Blerim Çela: Replika ime me gazetarin e ZP Bedri Islami
E vërtetë që me Bedri Islamin jemi njohur që në Shkodër, kur unë isha Kryetar i Degës së Financës së hidrocentralit të Komanit dhe Bedriu ishte Drejtor i Pallatit Rinia, në mos gaboj gazetar i gazetës Shkodra dhe në vitet e para të 90-s, gazetar i ZËRIT TË POPULLIT.
Është e vërtetë që kam pasur një detyrë të rëndësishme në hidrocentral dhe jam krenar që kam punuar në atë vepër tepër të rëndësishme me kuadro të mrekullueshëm të dalë nga Universiteti shtetëror i Tiranës, që me punën e aftësitë e tyre çuditën specialistët francezë e italianë. Jam krenar që kam punuar me këta specialistë, me në krye drejtorin e mrekullueshëm Ismail Ahmeti, kryeinxhinier Besnik Bekteshi e pas tij Kujtim Bejtaj, me inxhinierë të talentuar e brigadier si Shaban Gjoka (Hero i Punës Socialiste), Ashim Zyberi, Dali Lika, Xheme Peça etj., që lanë gjurmë në historinë e hidrocentraleve shqiptarë.
Pas hidrocentralit ku u dekorova me medalje pune nga ish-presidenti Ramiz Alia për punë të mire me financat, u emërova inspektor në Drejtorinë e Financës e Kontroll Revizionit në Ministrinë e Ndërtimit për t’u bërë në 1989 drejtor drejtorie po atje. Komunist nuk kam qenë.
Pra nuk kam qenë i persekutuar politik, gjë që e kam përsëritur herë pas here në intervistat e mija gjatë këtyre 26 viteve post komunizëm.
Pavarësisht detyrave të mia shtetërore, jo vetëm unë, por edhe shokë të tjerë me detyra të rëndësishme në parti e në shtet e kishim kuptuar që ky regjim ishte i mbaruar, i tejkaluar nga koha për 1000 arsye që nuk është nevoja t’i them këtu, prandaj duhej zëvendësuar nga një shoqëri me ekonomi tregu me konkurrencë, me kurse të lira këmbimi dhe pa çmime të kontrolluara nga shteti, pra një ekonomi kapitaliste.
Në një mbledhje me disa ekonomistë, organizuar nga revista “Rruga e Partisë”, me porosi të Ramiz Alisë, e drejtuar nga kryeredaktori i kësaj reviste z. Guro Zeneli, u mblodhëm tek Piramida ku shfaqëm mendimet tona për zhvillimin e ekonomisë, lirisht. Ndër të tjera, unë dhe i ndjeri Ilir Hoti dolëm kundër “Mekanizmit të Ri Ekonomik”, që kish filluar të zbatohej në atë kohë duke kërkuar vendosjen e ekonomisë së tregut. Ekonomistët e tjerë i vinin vërdallë, por kërkonin përmirësim të atij mekanizmi që nuk jepte asgjë të re për daljen e ekonomisë shqiptare nga kriza.
Me krijimin e Partisë Demokratike u përfshiva menjëherë dhe punova për zgjerimin e saj duke themeluar degë e seksione në Tiranë dhe rrethe të vendit.
Bedriu ngeli militant i Partisë së Punës që mbronte rendin në fuqi, me artikujt e tij, pra rendin komunist. Unë kam menduar që atëherë se Partia e Punës duhej shkrirë që në Dhjetor 1990 për të themeluar një parti të re demokratike, jashtë modelit komunist dhe unë do të isha i gatshëm, si shumë intelektualë të tjerë, të bëhesha pjesë e saj, sepse dhe proceset demokratike do të kalonin më qetë, pa shkëmbinj në rrotat e pushtetit të ri demokratik, por edhe dhe pa gabimet tona. Kjo gjë nuk ndodhi sepse komunistët thërrisnin me “Vullnetarët e Enverit” se “Me gjak e morëm, me gjak do ta mbrojmë”. Sigurisht që direktivat vinin nga Partia e Punës me në krye KQPPSH-në, dhe Byroja e saj politike, e jo nga komunistët e thjeshtë.
Pra ajo që pritej nga pjesa më e përparuar e shoqërisë nuk ndodhi. Partia e Punës e kthyer në Parti Socialiste u liberalizua vetëm me KATARSIS-in e Nanos shumë vite më pas.
Bedriu zgjodhi të ishte pjesë e PPSH-së, unë zgjodha të isha pjesë e një force të re që ishte PD-ja përderisa u lejua pluralizmi politik. Secili prej nesh kish të drejtë të anëtarësohej në atë parti që gjente veten. Unë nuk e gjeta veten në PPSH, anëtar i së cilës nuk u bëra kurrë. Bedriu, indirekt e quan krim këtë, është e drejta e tij të mendojë si të dojë.
Nuk mbaj mend ta kem takuar me mospërfillje Bedriun, të cilin e kam konsideruar shok. Nëse është e vërtetë, i kërkoj falje, por në natyrën time është qe t’i respektoj njerëzit, aq më tepër të njohurit e vjetër.
Bedriu thotë që nuk e ka lexuar librin tim, nuk e besoj, por edhe po qe e vërtetë, bën mirë të mos e lexojë, se nuk kam nevojë që njerëz të cilët i kam konsideruar shokë, të shfaqin kaq mllef vetëm pse nuk përfaqësova pjesën që po vdiste dhe nuk ndryshoi në momentin më oportun për të mirën e Shqipërisë.
Bedriu ngeli besnik i të vjetrës, unë përqafova të renë. Megjithatë, respektoj Bedri Islamin që mori pjesë në UÇK duke treguar shpirtin e tij atdhetar.
Nëse unë përqafova PD-në dhe u bëra pjesë e piramidës së saj, dhe kam kritikuar luftën e klasave, degjenerimin ekonomik të atij pushteti, e partisë që e udhëhiqte, mendoj se kam bërë detyrën time për nxjerrjen në pah të të metave dhe mizorive komuniste me luftën e paprecedent të klasave për 50 vjet me radhë, për mungesën e strehimit, punësimit, bllokimin e rrogave e pensioneve, tollonat e ushqimeve, mungesën e lirisë së fjalës, izolimin 50 vjeçar jo vetëm jashtë Shqipërisë, por edhe brenda saj, aq sa popullsia e fshatit shpërtheu në vitet e para të demokracisë duke mbipopulluar qytetet, e marrë arratinë në eksode masive në 1990 e 1991.
Ju do thoni që ikin edhe tani. Sigurisht që po, dhe kjo është përgjegjësi e dy partive të mëdha politike PD e PS, që me politikat e tyre ekonomike nuk zgjidhën strehimin, furnizimin me ujë, punësimin etj., e zhytën popullin në varfëri, por jo aq shumë sa në kohën e PPSH-së kur tufëzat e arëzat e çuan fshatarin në prag të vdekjes nga uria, dhe qytetarin në një uri të dhimbshme. Kishte pak para, por nuk kishte ushqim në treg. Ky quhet inflacion i fshehur, ku paraja nuk ka vlerë.
Ju nuk keni patur dëshirën të lexoni artikujt e intervistat e mia me të cilat nuk kam kursyer asnjërën palë. Nga PD-ja nuk më përzuri njeri, por kam ikur vetë për të mos qenë pjesë e të keqes së udhëheqjes së saj me në krye Berishën, të cilin e kam mbështetur fuqimisht, por edhe e kam kritikuar, që kur isha anëtar i Këshillit Kombëtar, jo vetëm në mbledhje, por edhe në shtyp. Pas vitit 2010, u largova nga PD-ja, jo se nuk e doja PD-në, atë e dua edhe sot e kësaj dite, pasi anëtarësia e saj është e ndershme e patriote, por për shkak të uzurpimit total të asaj partie nga Berisha e një klan i vogël rreth tij, që e kanë sfilitur në atë farë feje sa nuk e di nëse do vijë ndonjëherë në pushtet. Pra nga PD-ja nuk më ka përzënë njeri, por u largova vetë për të mos u bërë përgjegjës për gabimet e kthimin e saj në parti të njëshit, ku forumet e statuti i saj nuk zbatoheshin, megjithëse ishin venitur me kohë, dhe zgjedhjet bëheshin për të rizgjedhur Berishën kryetar të përjetshëm, derisa dha një dorëheqje formale pas humbjes në zgjedhjet e 2013.
Bedri, shkaku i reagimit tënd është 14 Shtatori i 1998 të cilin unë nuk e quaj grusht shteti. Zotëri, në atë periudhë unë isha i arrestuar për “KRIME KUNDËR NJERËZIMIT” me një akuzë fallso nga prokurori i asaj kohe Arben Rakipi, akuzë e cila u rrëzua nga gjykata dhe unë e shokët e mi morëm pafajësinë.
Pra, unë nuk kam qenë dëshmitar, dhe kam thënë në intervistë sipas mendimit tim. Kjo nuk përbën fakt. Fakte janë ato që bënë militantët e PD-së që me forcë pushtuan Kryeministrinë, institucionet qendrore dhe RTVSH, por jo Presidencën. Pra, unë nuk e kam përkrahur këtë dhunë, por sipas ngjarjeve që rrodhën, dhe sipas proceseve gjyqësore që u zhvilluan, njerëzit që u paditën fituan pafajësi nga gjykata dhe u dënuan për dëme materiale, ashtu si u dënuan militantët e PS-së për revoltën e tyre në 21 Janar 2011, ku dogjën makina e shkatërruan gardhe e pemë, bënë zhurmë e rrëmujë të dënueshme, që po të mos kishin ndodhur vrasjet e 4 personave pjesëmarrës, PS-ja nuk mund të vinte në pushtet në 2013.
Vrasja e tyre është një krim shtetëror dhe fajtorët e vërtetë nuk kanë dalë akoma para drejtësisë. Këtë e kam thënë edhe në një intervistë te TV Shijak në 02.03.2016, e kam thënë në disa intervista në gazeta të ndryshme. Kurrë nuk jam pajtuar me të keqen.
Berisha ka qenë lideri im, por ka shumë vjet që nuk është më lideri im, por për të ruaj respekt për punën e madhe që ka bërë gjatë formimit të PD-së dhe rrëzimit të PPSH-së nga pushteti dhe jam kritik për mbylljen e uzurpimin e PD-së e të tjera. Këto i kam shkruar në librin tim, të cilin ti nuk do ta lexosh. Punë për ty, ndonëse libri u ribotua se ka patur shumë lexues, një më pak, nuk prish punë.
Prania ime në shtyp dhe në median elektronike, nuk ka qenë dëshirë e shprehur prej meje, por kërkesë e vazhdueshme e medias, edhe e gazetës Dita.