Ina Kosturi: “TASO“, ekspozitë nga Gazmend Leka
Skena e Universitetit të Arteve dhe Galeria ‘FAB’ janë shndërruar tashmë në dy oazet kryesore ku arti e gjithë format e tij gjejnë pasqyrimin në kryeqytet. Në mjediset e kësaj galerie shpaloset së fundmi ekspozita e piktorit të njohur Gazmend Leka, titulluar “Taso”. Si vizitore ndalesh në tablotë e dimensioneve të ndryshme, mes portreteve e peizazheve, si pjesë e një rrëfimi të personazheve dhe natyrës, dy piktorëve, njëri Anastas Kostandini, miku pogradecar dhe vetë krijuesi, autori i ekspozitës. Pogradeci me bukuritë, natyra dhe studio si vendet e shenjta të krijmtarisë së artistëve i bashkëngjiten portreteve.
Ndalesh tek shkrimet shoqëruese, pjesë elitare e ekspozitave të Gazmend Lekës, ndërsa si artiste kur largohesh nga ekspozita, përtej kënaqësisë së një pikture të realizuar mjaft bukur, ndjen nevojën për të shkruar, për t’i ndarë më gjerë ndjesitë. Kur ky pasion i të shkruarit bëhet më i fuqishëm se vetëpërmbajtja, justifikimi i brendshëm, stepja se nuk je specialiste e fushës, se shkrimi i takon kritikëve të arteve pamore, kupton vlerën e vërtetë të një krijmtarie e cila tejkalon një formë të caktuar të shprehjes në art dhe bëhet universale, e kuptueshme.
Ekspozitat e Gazmend Lekës janë të gjitha të veçanta për stilin, me shfaqjen e krijuesit artist, filozof, mendimtar, modern me një pikturë që vjen shpesh e kuruar, e mbështjellë bashkë me profesionalizmin dhe me letësi, shkrime, krijmtari ku artet ndërthuren njëri me tjetrin, ku letërsia, fjala i bashkohen ngjyrës. Pa ndalur në atë që njohësit e arteve figurative do cilësonin për krijmtarinë, faktin se personazhi “Taso” është piktori pogradecar Anastas Kostandini, se në qendër të ekspozitës është një piktor dhe bashkë me të dhe qyteti i Mios, Pogradeci i njohur për peizazhet, ekspozita të tërheq dhe për diçka tjetër. Pikturës, krahas letërsisë duket se i bashkëngjitet këtë herë dhe muzika, më saktë elementët themelorë të artit muzikor, specifikat e tij. Nuk është ai krahasimi që vazhdimisht mund të bësh për një vepër të arteve figurative, se në tablo ndjehet muzikë. Nuk është krahasim i thjeshtë sesa shprehje e unifikimit të arteve, i elementëve estetike.
Dihet se muzika dhe tingulli kanë specifikat e tyre, duke dhënë ngjyrime të gjendjes emocionale specifikuar për elementin e çastit kur tingujt interpretohen. Pjesët muzikore interpretohen në kohë të caktuar, e në kohë të caktuar marrin vlerë. Në një tjetër çast interpretimi merr të tjera ngjyra. Mjetet shprehëse muzikore, raportet midis tingujve, përdorimi i formave specifike të interpretimit i japin veprës muzikore tipare të reja, të ndryshme. Këtë ndjesi të krijon dhe ekspozita me portretet e piktorit pogradecar, portrete që i bashkëngjiten natyrës, që janë të ngjashme dhe të ndryshme me specifikat e një forme tjetër të shprehjes siç është piktura në këtë rast, kaq të ngjashme me artin muzikor, që të njëjtën vepër e shpalos në dimensione, gjendje emocionale të ndryshme.
Piktori e shoqëron ekspozitën, veprat, me shpjegime letrare, duket se gjithnjë përcjell mesazhe, ndjesi, ide, përtej portreteve, ekspozitës ka gjithnjë diçka të pathënë, një kritikë të heshtur që vjen mes shpjegimeve, ngjyrës, tablove të dimensioneve të mëdha. Midis tonaliteteve muzikorë që i ndajmë shpesh në maggior dhe minor, i pari i cilësuar si më i gëzuar dhe i dyti paksa melankolik duket se shëtit dhe personazhi piktor, sjellë në kontrastin nga njëra tablo tek tjetra që në krahasimet herë maggiore e herë minore japin një kuadër të përgjithshëm të jetës, të përjetimeve, pasioneve, dilemave të krijmtarisë së përsonazhit në një mjedis që vjen po i tillë me peizazhe të ndryshme të gjendjeve të caktuara të natyrës.
Personazhi “Taso” nuk gjendet i vetëm në ekspozitë, ai shoqërohet nga vetë krijuesi i ekspozitës dhe vendosja e tablove të mëdha të dy piktorëve e pasuron mesazhin e gjithë ekspozitës. Detajet në portretin e vetë krijuesit, një vepër e stilit të Gazmend Lekës që dallon për thellësinë e grisë, të zezës, duket se japin një mesazh të madh dashurie dhe optimizmi. Përtej arritjes artistike për nivelin e krijmtarisë, faktin se vizitori mbetet mbërthyer në tablo, tablo sa reale dhe estravagante për ngjyrat, gjallërinë, dinamizmin, tablove të personazheve që shprehur thjesht janë aq të gjallë sa të përcjellin pas ekspozitës, realë dhe me forcë të madhe komunikuese, duket se mesazhet kalojnë më tej.
Përtej realizmit të një duoje bashkëpunimi, nëse mund ta quanim kështu,lidhjes midis tablove në ekspozitë, mesazhi përtej tyre duket se i referohet artit në Shqipëri, në hapësirën, kujdesin që duhet të ekzistojë përtej Tiranës, në artistët e liqenit, e natyrës, si një mesazh se arti është dhe përtej Tiranës, aty ku natyra frymëzon krijmtarinë. Shumë profesionalizëm, gjetje në detaje e deri shumë dashuri dhe mirësi që ekspozita transmeton, krahasime letrare e muzikore që vinë me profesionalizmin, fantazinë dhe mendimin estetik dhe filozofik të Gazmend Lekës.
Ekspozita thyen tabutë e formateve të tilla në portrete dhe peizazhe, i vendos në kohë, në lëvizje, i konturon në kohën e sotme, në aktualitetin shqiptar, si mesazhe paqeje, dashurie dhe padyshim si shprehje suksesi në artet pamore.