“Xing me Ermalin”, “Thumb me Fatmën” apo emisionet e kotësive…
Para dy ditësh është ndarë nga jeta kompozitori i njohur Aleksandër Lalo, që ka bërë emër si artist, por që vdiq në mjerim të plotë sepse paratë sot nuk i fiton një mjeshtër në kompozicion, as një instrumentues i spikatur, as një personalitet tjetër i artit, por ato shkojnë lumë te kalimtarë episodikë që kanë mundësi në mediat vizive e sociale dhe që janë gjahtarë të paskrupuj të milionave të gjithfarllojshme.
Pak a shumë në mjerim është ndarë nga kjo jetë një aktor brilant jo vetëm i Korçës si Aleko Prodani apo janë në të njëjtat kushte mbijetese Zef Deda e Sejfulla Myftari sepse paratë e tyre i marrin sot matrapazët e spektakleve që ftojnë manekinë arti, nga ato për të cilët thjesht duhesh të kesh mëshirë pasi nuk përfaqësojnë asgjë. Këtij mozaiku të shëmtuar i mungon vetëm përfshirja e shefit të emergjencave të jashtëzakonshme, parashikuesit të motit Gërgullues, mbarëkombëtarëve të shkollës marksiste-leniniste dhe largpamësit Ngjeqar të arterieve rrugore…
Përpos dy emisoneve të mësipërme në një televizionin kombëtar, një format tepër i dështuar është ai që bëhet nga regjisorja Vera Grabocka “Dance with me albania 2017”, ku më shumë personazhe ikin se sa qëndrojnë në spektakël e megjithatë reklamuesit më të mëdhenj janë bash te ky spektakël që në fund të fundit është një emocion mbrëmësor, i çastit dhe asgjë më tepër.
Shumë kohë më parë, jo thjesht si zëvedëskryeredaktor por me shije modeste për kulturën që mund të na përfaqësojë denjësisht në rajon edhe më gjerë, kam bërë një vëzhgim në gazetën “Shekulli” të Koço Kokëdhimës për një spektakël të Grabockës të titulluar “Dua më shumë Shqipërinë”, (shkrimi im “S’dua më shumë Shqipërinë”) i cili evidentonte disa nga personalitetete më të mëdha të kulturës shqiptare të njohur edhe botërisht si Ismail Kadare apo Inva Mula, të cilët më shumë se prania në një mbrëmje te Pallati i Kongreseve do të kishin nevojë për përkthime më cilësore në rastin e të parit dhe më shumë mbështejte financiare në salla skenike europiane në rastin e të dytës.
Megjithatë shfaqja e mësipërme është deri diku e justifikueshme sepse në fund të fundit dalin në pah disa vlera që koha i ka vënë në vend, por një sërë programesh bajate që kanë vërshuar më keq se përmbytjet vrasëse në televizionet tona kombëtare dhe lokale, nëse nuk ndalohen, do të na kthejnë shumë shpejt në një popullsi pa ngjyrë, vulgarë deri në dëshpërim dhe njerëz pa identitet.
Natyrisht të gjitha këto nuk mund të ndodhnin nëse Autoriteti i Mediave Audiovizive nuk do të ishte thjesht një institucion që paguhet nga buxheti i shtetit, që herë e drejton e djathta dhe herë e majta, por që nuk është në funksionin e saj kryesor: të ndalojë rreptësisht emisionet limonadë dhe të vëjë penalitete të rënda që tmerrojnë opinionin publik.
Televizion kombëtar publik ose jo publik, media e varur apo e pavarur, në çdo rast ke një mision publik, ndaj të cilit duhet të besosh dhe ta respektosh si diçka të shenjtë.