Albspirit

Media/News/Publishing

Nikollaq Neranxi: Një sqarim i nevojshëm për miqtë!

 

Përshëndetje miq! Kam parë gjithë këto ditë një histeri dhe sulm personal ndaj meje në disa portale, për një foto ku unë kam qenë i ftuar në një konferencë që organizojnë çdo vit himariotët e Amerikës në New York. Në podiumin ku isha ulur edhe unë, paska qenë edhe flamuri i Vorio Epirit, lexova tek portalet.

Sulmet vijnë së pari nga ato media të cilat i shërbejnë pushtetit dhe fakti që më sulmojnë mua në vetë të parë edhe për gjëra absurde, është i justifikuar. Shoqata e Tregtarëve ku unë jam kryetar, një shoqatë shumë modeste, hodhi poshtë ligjin e supergjobave në Gjykatë Kushtetuese dhe një pjesë të ligjit të taksave vendore, pra bëri nul pagesën e taksave për dy muaj, janar-shkurt 2016. Nëse do kishim përkrahje nga shoqata të tjera apo edhe nga Dhoma e Tregtisë, e kapur nga pushteti, e cila u tërhoq në momentin e fundit, edhe ai ligj do hidhej poshtë i plotë dhe sot nuk do kishte me mijëra biznese të falimentura nga kjo barrë e papërballueshme taksash.

Nga ana tjetër unë kam qenë një nga njerëzit që kam denoncuar vazhdimisht grabitjen e pronave në bregdet nga mafia në pushtet, në media dhe kudo, duke akuzuar në vetë të parë Edi Ramën. Kam shkuar në çdo ambasadë në Tiranë duke i treguar fotot e Himarës së vjetër dhe ju kam bërë një pyetje: “Në vendin tuaj, do ta kishit shkatërruar një vend me histori të lavdishme dhe banesa shekullore apo do e kishit ruajtur”? Ne i ruajmë – më janë përgjigjur të gjithë. “Ndërsa kryeministri ynë do t’i shkatërrojë – iu thashë – prandaj duhet të na ndihmoni”!

Këto janë arsye të mjaftueshme që unë të luftohem nga këto media pasi jam armik i pushtetit dhe në fakt lufta e tyre, më bën nder mua. Disa portale të tjera, pa interesa të tilla, përdorin emrin tim në tituj bombastikë, me shpresën që unë t’i marr në telefon për të blerë heshtjen e tyre. Jam çuditur kur më kanë treguar se disa sipërmarrës (me siguri të shantazhueshëm), e bëjnë këtë. Por me mua e kanë të kotë. Unë ndërtoj vetëm marrëdhënie korrekte biznesi me mediat. Vendos logot e mia tek mediat që mendoj që janë serioze ose mund të ndihmoj ndonjë mik gazetar. Të tjerët le t’i bien legenit se s’më bëhet vonë fare!

Për t’u kthyer tek takimi i Amerikës, unë isha si i ftuar atje, jo organizator. Tema ishte ekonomike, jo politike. Po flisnim si të organizoheshim më mirë për të mbrojtur pronat tona nga grabitja e mafiozeve. Unë nuk e kam idenë se çfarë përfaqësojnë ata flamurë që kisha nga pas dhe nuk kam pse ta di. Kur organizoj vetë evente, festa, protesta, mitingje, di çfarë flamurësh dhe parrullash përdor dhe ju i keni parë vetë.

Meqë këto media që fola më lart, lidhin gjithmonë emrin tim me ndonjë flamur, iu kujtoj se unë jam një individ i lirë, nuk jam i zgjedhur apo pjesë e ndonjë partie apo organizate politike e megjithatë unë personalisht nuk kam bërë kurrë ndonjë skenë provokuese me flamuj apo simbole, nuk kam arsye pse ta bëj. Nëse banorët e Himarës zgjedhin të mbajnë simbole apo flamuj të ndryshëm, kjo nuk është puna ime, ata janë njerëz të lirë. Unë përgjigjem për veprimet e mia.

Përsa i përket politikës, nëse shihni sot në krahun e banorëve të Himarës politikanë, ata i kemi thirrur ne për të na ndihmuar, pra ata janë në shërbim të banorëve, jo ne banorët në shërbimin e tyre. Kemi mirëpritur çdo lloj force politike që na premtonte mbështetje në çështjen e pronave.

Unë personalisht nuk kam ambicie për asnjë post politik, sapo të mbarojë problemi i pronave, do ti kthehem jetës time të përditshme. Falë Zotit jam i përmbushur dhe i kënaqur me gjërat që kam. Më kërkuan ndihmë bashkëqytetarët e mij dhe unë kam qenë gjithë këto kohë në shërbim të tyre, sepse shtëpia ime nuk prishej nga plani urbanistik, por e ndjeja të jepja kontributin tim si një banor autokton, për Himarën tonë dhe si njeri që kam disa aksese më shumë se një himariot i thjeshtë. Natyrisht kam marrë shumë kosto nga kjo punë, por s’ka problem, unë jam njeri i detit, i përballoj furtunat. Rëndësi ka që jam i bindur se kam luftuar për kauza të drejta.

Ky sqarim ishte për miqtë e mij!

Të tjerët nuk më interesojnë.

Ju uroj çdo të mirë! Nikollaq Neranxi

Please follow and like us: