E turpshme! Tinka Kurtit i kërkuan 3 mijë lekë për të hyrë në Teatrin Kombëtar
Bledi Mane
Ka rreth dy vjet qyshkur e poshtëruan dhe ende nuk i kanë kërkuar falje publike.
Legjenda e skenës dhe kinematografisë shqiptare, aktorja dhe gruaja fisnike Tinka Kurti, një mbrëmje prilli të vitit 2015, la banesën e saj afër rrugës së Elbasanit e u nis me këmbe të shikonte shfaqjen e dramës “3 motrat” të Çehovit.
Mes shumë spektatorëve, aktorja e famshme teksa futej në sallë, ndalohet nga punonjësit e Teatrit.
-Me urdhër të drejtorit Hervin Çuli, askush nuk lejohet të futet pa biletë. Duhet të paguash 3 mijë lekë të shohësh dramën!
Këto fjale i thanë punonjësit e Teatrit, ikonës së Teatrit shqiptar. I kërkonin 3 mijë lekë Tinka Kurtit, gruas që na ka falur mijëra gëzime, miliona emocione, miliarda krenari.
Dhe Tinka Kurti pagoi 3 mijë lekëshin, mori biletën, e flaku në tokë dhe u nis pa parë shfaqjen ashtu e drobitur nga turpi e nga mosha, drejt shtëpisë së saj.
Artistja e Popullit qysh atëherë nuk shkel më as si aktore e as si spektatore në Teatrin Kombëtar. Shkon vetëm në Teatrin Eksperimental ku drejtori dhe regjisori Kiço Londo e respekton në çdo premierë apo shfaqje.
As Teatri Kombëtar dhe as Ministria e Kulturës nuk i kanë kërkuar falje publike, por presin që të vdesë Tinka Kurti dhe t’ia shtrijnë trupin në hollin e Teatrit. Të vdekur natyrisht se të gjalle nuk kanë shans!