëtar, dashnor që vraponte mbas vajzave, dhe nji imitues i shkelqyeshëm” .
Prof. Stephen Kotkin, Princeton U., spjegon:” Diktatori Stalin ka qenë nji udhëheqës kontradiktor, ideolog e oportunist njikohësisht, njeri me vullnet të hekurt dhe krijesë e sistemit sovjetik, njeri pa karakter që shpërdoroi bashkëshorten e vet deri në vetëvrasje (dhe nuk e percolli në varr!) dhe nji udhëheqës që frymëzoi popullin e vet. Stalini bani ate që edhe udhëheqës të tjerë të dalluem kanë ba. Ai artikuloi dhe punoi me kambëngulje për nji qellim; në rastin e tij, nji shtet të fuqishëm, të mbështetun nga nji shoqëni e unifikueme që çrranjosi kapitalizmin dhe ndërtoi socializmin industrial. Metodat e tia anti-njerëzoe janë asgja ma pak se nji apokalips për popullsinë e vendit. Uria e madhe në fshat vrau ma shumë se shtatë miljonë qytetarë rus e të tjerë, pesë miljonë “kulakë” u arrestuen, deportuen, ose u ekzekutuen. Kambëngulja e tij mund të spjegohet me idenë e tij fikse të ndryshimit ‘me çdo çmim’ të gjendjes shoqënore dhe ekonomike në modernitet, që ai e pau si rruga e marrun nga fuqi tjera të mëdha: prodhim masiv, konsum masiv, kulturë masive dhe politikë masive. Anglia dhe Gjermania janë dy shembujt që ai imitonte. Arrestimi i miljona anëtarë partie, në mes të vitit 1931, tregon fatin e atyne që guxuen mos me u bindë, ose me kundërshtue “udhëheqsin”, “gjyqet spektakolare” të qytetarëve të pafajshëm- ma vonë të pakësueme- shpesh mbas torturash të randa që detyruen me rrfye “anmiqt imagjinarë…”. Për Stalinin, terrori “përbante nji formë sundimi, nji mjet i artit të qeverisjes shtetnore.”
Edhe fakti që Stalini aplikoi metodat tronditëse në shtypjen e nji opozite të dobët, metoda që sollën ferrin mbi tokë për bashkatdhetarët e vet, spjegohen me nxitjen e shtypjes me shperblimeve byrokratike nga nji system represiv formidabel, dhe nga monopoli i pushtetit të nji partie të vetme në jetën politike të vendit. “ Ai merrte fuqi nga adhurimi i klasave të ulëta me imponue gjithçka nga nivelet e nalta. Në marrëdhanjet e politikës së jashtëme, sjellja e tij pa busull orientuese dhe pa parime të caktueme e paraqesin ate nji oportunist me eksperiencë, dhe ideolog me aftësi mendore të kufizueme”.(S. Kotkin)
Si Lenini ashtu edhe Stalini kanë vuejtë nga paranoia e vrasjes, deportimeve, asgjasimit të popullsive të tana. Si përfundim ata ndertuen nji rregjim, shovinist dhe ekspansionist, shtet policor, sundimin e nji njeriu të vetëm, kultin e individit, dhe gjetën mbështetje në terror, kampe përqendrimi dhe në “Big Lie!” (gënjeshtrën e madhe)
“E meta themelore e programit marksist ka qenë përballja pikë për pikë e ideologjisë me natyrën njerëzore,- shkruente shkrimtari izraelit Martin Amis- Udhëheqsit komunistë e kuptuen këte kontradiktë, por vendosën me lanë programin të paprekun dhe me ndryshue natyrën njerëzore, Në terma praktike ashtë ajo që na quejmë “totalitarizëm” e që do të thotë nënshtrim total të qytetarëve ndaj politikës zyrtare.” Dhe mjerë ai/ajo që ka pasë guximin me devijue nga versioni zyrtar. Vetëm “gardianët e revolucionit” mund të ndryshojnë këte situatë. Kjo spjegon se përse pozita e Stalinit si gjysëm-perendi zbritet nga froni dhe përfundon sot në nji shenim negativ e pa randësi historike…!
I pyetun në se Qeveria ruse do të festojë 100 vjetorin e Revolucionit, zadhanësi qeveritar u përgjegj: “Qeveria nuk ka nji plan festimi”. Gazeta e njohun “Pravda” komentoi: “Ç’farë kemi këtu për festim?” Vitin e kaluem, Presidenti Putin inauguroi “Murin e Rihabilitimit” dhe në mes tjerash, ai tha: ’”Kjo e kalueme shumë e tmerrshme nuk duhet në asnji mënyrë të fshihet nga kujtesa e jonë; sepse, nuk mund të justifikohet, në asnji mënyrë e gjithë ajo që ka ngjarë’” Vetëm nji ‘guardian i revolucionit’ guxon me ndryshue historinë. Lavdi e përkohëshme…..!
Disidenti i madh dhe shkrimtari rus Vladimir Nabukov, në nji artikull të vitit 1948, shkruente: ”Nen sovjetët, që në ditët e para, e vetmja mbrojtje për disidentët ishte shpresa se kapriçet e qeverisë do ti kursejnë pa shpresë në drejtësi ose ligjë. Asnji parti e dytë nuk u lejue përveç pushtetit komunist. Byrokracia dominoi që në fillim. Opinioni publik u dërmue. Klasa intelektuale u eliminue. Çdo ndryshim që bahej ishte nji dekorim i skenave të shemtueme të nji grope të thellë e të zezë ku mbretnoi shtypja dhe terrori.”
Ashtë kjo shoqëni e re dhe e pabesë që u adoptue nga udheheqja gjysëm analfabete e vendit tonë – studentë të falimentuem, teneqexhijë, karrocierë, mjelse lopësh, shoferë, aventurierë pa busull morale…!
“As prindëve, as fëmijve të tyne nuk u besohet. Të gjithë janë të tmerruem ditë e natë, në çdo nivel tue përfshi edhe vetë Stalinin që jetonte me frikën e vrasjes çdo minut të jetës së tij” shkruen Nabukov.
(Nji shembull: kur Stalini udhëtoi për Teheran (Persi, 1942) në takimin me Churchillin dhe Rooseveltin, aeroplani i tij shoqënohej nga 27 avionë luftarakë. Kur udhëtoi për Potsdam (Gjermani, 1945) truproja e tij kishte 18.500 ushtarë e policë) (sic!)
Në Bashkimin Sovjetik nji popullsi e tanë ka qenë e traumatizueme …..Posa u hapen arkivat (mbas vitti 1990) u zbulue mënyra mospërfillëse me të cilën udhëheqsit sovjetikë, nën Stalinin, firmojshin vendimet për dënime me vdekje të qindëra mijëra qytetarëve – para se ata vetë të ekzekutoheshin gjithashtu, nji atmosferë e imortalizueme nga shkrimtari ish komunist Arthur Koestler në librin e ti “Errësinë në Mesditë”.
Tashti , “…me urdhën te Presidentit Putin arkivat janë mbyllë përsëri! NJi represion emocional i fortë ashtë zhvillue me qellim të mbulohen bremjet e ndërgjegjes për vuejtjet në Rusinë e sotme. Kjo ashtë plotësisht ajo që rregjimi Putin dëshiron dhe paraqet: nji shoqëni te tanë psikologjikisht e ndryshueme, dhe pa dëshirë me kthye kohën kah e kaluemja e vet, me përfundim të pa evitueshëm në nji depresion të hapun gjanësisht, dhe me besimin se vendi nuk ka nji të ardhme” përfundon Francis Fukuyama, Stanford…. Shqipëria me 2017 ?
Kjo spjegon me hollësi sa larg janë në gjendje me shkue demagogët ideologë, me zhdukë ose me shtrembnue të vërteten; me mshehë atrocitetet, vorfëninë, urinë lokale të fshatit, ekzekutimin fizik të klasës intelektuale, ndalimin “zyrtar” të ushtrimit të fesë, klerikëve e mbylljen e faltoreve, shuemjen e traditave –besë, nder, burrëni, mikpritje etj -dhe të jetës tradicionale e kulturore në qytet e fshat- popullsi e terrorizueme nga frika vetem sepse kërkon liri e demokraci…!
*****
Në Shqipëri ka pasë dhe ka edhe sot qytetarë të ndershëm që besojnë se “totalitarizmi” ka ngritë kokën përsëri mbas 27 vjetëve tranzicioni kaotik, tue përfshi presionin politik, mungesën e plotë të shoqënisë civile koshiente e gjendjes në vend dhe jashtë kontrollit qeveritar, nji arsim të pa organizuem me i përgjegjë nevojave të kohës dhe që nuk sherben interesat e studentëve as edhe ekonomisë së vendit që vuen nga papunësia e madhe, korrupsioni i shfrenuem që ka kapë për fyti edhe kuadrot drejtuese, dhe veprimtari mafioze pa frikë ndeshkimi…!
Por unë dyshoj se gjendja e sotme ashtë e pa shpresë! Sepse nuk ekziston akoma ne vendin tonë nji ideologji “zyrtare” që mobilizon masat e gjana … …esenciale për nji shoqëni “totalitariste…! “
Nji njohës i mirë i sistemit sovjetik, dhe rregjimit të kuq në Shqipëri, analisti Dr. Janos Bugajski, në nji intervistë me Zërin e Amerikës (9 nandor 2017) bani këte deklaratë: “Përsa i përket trashëgimisë komuniste (në Shqipëri) kjo çfaqet në mes tjerash tek gjëra të këtilla si varësia tek Shteti për punësim dhe për ndihmë, tek nji farë tolerance ndaj shtypjes shtetnore, tek vazhdimi i lidhjeve dhe interesave speciale që vazhdojnë qysh nga koha e komunizmit dhe tek përfshirja e pamjatueshme e publikut në aktivitetet shoqënore; publiku akoma nuk e sheh veten si subjekt por si objekt politik, dhe kjo duhet ndryshue… (Megjithate)…as që mund të bahen krahasime me të kaluemen komuniste…Absolutisht duhet nji rihabilitim moral- sepse ish përndjeksit komunistë shetisin lirisht në rrugët e Tiranës….Mendoj se duhet të ketë ma shumë vemendje nga media dhe nga sistemi arsimor, më shumë informim publik rreth atyne që vuajtën nen komunizëm…” Dr. Bugajski quen viktimët e komunizmit “heroj” dhe kundërshtimin e tyne “heroizëm” i treguem nga këta persona gjatë periudhës së shtypjes…!
Në nji intervistë të njikohëshme për Zërin e Amerikes, e dha edhe Zonja Gentiana Sula, drejtoreshë e Autoritetit të Informimit mbi Dosjet e Sigurimit të Shtetit. Ajo mendon se “…moshapja e arkivave u ka mohue njerëzve të drejtën për të njohë të vërteten.,. (sepse) shumë plagë të së kaluarës ende janë të pambyllura. Në Shqipëri, vendi në disa raste e gjen veten në nji kontradiktë me brezat e rij (të painformuem), nji pjesë ka nostalgji; të tjerë që ende nuk janë shkëputur dot nga mentaliteti i së kaluarës- Shqipëria vlerësohet nga të huajtë ekspertë se ende nuk e ka përfunduar periudhën e tranzicionit nga diktatura në demokraci…”
Unë do të shtojshe: ” nga skllavëria komuniste në nji jetë të lirë; nga frika e ushqyeme, në guxim me farkëtue fatin me duart e veta”.
Le të zbulohen të gjitha krimet e kryeme kundër qytetarëve shqiptarë, le të demaskohen të gjithë kriminelet, dhe të gjinden të gjitha vendet ku janë krye këto krime të pabesueshme dhe makabre të regjimit komunist në Shqipëri; le të zbulohen të gjitha varret individuale e varrezat kolektive dhe të bahen ata vende pelegrinazhi, “vende të shenjta” për adhurim nga të gjithë- veçanërisht për nxanësit e shkollave tona; le të kthehen ata në objekte frymëzimi dhe subjekte meditimi të thellë.
Sepse vetëm, nji ndërgjegjsim i plotë i së kaluemes sonë tepër tragjike, do të pengojë përsëritjen e saj.
Nga vorret e harrueme, viktimat akoma të shqetësueme, kërkojnë me za të naltë: Vllazën, motra! Mos na harroni! Mos harroni mesazhin tonë: kurrë ma diktaturë në Shqipëri, kurrë ma ideologji të hueja në Shqipëri, kurrë ma “gënjeshtrat e mëdha” në Shqipëri ….!
===========================================
* ish i burgosun politik në Shqipërinë komuniste (1946-56), dhe në Jugosllavinë komuniste (1959-60)