Albspirit

Media/News/Publishing

Historia e vërtetë e luftës ndaj drogës dhe krimit në Shqipëri

Edi RAMA

Unë jam i vetëdijshëm se, nëse përmend Shqipërinë, disa njerëzve u shkon menjëherë mendja te droga dhe krimi. Jam po ashtu i ndërgjegjshëm se fshirja e një imazhi të tillë, që është thellësisht i padrejtë për një vend me një popullsi kryesisht paqësore e që respekton ligjin, kërkon kohë e, mbi të gjitha, veprim.

 

Javën e kaluar mësuam që aksioni ynë po korr fryte. I detyrohemi policisë financiare italiane, Guardia di Finanza dhe mbikëqyrjes së  sofistikuar që kryen ajo nga ajri për të zbuluar parcelat me kanabis për forcat policore shqiptare. Statistikat nuk lënë vend për dyshim. Një vit më parë, në fluturimet e tyre ata identifikuan 2 086 sipërfaqe të mbjella anembanë Shqipërisë. Këtë vit, edhe pas fluturimeve të zgjatura e monitorimit të shtuar, numri i tyre ishte vetëm 88. Tashmë, të gjitha ato janë shkatërruar nga policia jonë. Ky është përparim real. I etiketuar për vite si kryeqyteti evropian i kanabisit, Shqipërisë iu mbush kupa dhe ne nisëm të reagojmë.

Për një çerek shekulli, kanabisi ka shkatërruar jetët e shqiptarëve, ka korruptuar zyrtarët vendas e ka helmuar politikën kombëtare, ndërkohë që ka pasuruar banditët. Vitin e kaluar në këtë kohë, media ndërkombëtare gëlonte nga tituj për sipërfaqet rekord të mbjella me kanabis në Shqipëri. Ndoshta ngaqë gazetarët tërhiqen nga gjysma bosh e gotës, më shumë sesa nga ajo plot, historia e vërtetë nuk ia doli  kurrë të shihte dritën e botimit. Historia e vërtetë ishte se, më në fund, sipërfaqe rekord të mbjella me kanabis po identifikoheshin dhe po shkatërroheshin.

Ky nuk është aspak fundi i historisë. Ata që u pasuruar falë kultivimit të drogës duhet të paguajnë për krimet e tyre. Ne kemi nisur fazën e dytë të operacionit të posaçëm kundër tyre e pasurive të tyre. Po pastrojmë sistemin gjyqësor duke verifikuar si duhet figurën e gjyqtarëve, të cilët, për shumë gjatë, janë drejtuar nga kriminelët dhe paratë e tyre. Megjithatë, këta kriminelë nuk veprojnë vetëm në Shqipëri. Ata janë të lidhur e të ndërlidhur me krimin e organizuar në vendet e konsumit të kanabisit dhe qeveritë e këtyre vendeve duhet po ashtu të mbajnë pjesë të përgjegjësisë për t’i çuar ata përpara drejtësisë. Ne në Shqipëri kemi bërë gjithë ç’kemi mundur për të çrrënjosur një burim të konsiderueshëm të një problemi mbarevropian, por vendet e konsumit duhet të hetojnë me të gjitha energjitë kriminelët dhe të ngrijnë të ardhurat që vijnë nga krimet e tyre. Në javët e muajt në vijim, ne do të ndajmë ato që dimë dhe provat që kemi kundër tyre me forcat policore e rregullatorët financiarë në të gjithë Evropën. Ata janë njerëz të rrezikshëm. Qeveria ime i konsideron si kërcënim ndaj sigurisë kombëtare. Të njëjtën gjë duhet të bëjnë edhe qeveritë tuaja. Ndoshta, shumë prej tyre jetojnë diku gjetkë në Evropë, duke pretenduar se janë tregtarë të ligjshëm, por mos u gaboni, ata janë kriminelë bizneset ndërkombëtare të të cilëve skllavërojnë njerëz e bëjnë kërdinë kudo.

Ata nuk do e mendojnë dy herë të përdorin pasurinë për të blerë influencë. Do të marrin studio ligjore e kontabiliteti në dukje të respektuara dhe agjenci lobimi. Përmes këtyre ndërmjetësve do të gjejnë mënyra që t’i kthejnë këto akuza në favor të vetes, duke u paraqitur si viktima të pafajshme të sulmeve që vijnë nga rivalët në biznes apo, edhe më keq, nga kundërshtarët politikë – konkretisht, nga unë dhe qeveria ime. E kemi parë tashmë të ndodhë. Reforma e sistemit tonë të drejtësisë dhe rivlerësimi i gjyqtarëve e prokurorëve për korrupsion e paaftësi – kushte kryesore të vendosura nga Bashkimi Evropian përpara sesa të hyjmë në negociatat formale për anëtarësim –  gati devijoi në fillim të këtij viti. Interesa vetjake kundër reformës sollën trazira në rrugë dhe, herë-herë, dukeshin të vendosura ta vinin në rrezik demokracinë tonë të re. Vlen të kujtojmë se për 20 vjet baronët e drogës qenë në gjendje ta mbanin zonën rreth fshatit shqiptar të Lazaratit si strehë të sigurt të prodhimit dhe përpunimit të kanabisit, një zonë ndalim-kalimi për policinë dhe autoritetet e tjera qeveritare. Kaq i madh ishte pushteti i tregtisë së drogës, saqë një paraardhës i imi kryeministër e pranoi se mosndërhyrja në zonë ishte një “vendim i palëkundur politik” i tij. Qeveria ime e përmbysi këtë politikë në vitin 2014 dhe një operacion madhor policor e mbylli Lazaratin. Policia shkatërroi një “produkt” që përbënte afro një të katërtën e kanabisit të konfiskuar e shkatërruar në mbarë Shqipërinë gjatë atij viti. Ky ishte fillimi i luftës sonë kundër banditëve.

Tashmë, na duhet të ndërmarrim një tjetër hap të rëndësishëm. Të premten u dërgova një letër udhëheqësve të 28 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian duke kërkuar mbështetjen e tyre në betejën tonë me zotërit e drogës. “Ne e dimë që disa jetojnë e lulëzojnë edhe në vendin tuaj duke përfituar nga drogat e paligjshme, prostitucioni, trafikimi i qenieve njerëzore dhe veprimtari të tjera joligjore”, shkruhet në letrën time. “Ne kërkojmë  ndihmën tuaj e, në këmbim, ofrojmë tonën, për t’i kapur këta njerëz dhe për t’i çuar përpara drejtësisë”. Unë shpresoj që të gjithë qytetarët e vendeve të BE-së do t’u bëjnë thirrje qeverive të tyre për të qëndruar krah nesh. Kjo është një betejë e të gjithëve e duhet fituar.

*Edi Rama opinion për  “Finantial Times”

Please follow and like us: