Emina Çunmulaj denoncon publikisht fotografin maniak
Shkëlqimi dhe ndjesia e të bukurës, janë vetëm njëra anë e medaljes në botën e modës.
Ana tjetër fsheh shëmtinë e prapaskenave aspak të këndshme, të pa kapura nga syri i publikut. Dëshmitare të tyre kanë qenë një sërë modelesh të cilat kanë guxuar ta denoncojnë fotografin, Terry Richardson, me akuzën për ngacmim seksual në ambientet e punës.
Për pasojë disa nga revistat më prestigjioze si Vogue, GQ, Vanity Fair dhe Glamour kanë refuzuar të bashkëpunojnë me të. Por duke qenë pjesë e industrisë, valës së akuzave ndaj tij, i është bashkangjitur së fundi edhe modelja shqiptare, Emina Cunmulaj, e cila ka komentin e saj për këtë.
Në një postim në Instastory me imazhin e fotografit të modës, modelja e quan atë të neveritshëm, ndërsa rrëfen se ai nuk është i vetmi i llojit të tij në këtë fushë. “Nasty! He’s not the only one”shkruan modelja shqiptare e cila prej kohësh jeton në SHBA. Ajo shton se kishte ardhur koha që figura të tilla të dilnin zbuluar dhe që ambientet e modës të pastroheshin njëherë e mirë nga “monstra” të ngjashëm.