Albspirit

Media/News/Publishing

Delvina Kërluku: Ç’është ky diskriminim që përsëritet e përsëritet?

 

 

Para ca muajsh bëra një shkrim, ku vura në spikamë neglizhencën apo veprimin e qëllimshëm të ambasadorit të BE-së në Shkup, z.Zhbogar, i cili në ceremoninë e dorëzimit të çmimit “Zhan Mone”, foli në gjuhën serbe, duke mohuar gjuhën maqedonase dhe atë shqipe. Mesazhet e kësaj sjelljeje secili i mori në mënyrën e vet. Shkrimi im, përveç se në gazetën e përditshme “Koha” të Shkupit, u botua edhe në disa mjete të tjera shqiptare, si në Tiranë, po ashtu edhe në Prishtinë e gjetiu. Ne, disa kolegë gazetarë shqiptarë, e komentuam midis vete këtë gjest aspak diplomatik të diplomatit evropian, por jehona ishte e paktë, sidomos nuk pati asnjë reagim nga partitë politike shqiptare, edhe pse mohohej gjuha e tyre, për të cilën rrahin aq shumë kraharorët partiakë. Të paktën të kishte përshëndetur në gjuhën angleze, e cila tanimë ka marrë letërnjoftimin e gjuhës së diplomacisë, por të cilën edhe e njohin shumica e gazetarëve. Më në fund përkthyesit atë punë kanë, e të cilët nuk mungojnë në evente të tilla. Dhe, nuk duhet të mungojnë. Nё atё mbrëmje nuk mungoi audienca e gjerë, por as mediat e shumta të vendit dhe të huajat. Aty ishin edhe mediat në gjuhën shqipe. Dhe fjala e diplomatit evropian (me përkatësi etnike sllovene), befasoi me dushin e ftohtë. Siç thashë, të nesërmen nuk pati reagime qenësore, sikur të mos kishte ndodhur ndonjë gjë e madhe. Mos ishte ky gjest, manifestim i një servilizmi të tepruar, apo ndonjë urdhër-rekomandim nga lart, mbetet të hetohet e të shihet. Skandale me mosrespektimin e gjuhëve në kryeqendrën tonë kanë ngjarë edhe më parë. Ndodhi edhe disa muaj më herët me gazetaren nga Shqipëria, Sonila Meço, kur iu drejtua auditorit në gjuhën angleze, e jo në shqipen e saj. Unë shkrova edhe për këtë rast. Shkrimi pati jehonë, por jo edhe ndonjë efekt konkret.

 

Mё ka rastisur qё shpesh tё raportoj aktivitetet nё selinë e Bashkimit Evropian pёr gazetën ku punoj. Shumë herë ka qëlluar tё luaj rolin edhe tё përkthyesit në gjuhën shqipe, pasi organizatori nuk e ka parë të arsyeshme të respektojë ligje e konventa për barazinë e gjuhëve. Gjithmonë është kënaqur me përdorimin e dy gjuhëve: anglisht e maqedonisht. Po shqipja që flitet, të paktën, nga një e treta e popullatës, ku na mbeti?! Mediat në gjuhën shqipe përse anashkalohen? Evropa na lodhi me sloganet e barazisë, por ja që mban një qëndrim tjetër (mos themi diskriminues) ndaj shqipes dhe shqiptarëve. Gjuha shqipe mbeti çështje e hapur, e cila nuk po mbyllet me dekada. Në çdo fushatë zgjedhore partitë atunë kryesore e kanë rregullimin me ligj të përdorimit (zyrtar) të gjuhës shqipe. Mirëpo, sa kalojnë zgjedhjet dhe verifikohen mandatet, premtimet e zotimet i merr era dhe deputetët vazhdojnë të bëjnë veshin shurdh dhe ia krisin gjumit letargjik (hipokrit). Çështja e përdorimit të saj po përflitet kaq shumë edhe ditёve tё sotme nё Parlamentin e Maqedonisë. Na ka zënë veshi të dëgjojmë se ligji që po trajtohet përmban flamurin (rekomandimin) e BE-së. Sa mirë! Por përse ajo vetë nuk e përfill këtë rekomandim, kur në aktivitetet që organizon zyra e saj në Shkup, shqipja e ka vendin prapa derës? Se tё drejtat e shqiptarëve nё Maqedoni duhet tё shënojnë progres shumё mё tё dukshёm e tё prekshёm, pёrmes njё zbatimi sa mё real e mё konkret edhe tё vetë marrëveshjes sё Ohrit. Përfaqësuesit e BE-sё kanё deklaruar se Maqedonia konsistohet si shtet sovran dhe i pavarur dhe si shtet qytetar dhe demokratik. Na kanё thënë se angazhohen për të siguruar sundimi i sё drejtёs, si sistemi themelor i pushtetit; tё garantohen tё drejtat e njeriut, liritё qytetare dhe barazia nacionale; tё sigurohet paqja dhe bashkёjetesa e popullit maqedonas, me kombёsitё qё jetojnё nё Republikёn e Maqedonisё; tё sigurohet drejtёsia sociale, mirëqenia ekonomike dhe pёrparimi i jetёs personale dhe tё pёrbashkёt, etj., etj. Por, kёtu ndodh ndryshe. Kur ligjin e shkelin vetё ligjvёnёsit?! Rezulton tё jetё shndёrruar nё shembullin se si rregullorja dhe ligjet, shkelen nё mёnyrё flagrante, para mediave, nё tempullin ligjvënës – Kuvendin e Maqedonisё. Kjo shihet edhe nё konferencёn “Ditё e medias, BE – Ballkani Perёndimor”, e zhvilluar nga Komisioni Evropian, disa ditё mё parё nё Tiranё. Si shumë herë më parë, barazia kombëtare dhe gjuhësore: në këtë aktivitet kaq të rëndësishëm, organizatori është “kujdesur” që të mos ketë të pranishëm asnjë pëfaqësues të mediave shqiptare në Maqedoni, por vetëm të maqedonasve (bashkë me zëdhënësin e qeverisё, Mile Boshnjakovski). Aty është folur për lirinë e mediave, por nënkuptohet që me këtë nënkuptohen mediat në gjuhën maqedonase. Ato shqiptare, si ta kenë punën! Kush pyet për to?! Përveç se diskriminim klasik, nuk gjen emër tjetër për këtë veprim. Dhe kështu do të jetë, derisa partitë shqiptare të kthjellohen dhe barazinë e gjuhës së tyre ta marrin pak me seriozisht.

Këtë qëndrim diferencues kjo Zyrë e ka edhe për çmimet që ndanë për gazetarët. Brenda tri vitesh, aq sa unë jam në dijeni, pasi e ndjek këtë veprimtari si gazetare, nuk është ndarë asnjë çmim për asnjë disiplinë gazetarie. Porosia del e qartë: Evropës (kësaj Zyre) i intereson vetëm një popull dhe vetëm një gjuhë. Ose: shqiptarët s’kanë gazetari për të qenë!

Please follow and like us: