Prof. Dr Mixhait Reçi: Thank You USA
Roli i SHBA-ve për Kosovën ka qenë dhe është i përhershëm, esencial dhe i pazëvendësueshëm.
Duke falënderuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ne falënderojmë edhe të gjitha shtetet demokratike që morën pjesë në çlirimin dhe shtetëndërtimin e Kosovës.
Ditët e falënderimit të Kosovës për SHBA-të organizohet ne kohën që qytetarët amerikanë festojnë Ditën e Falënderimit.
Derisa amerikanët festojnë Thanksgiving Day, duke falënderuar Zotin për të mirat dhe begatitë që i ka dhuruar, shqiptarët falënderojnë popullin dhe qeverinë amerikane për përkrahjen e dhënë në ditët më të vështira të ekzsitencës së tyre.
Kjo është dita që ne shqiptarët festojmë dhe urojmë në të njëjtën kohë bashkë me popullin amerikan.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë gjithmonë mbështetje e fuqishme për popullin tonë në momentet më të vështira të tij. Ne i respektojmë thellë vlerat e larta demokratike të SHBA-ve, andaj punojmë që të jemi pjesë e botës së lirë, si të gjithë popujt tjerë.
Gjatë historisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës i dolën në mbështetje popullit tonë edhe atëherë kur punohej e luftohej në shfarosjen fizike të tij.
Pa mbështetjen e fuqishme të SHBA-ve nuk do të ishim këtu ku jemi. Andaj respekti i rinisë dhe popullit tonë për SHBA-të është dhe do të jetë i përjetshëm.
Kontributi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës edhe për rindërtimin dhe zhvillimin e pasluftës ka qenë thelbësor në shërbim të stabilizimit të jetës në Kosovë.
Mbështetja e qeverisë amerikane ka qenë dhe është esenciale për tërë procesin e shtetëndërtimit të Republikës së Kosovës. Për çlirimin e Kosovës, për shtetin e së drejtës, për zhvillimin e sistemit arsimor, për ngritjen e administratës shtetërore, për zhvillimin e tërësishëm shoqëror e ekonomik, për njohjen e shtetit të Kosovës dhe për sigurinë e saj. Të gjitha këto janë tregues të dëshirës dhe vizionit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për shoqërinë kosovare.
Përkushtimi amerikan në Kosovë është dokumentuar nëpërmjet rezolutave të përgatitura qysh në pjesën e dytë të viteve tetëdhjetë të shekullit të kaluar. Kjo mbështetje u shtua në fund të atyre viteve, duke u bërë më e fuqishme dhe më ekzekutive në fillimin e viteve nëntëdhjetë. Realisht, ka qenë mbështetja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që e ka udhëhequr vizionin ndërkombëtar për Kosovën gjatë gjithë kohës.
Ishin administratat e presidentëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ato që dhanë alarmin e parë për gjendjen në Kosovë dhe për planet për spastrim etnik dhe gjenocid mbi popullin tim.
Ishte pikërisht populli amerikan që u solidarizua me fatin e popullatës sonë gjatë viteve 1998-99, duke përkrahur dhe mbështetur pa rezerva kërkesën e popullit të Kosovë për ndërhyrjen humanitare të ushtrisë amerikane në kuadër të NATO-s për të ndalur veprën mizore të diktaturës së fundit në Evropë.
Qeveria amerikane ka qenë e para që e ka pranuar ndërkombëtarisht opsionin e pavarësisë së Kosovës si zgjidhja e vetme e shëndoshë për paqe dhe stabilitet. Në këtë mënyrë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhënë të drejtë popullit të Kosovës në kërkesën e tij për pavarësi dhe sovranitet.
Mbi këtë bazë, Kolegji “ILIRIA” qe 12 vjet e realizon këtë eveniment me shumë aktivitete, si me ligjërata nga personalitete të njohura apo nga institucione të SHBA-ve në Kosovë, promovime librash, aktivitete artistike e aktivitete studentore në kolegj, pritje të qytetarëve miq të SHBA-ve etj.
Përmes këtyre aktiviteteve duket shumë natyrshëm që rinia kosovare me shumë zemër i falënderon Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Faleminderit Amerikë!
Po ju them vetëm disa fjali se si e kuptojmë dashurinë ndaj SHBA-ve:
Ta duash Amerikën dhe demokracinë amerikane do të thotë të jesh i guximshëm, të sfidosh veten në jetë dhe të japësh gjithçka nga vetja.
Ta duash Amerikën do të thotë ta duash Evropën dhe të insistosh që me vlerat tua kombëtare të jesh pjesë e saj.
Do të thotë të punosh dhe të jesh i suksesshëm, të ngrihesh edhe atëherë kur rrëzohesh, të jesh gjithmonë i përgjegjshëm për atë që bën.
Si udhehëqes i institucionit të arsimit të lartë, do të thotë që te të rinjtë, pos dhënies së dijes profesionale, duhet ngjallur edhe guximin për t’u përballur me sfidat e jetës, dëshirën për punë dhe për të respektuar të mirën.
Ta duash Amerikën është filozofi e të menduarit, është të kesh guxim intelektual, të shohesh zgjidhje edhe për sfidat me të mëdha që duken të patejkalueshme.
Të thuash të dua Amerikë do të thotë të mos ngurosh asnjëherë që guximshëm të shprehësh ndjenjat dhe qëndrimet.
Të respektosh historinë dhe të shohësh nga e ardhmja, të jesh i arsyeshëm ndaj vetëvetes dhe të tjerëve.
Ta duash Amerikën do të thotë të respektosh traditën shqiptare për të nderuar dhe respektuar mikun dhe atë që të ka dalë krah në ditë të vështira.
Të jesh i përgjegjshëm ndaj gjeneratave te reja, të kultivosh dashurinë dhe respektin te gjeneratat e reja për SHBA-të dhe vendet demokratike që e ndihmuan Kosovën në momentet më të vështira.
Ta duash Ameriken do të thotë ta duash Amerikën.
(Prof. Dr. Mixhait Reçi është President i Kolegjit “Iliria” në Prishtinë. Kjo është fjala e hapjes së manifestimit tradicional “Ditët e falënderimit për SHBA” që organizohet nga ky kolegj, në shenjë mirënjohjeje për mbështetjen e popullit dhe të qeverisë amerikane për çlirimin, shtetndërtimin dhe zhvillimin e Kosovës).