Alfred Peza: Operacioni kombëtar, si një test qytetërimi!
Në kohën që ishte Ambasador i Shqipërisë në Francë, gjatë një takimi me mikun tim Ylljet Aliçka në Tiranë, e pyeta se kë konsideronte si problemin më të madh që ka imazhi i Shqipërisë për sytë e perendimorëve? Nuk u mendua fare dhe ma ktheu: Plehrat! I sheh të hedhura gjithandej. Syri ti sheh kudo edhe atje ku nuk ta pret mendja. E çështë më e keqja, ka një gati kulturë bashkëjetese, duke mos i bërë përshtypje askujt. Shenjë e sigurtë se ndryshimi nuk do jetë i shpejtë.
Ka qenë ky thelbi i bisedës me këtë temë mes nesh e që mu kujtua, ndërsa ndiqja live një aktivitet të Kryeministrit Rama dhe ministrit Klosi në atë që konsiderohet si “operacion kombëtar kundër plehrave” nën moton: “Pastrojmë Shqipërinë që duam!”. Pas kësaj e ndoqa Klosin që po e promovonte këtë nismë në një banak televiziv pasdite, duke folur gjithë pasion. Me siguri do shohim shumë dalje të tjera live dhe kronika televizive e lajme gjithfarësh me këtë temë, në ditët, javët e muajt në vijim. Mu kujtuan ndërkohë edhe shumë aksione të tjera kombëtare ose jo, që janë ndërmarrë nga kjo mazhorancë, në këto mbi katër vite në qeverisje, pas 2013.
Kjo nismë vetëvetiu të bën që të të kujtohen aksionet kundër “Republikës së Lazaratit” që çoi në rënien e bastionit të cannabisit; aksionin “fundi i marrëzisë” kundër lojrave të fatit. E më pas aksioni kundër informalitetit dhe mospagesës së faturave të energjisë elektrike. E për të vijuar me aksionet kundër pirjes së duhanit nëpër bare e restorane; për kasat fiskale dhe marjen nga qytetarët të kuponit tatimor; aksionin për mbajtjen e rripit të sigurimit në makinë, e deri tek aksioni kombëtar i ujit që duket sikur do të zhvillohet paralelisht edhe me aksionin e sapo nisur kundër plehrave.
Në facebook-un e tij zyrtar, Kryeministri Edi Rama shkruan se aksioni i ri kërkon “përfshirje të qytetarëve për tu ndarë nga pirgjet e kudondodhura, për mirëmbajtjen e mjedisit.” Duke paralajmëruar “penalizim dhe ndërgjegjësim për ndotësit”. E gjitha kjo, në një vend ku 35 nga 61 bashkitë nuk kanë vendgrumbullimi për plehërat, ku numërohen 1 000 leje mjedisore për guroret nga jugu në veri e nga lindja në perëndim, kudo që të ha syri kodra e male dhe ku janë identifikuar sëfundi 9 100 pika grumbullimi inertesh. Bukur shumë.
Duket një nismë serioze dhe me objektiva për rezultate me impakt për vendin, shumë më të mëdha sesa mund të duken, nga një vështrim i përciptë. Nga ana tjetër, nuk është hera e parë që thuhet politikisht, publikisht dhe teorikisht, një nismë e tillë madje e artikuluar me synime edhe më ambicioze se kaq. Rikujtoj ish Kryeministrin Berisha, i cili shkoi edhe më larg se Edi Rama tani, kur premtoi jo vetëm mbylljen njëherë e përgjithmonë të gangrenës së guroreve, furrave të gëlqereve e fabrikave të çimentove, jo vetëm varrezave të makinave dhe shfrytëzimit për inerte të shtretërve të lumenjve, jo vetëm pastrimin e plazheve dhe qeseve plastike, por edhe shtrimin me qilima të gjelbërt bari të shpateve të dëmtuara nëpër kodra e male, përfshi edhe skarapatet ndanë rrugëve nacionale.
Duke mos dashur ta paragjykojmë, le të shpresojmë se operacioni kombëtar kundër plehrave, do të jetë një nismë jo luksi, jo fasade, jo zhurme dhe show për marrëdhëniet vijuese me publikun, por një nismë për kurimin e asaj për të cilin ka më shumë nevojë se për gjithçka tjetër ky vend për vete dhe në sy të gjithë botës: Imazhit. Një aksion kombëtar për ndryshimin cilësor të imazhit të vet të jashtëm viziv, si një nismë jo vetëm estetike por edhe civilizimi, emancipimi dhe qytetërimi.
E gjitha përkon në kohë edhe me një proces tjetër, atë marjes së datës për hapjen e negociatave të anëtarësimit, Shqipëri- BE. Por më pragmatiste se kjo, është përfitimi i prekshëm që pritet të kenë të gjithë operatorët turistikë anekënd Shqipërisë, për sezonin e ardhshëm turistik. E cila është jo vetëm një vlerë e shtuar për vendin por edhe një e ardhur e shtuar direkte për arkat dhe xhepat e pronarëve të bareve, restoranteve, turizmit familjar, hoteleve, resorteve, shërbimeve dhe industrinë e argëtimit në përgjithësi.
Më e rëndësishme akoma se të gjitha këto, është diçka krejt tjetër. Ajo lidhet me sfidën që në përfundim të këtij aksioni, t’ia kemi dalë që me infrastrukturën e duhur ligjore, strukturore, burimeve njerëzore, buxhetore, kulturore e edukuese, ta ngremë në sistem këtë punë, në mënyrë që ajo të na funksionojë përgjithmonë në vijimësi. Duke u shndërruar në një mënyrë jetese, në një mënyrë të funksionuari e vepruari, në kulturë individuale, kolektive e kombëtare, e tillë që do të na bëjë edhe në këtë drejtim “oksidentalë prej vërteti”. Përndryshe, e gjitha do të jetë një harxhim i kotë e ciklik energjish, sa për tu mbajtur mend, si edhe nisma e dikurshme e Berishës me “qilima (jo) fluturues”.