Veton Surroi: Refuzimi i tri dosjeve
Si e mbrojti Kryeministri interesin publik?
1.
Në tavolinën e kryeministrit të Kosovës arritën tri dosje të rëndësishme për t’i zgjidhur në 100-ditëshin e qeverisjes. Në njërën ishte propozimi për strukturimin e Qeverisë me ministra dhe zëvendësministra. Kur e hapi dosjen, kryeministri u llahtaris: parashihej numri i 21 ministrave, pastaj i 60 zëvendësministrave, pastaj i këshilltarëve dhe shoferëve për të gjithë ata, dhe i makinave për të gjithë ata shoferë e të hapësirës së zyrave për të gjithë ata zëvendësministra e këshilltarë.
– A jeni më vete, pyeti Kryeministri? Çka na nevojiten gjithë këta njerëz?
– Kështu jemi marrë vesh me partnerët… besa edhe ne kemi nevojë t’i rehatojmë aktivistët…
– Absolutisht jo… E kemi marrë pushtetin për të vendosur një standard të ri qeverisës… jemi këtu për të adresuar nevojat e qytetarëve, jo tonat. Mandej, gjithë këta njerëz nuk bëjnë gjë pos që pengojnë, pështillen këmbëve.
– Por, zoti Kryeministër…
– Absolutisht jo… Do të kemi maksimum 12 ministri, me nga një zëvendësministër për çdonjërën. Fondet që keni paraparë për shpenzime qeveritare zvogëloni në minimum, adresoni drejt investimeve parësore në shëndetësi dhe arsim.
2.
Dosja e dytë qe propozimi për faljen e borxheve të ambalazhuesve të ujit. Ata kishin mbledhur 58 milionë euro borxhe nga viti 2008.
– Absolutisht jo. Buxheti i rishikuar ka një vrimë të madhe që duhet mbushur, dhe çdonjëri prej këtyre 58 milionëve më hyn në punë… Pastaj, këto janë para që edhe ashtu janë pjesë e kostos së prodhimit, apo jo? Ambalazhuesit e kanë futur si kosto në kontabilitetin e tyre, apo jo?
– Po, por, ata thonë se nëse e paguajnë atëherë humbasin para, bëhen më pak kompetitivë dhe hyn uji i Serbisë…
– Po, por, nëse një prodhuesi ia heqim koston e prodhimit, do të shtrohet pyetja: pse nuk ua bëjmë të tjerëve? Prodhuesi i biskotave mund të thotë me të drejtë se do të mbajë për vete detyrimet ndaj shtetit, sepse do të jetë më kompetitiv se biskotat e Serbisë… Edhe ai i sallamit të pulës… Dhe në fund nuk do të kemi buxhet shtetëror.
– Por, kjo është në të mirën e punëtorëve të ambalazhuesve të ujit…
– E punëtorët e tjerë, të sektorëve të tjerë? Ne jemi këtu për t’i mbrojtur e nxitur të gjithë, jo për të favorizuar disa në dëm të të tjerëve. Çdo euro që ia falim një sektori do të duhej ta merrnim nga sektori tjetër. Çdo euro që ia falim dikujt që nuk ka paguar duhet t’ia merrnim atij që tashmë ka paguar euron e vet dhe duhet tash ta paguajë atë që nuk e pagoi tjetri.
3.
Dosja e tretë qe propozimi që familjarëve të të dënuarve në rastin Kumanova t’u paguhen nga dhjetë mijë euro.
– Të paguajmë për njerëz që kanë luftuar në shtetin fqinj, kundër atij shteti? Doni të na fusni në bela ende pa i bërë 100 ditë?
– Por, ata qenë mashtruar, ishin të bindur se po luftonin për çështje kombëtare…
– Por, ne nuk jemi Qeveri që duhet të paguajë për mashtrimet e të tjerëve… Aq më pak kur këta ishin qytetarët tanë që deshën të fillonin një konflikt në një shtet mik, madje aty ku tashmë qe bërë lufta… Di që doni pak të amortizoni ndjenjat e familjeve, por për ne që kemi luftuar dimë se lufta nuk mund të jetë një aventurë; nuk dua të kuptojë dikush se po e shpërblejmë aventurën luftarake. Imagjinoni: kjo i bie që duhet të vendosim linjë buxhetore për të përkrahur çdo qytetar që ta ndezë nga një luftë.
4.
Kryeministri shkroi një editorial, ku shpjegoi qëndrimet e tij.
“Jam kritikuar nga bashkëpartiakët e mi dhe nga partnerët e koalicionit për zvogëlimin kaq drastik të ministrive dhe zëvendësministrave. U kritikova gjithashtu nga ambalazhuesit e ujit, madje me akuzë të drejtpërdrejtë se po e favorizoj ujin nga importi, bile atë nga Serbia. Dhe, në fund, u akuzova se po e mbroj qëndrimin diskriminues të Maqedonisë, me pretekst rastin Kumanova.
Të gjitha këto akuza më bëhen ende pa u bërë 100 ditë të qeverisjes, e në horizont shihen akuza të reja; gjithnjë do të ketë në tavolinën time një dosje që do refuzuar.
Të jeni të sigurt që do ta refuzoj, sepse, siç ua kam shpjeguar bashkëpunëtorëve të mi, unë jam në këtë post duke udhëhequr me një parim, atë të interesit publik. Ta mbushësh Qeverinë me 21 ministra, 60 zëvendësministra, këshilltarë e shoferë, vetura e zyra, nuk është ta mbrosh interesin publik, por ta mbrosh interesin e atyre njerëzve, gjegjësisht të strukturave të tyre partiake. Të falësh 58 milionë borxh të prodhuesve të ujit nuk është të mbrosh interes publik, por është mbrojtje e interesit të atyre pronarëve të bizneseve. Të paguash për një aventurë luftarake nuk është mbrojtje e interesit publik, është krejtësisht e kundërta: interesi i këtij vendi nuk është as të provokojë e as të fillojë luftëra brenda a jashtë shtetit, interesi publik është paqja dhe një vend që ka derdhur gjak në luftë si ky yni di se çfarë vlere të madhe ka ajo.
Unë jam në këtë post përkohësisht. Mund ta përfundoj mandatin tim katërvjeçar me nder, nëse më besohet se po e bëj të duhurën, mbrojtjen e interesit publik. Kuptoj, po ashtu, se mandati im mund të përfundojë me 100 ditë, se kaq kisha mbështetje politike. Çfarëdo që të jenë ditët e mia si Kryeministër, qoftë pra edhe 100, dua të mbahem mend si njeriu që qe aty për të mbrojtur interesin e të gjithëve dhe se këtë e vura para çdo interesi tjetër. Dua që, nëse janë 100 ditë, çdokush të kuptojë se këto qenë 100 ditët më të mira të qeverisjes ndonjëherë”./KohaDitore