Albspirit

Media/News/Publishing

Shitet për 10 milionë euro kolegji “Turgut Ozal”

Institucioni më i madh arsimor privat në Shqipëri ka ndryshuar pronar pak kohë më parë. Bëhet fjalë për “Turgut Ozal Education” sh.a që ushtron aktivitet që prej vitit 2001 në vendin tonë. Të dhënat e deklaruara nga vetë shoqëria, tregojnë se blerësi është BF Cooperatief U.A, një kompani e regjistruar pranë Dhomës Tregtare të Amsterdamit edhe pse emërimet që janë bërë më pas në Këshillat Mbikëqyrës dhe hallkat e tjera të drejtimit tregojnë se zotëruesit janë sërish nga Turqia. Revista “Monitor” raporton se vlera e shitjes rezulton rreth 10 milionë euro. Sipas Monitor, “Turgut Ozal Education” është institucioni më i madh arsimor privat në vend, sipas të ardhurave vjetore. Qarkullimi vjetor i institucionit ishte 1.7 miliardë lekë, me një rritje vjetore prej 14%. Arsyet e ndryshimit të pronarëve të këtij kolegji për momentin nuk bëhen të ditura. Por, duhet thënë se që pas grushtit të shtetit në Turqi, për të cilin Erdogan bëri përgjegjës Fetullah Gylenin, ka pasur presion për mbylljen e të gjitha institucioneve arsimore në Shqipëri, dhe jo vetëm, që financohen nga Gylen. Kjo gjë madje është kërkuar personalisht nga Erdogan, gjatë vizitës së tij në Tiranë. Mesa duket njerëzit e Erdogan kanë gjetur si mundësi blerjen e këtyre kolegjeve në pamundësi për t’i mbyllur ato, si në Shqipëri ashtu edhe në rajon.

Please follow and like us: