Albspirit

Media/News/Publishing

Blerja e heshtjes së Visho Ajazit? Bravo “tregtari” Km!

Km-ja jonë, është tashmë një tregtar i mirë shpirtrash të lodhur. Njerëz pa kuptim dhe pa ndonjë profil, shumë komodë deri dje, për shijet e Berishës, ndaj burrave të urtë, kokëulur dhe gojëkyçur, që herët a vonë shohin thjesht “prapanicën e tyre” në muzg të viteve dhe në mungesë të shpresës së pushtetit të ardhshëm.

Emërimi i ish -drejtorit të SHISH, si ambasador i Republikës së Shqipërisë, në Nato, është padyshim një marrëveshje dypalëshe, e këtij të fundit me Ramën, është gjithashtu një favor i mirëfilltë, që Vishua i ka bërë, përmes premtimit të të supozuar, të gojëmbylljes institucionale, në lidhje me hashashizimin e bujshëm shqiptar.
Tani Vishua është ambasadori i Ramës, në selinë e Nato-s në Bruksel, një post për të dalë jashtë përgjegjësive delikate që kishte dhe që ka njëkohësisht, ngjyrën e një shpërblimi, nga ana e kryeqeveritarit të Tiranës.
Është ky një rast për të thënë një “Bravo!” për aftësitë që Rama ka si tregtar shpirtrash, që presin në rradhë pranë zyrës së tij, në bursën e këmbimeve, pamvarsisht origjinës së tyre politike apo partiake.
Dekadenca e politikës ka rënë në skajin e vet më të poshtëm dhe më të pashpresë dhe shënon një dështim të përzgjedhjeve që ka bërë Doktori vite më parë, te ca njerëz që janë tepër të brishtë për kompetenca kaq të larta dhe strategjike shtetërore.
Nuk të mbetet tjetër, që Rama të bëjë realitet, kërcënimin që bëri këtë të Enjte në Kuvend.
Kur tha se: “Edhe Partia Demokratike duhet marrë me konçesion që të ringrihet në diçka të rëndësishme…”.
Ndoshta Km-ja, po mendon dhe po studion skemën, për një kompani konçesionare, që mund të marrë përsipër partinë më të madhe të Opozitës, prandaj dhe përmendi sipërmarrësit më të mëdhenj shqiptarë: Samir Manen, Çet Kastratin, Ramë Gecin dhe Ulajn…
Duke pyetur drejtëpërdrejtë Lulëzim Bashën se çfarë mendon për ta. Pyetje të cilës, lideri i PD, iu përgjegj me një : Heshtje të detyruar…
Ndërkohë që ca të tjerë, si dikur në kohën e komunizmit dhe të absolutizmit të Enver Hoxhës, dëgjonin Radio Londrën apo Zërin e Amerikës, në pritje të zbarkimit të anglo-amerikanëve, për shporrjen e diktaturës komuniste…
Dhe anglo-amerikanët nuk zbarkuan asnjëherë në 45 vite pritjeje të pashpresë…
Historia përsëritet.
Me një ndryshim në formë: Herën e parë vjen si tragjedi dhe herën tjetër, kur përsëritet, vjen si komedi…
Sepse koha që jetojmë nuk është një diktaturë, por thjesht një Republikë Tregtare shpirtrash hipokritë./360grade.al/

Please follow and like us: