Mediat greke, fushatë të egër kundër kryebashkiakut të Selanikut
Mediat greke ia kanë zënë për të madhe kryetarit të Selanikut Janis Butaris që ka përdorur emrin ‘Maqedoni’ gjatë vizitës së tij në Shkup. Duke folur në anglisht gjatë takimit me kryeministrin Zoran Zaev, Butaris ka propozuar që takimi i radhës mes kryeministrave të Greqisë dhe Maqedonisë të mbahet në Selanik, raporton Konica.al. Mediat greke thonë se ai ka përdorur emrin ‘Maqedoni’ edhe gjatë një interviste për një televizion gjatë vizitës së fundit në Shkup. Ndryshe, gjatë vizitës në Shkup në përpjekje për kthimin e besimit mes dy vendeve, kryetari i Selanikut Butaris është takuar me kryeministrin Zaev, presidentin Gjorgje Ivanov si dhe me ministrin e Jashtëm Nikolla Dimitrov. Kryebashkiaku i Selanikut Janis Butaris njihet për qëndrimet e tij të moderuara edhe ndaj shqiptarëve, ku si shenjë të respektit mes dy popujve pati emëruar një park në Selanik me emrin ‘Durrës, Shqipëria’.