Izet SHEHU: Më mjafton që jam i lirë…
Më mjafton që jam i lirë…
Nuk bëj pjesë në asnjë klan,
Shpeshherë grindem me vetminë.
Më mjafton ky shpirt që kam.
Që ta çmoj më shumë lirinë.
Në kam qenë njeri i bindur
Herë nga frika, herë nga turpi,
As një çast s’u bëra lolo
Dhe kur më kanë rrahur supin.
Nuk u hodha kurrë në flakë,
S’kam profilin e heroit,
Por kam parë të zënë në çark,
Puthadorët e oborrit.
Nuk bëj pjesë në asnjë grup,
Kështu ndjehem dhe më mirë.
Më mjafton ky shpirt që kam,
Më mjafton që jam i lirë.
Mbi rrënoajt e harresës
Mbi rrënojën e harresës ka filluar të mbijë bari,
Zë i largët i të vdekurve fëshfërin edhe ngjeth ajrin.
Jemi shpirtëra të etertë, na kanë prerë e na kanë vrarë
Për së gjalli na groposën, prehje s’gjejmë as në varr.
Na thyen tingullin, na shuan shkronjën, fjalën, këngën na e ngrinë,
Bor’ e zezë ra mbi ne, ra mbi ne fat i vështirë.
Mbi rrënojën e harresës ka filluar të mbijë bari,
Tharë e nxirë syth i shpresës, si një sqep e çukit ajrin.
Panja
A s’më shihni se po thahem?
Mos më lini në harresë!
Kujt t’i lutem,
Kujt t’i falem,
Më kanë dalë të pabesë.
Kam strehuar cicërima,
Klithma, valle e orgji.
Tani që më qaset dimri,
S’më afrohet asnjë njeri.
Që të gjithë më shohin vëngër,
Më përbuz dhe zogth i urtë.
Në rini qeshë panj’ e ëmbël,
Më e ëmbla nga gjithë drutë.
A s’më shihni se po thahem?
Mos më lini në harresë!
E di mirë që do të ndahem,
Ndiej që limfa s’po më rrjedh.