Albspirit

Media/News/Publishing

Përkthehet dosja Habilaj me 1800 faqe material

Pas tre javësh punë intensive me 12 përkthyes, Ministria e Drejtësisë ka dorëzuar në Prokurorinë e Përgjithshme të gjithë dosjen “Habilaj” me 1800 faqe material. Deri më tani në duart e prokurorisë ishin 410 faqe ekstrat të dosjes hetimore, ku në tre raste nga Moisi Habilaj dhe anëtarët e tjerë të grupit përmendet edhe ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, duke u dyshuar se është pjesë e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike.  Burimet nga Ministria e Drejtësisë shprehen se janë përkthyer të gjithë materialet e sjella nga Prokuroria e Katanias dhe bëhet fjalë për shumë transkriptime të përgjimeve ambientale dhe telefonike. Përsa i përket çështjes kryesore, asaj të përmendjes së Tahirit, të dhënat hetimore shtesë janë më të plota sesa ekstrakti i bisedave të bëra publike për përmendjen e Saimir Tahirit. Prokurorët e çështjes pritet që pas shqyrtimit në themel të dosjes “Habilaj-Tahiri”, të dalin në konkluzionet përfundimtare. Nga ana e prokurorëve mësohet se do të ndiqet rruga e lidhjeve të çështjeve konkrete në kohën kur Habilaj vepronte në Itali në trafikun e drogës dhe situatës po në atë kohë që zhvillohej në Vlorë, kryesisht në kultivimin e kanabisit nga Habilajt në luginën e Lumit të Vlorës. Për ish-ministrin Saimir Tahiri janë ngritur akuzat e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe kurrupsion pasiv të zyrtarëve të lartë publik.

Please follow and like us: