Matteo Mandalà: Mitet e historiografisë arbëreshe
Promovimi i librit “Mitet e historiografisë arbëreshe”, botimet “Naimi” dhe prezantuar në Akademinë e Shkencave
“Një shembull shkencor i çmontimit të “teksteve mitologjike”. Kështu është vlerësuar libri më i ri i albanologut të njohur, Matteo Mandalà, professor në Universitetin e Palermos, Itali. Nën titullin “Mitet e historiografisë arbëreshe” dhe me logon botimeve “Naimi”, libri u promovua në Akademinë e Shkencave, Tiranë. Duke vlerësuar kontributin e Matteo Mandalà në albanologji, prof. Ali Aliu tha se këto studime të kryera me metoda të reja na ftojnë “për rishqyrtime kritike të trashëgimisë sonë kulturore dhe letrare”. Me Matteo Mandalà filologjia e re shqiptare fiton më shumë prestigj, tha akademiku nga Kosova. Me synimin për të rindërtuar zanafillën dhe zhvillimin e identitetit kulturor arbëresh, autori ka arritur të identifikojë një sërë falsifikimesh të bëra sipas motto-s latine: Mundus vult decipi, ergo decipiatur (Bota ka qejf që të gënjehet, pra, le të gënjehet), thotë në paraqitjen e librit prof. dr. Francesco Altimari. Ndërsa, sipas prof. dr. Aurel Plasarit, “Libri i dijetarit arbëresh Mateo Mandalà “u tregon vendin” pothuajse të gjitha miteve me origjinë arbëreshe me të cilat është përkundur ndër shekuj shoqëria arbëreshe, veçan në shekujt XVIII e XIX. Libri përbën një tekst tejmase të qartë, të shkruar me një logjikë që s’të fal, me një aparat metodik bashkëkohor. Libri në fjalë ngjan më fort me një vepër teorike që historinë e miteve të origjinës arbëreshe e ka përdorur si shkas për të dhënë një shembull shkencor të çmontimit të “teksteve mitologjike” si fenomenologji. Është një shembull i cili na rikujton që gjuhëtarë, historianë, antropologë etj., e kanë detyrë t’i çmontojnë mitologji të tilla, përveçse në qofshin në shërbim jo të dijeve, por të ideologjive”.
Autori i librit, prof. dr. Matteo Mandalà, pasi falënderoi kolegët dhe lexuesit për interesin e treguar në Panairin e Librit, midis të tjerash, thotë: “Këtë libër ua kushtoj arbëreshëve, të cilët dua t’i siguroj se ata nuk kanë qenë e vetmja pakicë që është rrekur ta falsifikojë historinë për të fisnikëruar origjinën e vet. Në llogoret e kësaj sipërmarrjeje që më vonë ka dalë e dështuar, janë ngujuar, për shembull, familje të kamura serbokroate të Italisë në kërkim të prejardhjes së tyre të ndritur. Popuj të mëdhenj e të rëndësishëm evropianë i kanë kërkuar në të shkuarën paraardhësit e tyre të lashtë, dhe kur nuk i kanë gjetur në ndonjë dëshmi të hershme, i kanë sajuar. Mirçea Eliade ka përshkruar obsesionin e popujve të Evropës Lindore, të cilët iu drejtuan rindërtimeve më të pabesueshme (është domethënës rasti i rumunëve që u shpaguan për trazimin e tyre kur i gjetën te legjionarët e Trajanit (tamam tek ata që patën pushtuar vendin e tyre) paraardhësit e vet); për të mos folur pastaj për anglezët e gjermanët që “do të provonin”, pak a shumë në të njëjtën periudhë kur arbëreshët nisën spekulime të ngjashme, krejt të pabaza mitologjike, se vinin nga pellazgët hyjnorë të Homerit”. “Para zbulimeve të këtij lloji, – vijon profesori arbëresh, – hutimi i atij që ka besuar në vërtetësinë e miteve të rrejshme dhe të simboleve të tyre është i natyrshëm e, madje, i kuptueshëm, veçanërisht kur ushqehet nga ndjenja të sinqerta e të pastra. Por meqë ditët e sotme janë të vështira për kulturat e pakicave, nuk mund të vazhdojmë të tregojmë një përrallë duke ia shitur për të vërtetë historike atij që e ka lënë pas fëmijërinë dhe ka arritur pjekurinë e qetësinë e gjykimit”.
Nga parafjala e autorit të librit “Mitet e historiografisë arbëreshe”
Mbi identitetin kulturor arbëresh dhe mitet
Nga Matteo Mandalà
Ky libër përmbledh e shtjellon rezultatet fillestare të një projekti kërkimor më të gjerë e organik, të miratuar e të mbështetur nga Universiteti i Palermos. Thelbi i temave të rrahura, sikur-se edhe perspektiva e kërkimit në të cilën inkuadrohen ato, ka të bëjë me një studim të strukturuar, të ndërmarrë me synimin për të rindërtuar zanafillën dhe zhvillimin e identitetit kulturor arbëresh. Do saktësuar se ajo çka paraqitet këtu është vetëm pjesa destruens e projektit. Në të vërtetë, jo vetëm që janë mënjanuar përmes një shqyrtimi kritik falsifikimet në modë të historiografisë arbëreshe, por janë bërë përpjekje për ta vendosur hipotezën e kërkimit brenda atyre caqeve epistemologjike në të cilat, nga njëra anë akribia shkencore i bashkohet gjykimit gjakftohtë, ndërsa, nga ana tjetër, “falsi” (mitik ose historik) individualizohet jo vetëm për t’u dalluar nga “e vërteta”, por edhe për t’u peshuar me drejtësi që pastaj të flaket tej përfundimisht. Nuk mund të thuhet se kjo ka qenë një punë e lehtë dhe as mund të mohohet dhimbja e njëmendtë që kam provuar kur vëreja se proceset e ndërtimit të identitetit të kulturave inferiore – siç kanë qenë e ndoshta vazhdojnë të jenë ato të pakicave gjuhësore në Itali – u janë besuar aspekteve më jetëshkurtra të projekteve të mëdha utopike që ideatorët e tyre i kanë hartuar në emër të shpëtimit të bashkësive të tyre prej margjinalizimit kulturor e, në rastin e arbëreshëve, edhe të atij social e ekonomik. Ajo që të habit është zbulimi i vetëdijes kund më të vogël e kund më të madhe të mashtrimit, e cila nën formën e detyrimit moral ka mbyllur çdo shteg për t’i shkëputur ato operacione prej harresës së përhershme me të cilën kanë qenë dënuar. e, pra, për të evidentuar, përkundrazi anën tjetër të identitetit, atë pozitive dhe jo të përkohshme, që e dallon si një produkt të vërtetë kulturor. Me këtë aspekt, tash që u shkel pakti i gojëkyçjes historiografike dhe u thye heshtja e shekujve dhe e arkivave, do të merren pjesët e tjera të këtij projekti kërkimesh. Bëhet fjalë për ato pjesë të cilat meqë do të realizohen me lehtësi e kënaqësi më të madhe, falë heqjes së barrës së rëndë të mistifikimeve, do të rivendosin me qetësi e rreptësi shkencore jo aq objektivitetin (e mëtuar) historik – të cilin, duke ndjekur këshillën e Antonino Butitës (Antonino Buttitta), parapëlqejmë t’ua lëmë historianëve të katundit – të procesit të ndërtimit të identitetit me fjalë, sa sistemin ideologjik që e shkaktoi dhe e ushqeu me një program origjinal e të sinqertë utopik.
Këtë libër ua kushtoj arbëreshëve, të cilët dua t’i siguroj se ata nuk kanë qenë e vetmja pakicë që është rrekur ta falsifikojë historinë për të fisnikëruar origjinën e vet. Në llogoret e kësaj sipërmarrjeje që më vonë ka dalë e dështuar, janë ngujuar, për shembull, familje të kamura serbokroate të Italisë në kërkim të prejardhjes së tyre të ndritur. Por ajo nuk ka qenë as e fundit. Popuj të mëdhenj e të rëndësishëm evropianë i kanë kërkuar në të shkuarën paraardhësit e tyre të lashtë, dhe kur nuk i kanë gjetur në ndonjë dëshmi të hershme, i kanë sajuar. Mirçea Eliade ka përshkruar obsesionin e popujve të Evropës Lindore, të cilët iu drejtuan rindërtimeve më të pabesueshme (është domethënës rasti i rumunëve që u shpaguan për trazimin e tyre kur i gjetën te legjionarët e Trajanit (tamam tek ata që patën pushtuar vendin e tyre) paraardhësit e vet); për të mos folur pastaj për anglezët e gjermanët që “do të provonin”, pak a shumë në të njëjtën periudhë kur arbëreshët nisën spekulime të ngjashme, krejt të pabaza mitologjike, se vinin nga pellazgët hyjnorë të Homerit; ose për skocezët të cilët meqë s’kishin asgjë më të mirë për të dëshmuar madhështinë e tyre kombëtare, shpikën aty nga fundi i shekullit XVIII prejardhjen e tyre nga Highlands, duke e lidhur edhe me simbole të rreme kombëtare, si kilti dhe gajdja, për të mos u ndalur te poemat e rreme epike të Osianit, që do të linin gjurmë të pashlyeshme në letërsitë e tjera kombëtare. E kështu mund të rendisim dhjetëra shembuj të tjerë, disa prej të cilëve thjesht zbavitës, disa të tjerë më tragjikë. Sajimet, falsifikimet, rindërtimet e sheqerosura të së shkuarës e kanë shoqëruar historinë e njerëzimit dhe shpesh e kanë përgjakur atë: mjafton të sjellim ndër mend arsenalin simbolik të diktaturave të mëdha të shekullit XX. E deri këtu nuk ka asgjë të re. Para zbulimeve të këtij lloji hutimi i atij që ka besuar në vërtetësinë e miteve të rrejshme dhe të simboleve të tyre është i natyrshëm e, madje, i kuptueshëm, veçanërisht kur ushqehet nga ndjenja të sinqerta e të pastra. Por meqë ditët e sotme janë të vështira për kulturat e pakicave, nuk mund të vazhdojmë të tregojmë një përrallë duke ia shitur për të vërtetë historike atij që e ka lënë pas fëmijërinë dhe ka arritur pjekurinë e qetësinë e gjykimit. Duke qenë edhe ne jugorë, jemi të lidhur me leksionin e Vikos dhe ka ardhur koha të bëjmë të ditur publikisht se mjetet tona të analizës janë përtërirë fund e krye dhe që nuk kemi më ndërmend të mashtrohemi as nga kulturat e bakejve dhe as nga bakejtë e kulturave, veçanërisht nga ata që duke e ditur se ç’bëjnë, besojnë se mund t’i përjetësojnë gënjeshtrat e tyre.
(Marrë nga libri “Mitet e historiografisë arbëreshe”, botimet “Naimi”, Tiranë 2013)
Nga Arkiva
Promovimi i librit “Mitet e historiografisë arbëreshe”, botimet “Naimi” dhe prezantuar në Akademinë e Shkencave