Tiranë – Prishtinë – Tetovë, një revolucion shqiptar
Alfred Peza
Kur ambasadori i SHBA në Kosovë Greg Delawie tha se “zgjedhjet rutinë me parregullsi të vogla, janë një shenjë e madhe e zhvillimit demokratik të Kosovës”, kutitë e votimeve për balotazhin e lokaleve, sapo ishin mbyllur. Në 19 komuna anembanë vendit, 38 kandidatët dhe partitë që i mbeshtesnin, mësuan rezultatin shumë përpara mesnatës. Shenjë e dukshme se shqiptarët po ecin me hapa të sigurtë, drejt konsolidimit të shtetit të tyre të dytë në Ballkan. Deklarata e Ambasadorit të SHBA se “mezi presim të punojmë me zyrtarët e zgjedhur për të bërë progres në Kosovë”, është një sinjal që i vë vulën standardit të kësaj dite votash.
Në gjithë këtë histori, përtej gardheve, interesave personave dhe tifozerive politike në Kosovë, nuk ka asnjë rëndësi se sa komuna fituan kandidatët e njerës apo tjetrës parti politike. As se cila prej tyre thotë se i ka fituar zgjedhjet dhe cili lider e zmadhon ose jo fitoren, apo e nxin ose jo humbjen. Fituesi më i madh i kësaj dite, është qytetari i thjeshtë i Kosovës. Eshtë demokracia. Janë standarded zgjedhore. Shtetformimi modern. Hap ky drejt një prespektive shumë më të mirë e të sigurtë Kosovës, në proceset e integrimit Europian, njohjeve të reja e pranimit në OKB.
Sfidat e Kryministrit Ramush Haradinaj janë të shumta, por e sigurtë është se pas kësaj të diele të votimeve lokale, edhe qeverisja qëndrore është pak më e fortë, edhe shteti është pak më i fortë, edhe institucionet janë pak më të sigurta, edhe sitemi në tërësi dhe shoqëria kosovare, është më pranë projektit strategjik të shqiptarëve për të qenë pjesë e familjes euroatlantike. E për rrjedhojë, edhe Beogradi është pak më i barabartë sot me Prishtinën dhe shumë procese gjeapolitike, përfshi influencën ruse në rajon, bëhen më pak interferuese.
Pak përpara Kosovës, zgjedhjet lokale u mbajtën edhe në Maqedoni, ku gjithashtu kishte balotazh. Një proces ky që i dha shkelmin e fundit edhe Gruevskit dhe trashëgimisë së tij, duke i krijuar një prespektivë të qartë forcave pro perendimore atje. Liderët politikë dhe vetë zgjedhësit shqiptarë në Maqedoni, u rreshtuan në anën e duhur të historisë. Zgjedhjet lokale të pak ditëve më parë, thjeshtë e noterizuan këtë qëndrim.
Edhe Shqipëria mori një lajm të mirë këtë javë, pasi Këshilli i Stabilizim Asociimit dha rekomandimin për hapjen e negociatave të pranimit në BE. Në pritje të një date fikse, Tirana pasi kaloi me sukses provën e zgjedhjeve të 25 qershorit, po punon për sfidën e rritjes ekonomike, luftës kundër krimit të organizuar, vettingun dhe implementimin e reformës në drejtësi.
Kurrë më parë në historinë e sotme moderne, shqiptarët nuk kanë qenë në këtë stad e në këtë standard të zhvillimeve të veta demokratike. Sigurisht që rolin e lokomotivës në gjithë këtë historia e ka luajtur dhe po e luan Tirana. Vagonët e tjerë të trenit shqiptar në rajon, si Prishtina e Tetova nuk po bëjnë më kondrapedalin. Edhe ndër shqiptarët e Malit të Zi, ka lajme pozitive, ndërkohë që proceset në Luginën e Preshevës, kanë një qasje tjetër, pak më specifike.
E gjithë kjo panoramë, tregon se në trekëndëshin e madh Tiranë- Prishtinë- Tetovë, pas vitesh evolucioni dhe hopesh graduale, jemi në prag të një “revolucioni shqiptar” përsa i përket proceseve të brendshme demokratike. Shenjë e sigurtë, se jemi duke ecur në drejtimin e duhur.