Ekspertiza e importit na mëson: “Rakia bëhet nga rrushi”…
Ylli Manjani
Para disa ditësh, kur Johanes Hahn takoi Presidentin e Republikës, ky i fundit “u ankua” se EURALIUS nuk i kishte dhënë dot një interpretim se si mund të dilet nga ky kaos post reformë, që ka kapluar shtetin.
Këtë qëndrim të Presidentit e kritikova në një reagim timin me titull “Besimi tek shteti nuk Importohet”.
Por, dje u emetua në media një mendim i shkruar i EURALIUS dhe OPDAT, që me pak fjalë na lexojnë një çerek fjalie të një neni tranzitor të ligjit për Prokurorinë.
Pa i hyrë përmbajtjes së atij arsyetimi (i ngjashëm me të studentëve të juridikut), më bëri përshtypje fakti që: Presidentit të Republikës nuk i qenkan përgjigjur, ndërsa interesit të Kryeministrit dhe grupit të tij, i janë përgjigjur menjëherë!
Dhe me ç’përgjigje! Me atë që Ai do të dëgjojë vetë dhe tja thotë dynjasë. Por meqë dynjaja nuk e beson më, mendimi i EURALIUS dhe OPDAT botohet, që të duket si “urdhër ndërkombëtar”!!! Palaçollëk i njohur ky!
Nëse i hyjmë thelbit të mendimit që kanë shkruar, padyshim të kujtohet vetëm shprehja “rakia bëhet nga rrushi”. Kjo shprehje përdorej gjerësisht për të përkufizuar nivelin bajat të ekspertizës së huaj që ka ardhur në Shqipëri prej vitesh!
Sidoqoftë, është e vërtetë që ajo çerek fjalie tek një nen tranzitor i ligjit të Prokurorisë thotë se Kuvendi cakton ( pra nuk zgjedh) një prokuror me përvojë që të drejtojë Prokurorinë, në kushtet kur KLP nuk është krijuar ende.
Por a mund të na thotë EURALIUS dhe OPDAT, cfarë ndodh me nene e paragrafë të tërë të Kushtetutës së vendit që nuk zbatohen qëllimisht, për të shkuar po qëllimisht tek ajo çerek fjalie?!!
Nuk po i bëj këtu pyetjen tjetër se me çfarë shumice e cakton “Prokurorin e përkohshëm” Kuvendi! Nuk po jua bëj se nuk i përgjigjen dot ashtu siç duhet interesit të “porositësit”…
E pra Kushtetuta kërkon që Prokurori i Përgjithshëm të zgjidhet me 3/5 e anëtarëve të Kuvendit. Madje po kjo Kushtetutë (e shkruar nga EURALIUS dhe OPDAT) thotë në nenet tranzitore të saj se “ Prokurori i parë i Përgjitshëm i pas miratimit të Kushtetutës zgjidhet me 2/3 e deputetëve”.
Ndërkohë ai “çerek-çuryk- neni” që preferojnë të lexojnë këta, nuk përmend shumicë. Tani cili ligj është më i rëndësishëm, Kushtetuta (e miratuar me Konsensus absolut)apo ligji i Prokurorisë (miratuar me zor të madh me 84 vota)?! As këtë nuk e thotë EURALIUS e as OPDAT!
Pra pesë me hiç!
Nuk po ngre këtu çështje të tjera, të cilat në fakt janë origjina dhe shkaku i kaosit më të madh shtetëror, që po përjetojmë.
As kur ndërroi rregjimi në vitet 90 nuk e kemi parë këtë kaos. Edhe atëherë bëmë vetting, kushtetutë e ligje të reja, por shteti vijoi të funksionojë.
Kurse sot shteti nuk ka as Gjykatë të Lartë, as Gjykatë Kushtetuese, as organe disiplinore për gjykatë e prokurori, për pak ditë as Prokuror të Përgjithshëm, pra asgjë! Ka vetëm një thertore që kërcënon gjykatës e prokurorë, që quhet Vetting dhe asgjë tjetër!
Dhe ky kaos ka ardhur me kontributin e shquar dhe të papërsëritshëm të EURALIUS dhe OPDAT.
Por e lëmë këtë temë se formalisht përgjegjës është Kuvendi i Shqipërisë, që e “paçim sa malet”!
P.S. Të gjithë ju që do nxiteni të më shkruani se “pse nuk i thashë këto gjëra kur isha ministër”, ju kujtoj se kam thënë publikisht në tekst:
“Shqipëria nuk është Republikë e Ekspertëve”!!!
E kam thënë publikisht nga detyra publike që kryeja. Nuk po ju them për qendrime konstante në takime zyrtare, për këto çështje!
Shëndet e të na rrojnë ekspertët se shteti është në drejtim të paditur!