Kastriot Myftaraj: Ja përse më urren Artur Zheji
Kastriot Myftaraj ka reaguar pas fyerjes dhe injorimit të Artur Zhejit në emisionin “Zonë e Lirë”.
Ai shkruan se Zheji e urren dhe jep arsyet për këtë gjë.
Bëhet fjalë për një biografi të tij për Zhejin, botuar disa kohë më parë.
Më poshtë reagimi i Myftaraj:
“Ja përse me urren Artur Zheji, për këtë biografi të tij që kam shkruar:
Një biografi e Artur Zhejit, Kalorësit të Fjalës së Gënjeshtërt
Jeta private e një njeriu, qoftë ky edhe person publik, nuk mund të jetë në fokus të kureshtjes publike përveç rastit kur vetë ajo interferon në sferën publike, si në rastet kur ky person përfiton prej saj për të ndërtuar profilin e tij publik, ashtu dhe në rastet kur e përdor ndikimin e tij publik për të siguruar privilegje për njerëzit e tij të afërm. Artur Zheji është padyshim një njeri publik, një analist politik i ekraneve, i cili nga karrigia e analistit në studio televizive kalon në kolltukun e drejtorit në institucione të ndryshme, madje tenton edhe karrigen e deputetit, duke konkuruar në zgjedhje si kandidat për deputet. Në këtë periudhë ai është në pritje të ankthshme për t’ u ulur përsëri në kolltukun e drejtorit të Radio-Televizionit Shqiptar (publik), pritje kjo që është shtuar për shkak të vonesës në zgjedhjen e Këshillit Drejtues të Radio-Televizionit, i cili emëron drejtorin e përgjithshëm.
Është mirë që shqiptarët ta dinë se cilët janë moralistët e ekraneve televizive, ata që prezantohen në studio si analistë, por meqënëse analiza është një zeje e vështirë të cilën as që e njohin, përfundojnë duke bërë gjënë më të lehtë, moralistin politik. Aq më tepër kur analisto-moralistët janë nga ata që marrin periodikisht edhe poste publike.
Në filmin “Chicago” (2002), një femër naive, e quajtur Roxie (luajtur nga Renee Zellëegeer) hyn në një klub nate ku shikon e mrekulluar një këngëtare dhe kërcimtare të famshme (e luajtur nga Catherine Z. Jones), e cila ishte duke arritur sukses të madh me “All that jazz”. Roxie, e cila ëndërron të bëjë një karrierë të madhe artistike bie në duart e një menaxheri të rrejshëm, i cili i premton suksesin, por në fakt dëshiron vetëm të abuzojë, duke bërë seks me të. Rreth 30 vite më parë kështu i ndodhi një femre në Shqipëri, e cila pa te Artur Zheji princin e kaltër të letërsisë i cili do të shkruante kryevepra falë frymëzimin prej saj. Kryevepra erdhi në formën e një fëmije jashtë martese së cilës Arturi i dha mbiemrin që kishte patur i ati i tij para se ta ndryshonte mbiemrin e familjes. Dhe kjo ndodhi në kohën që Arturi mbante si mbiemër zyrtarisht mbiemrin letrar informal të të atit. E gjithë kjo është një kryevepër në llojin e vet. Ose më saktë “vëllimi i parë” i kryeveprës.
“Vëllimi i dytë” i kryeveprës, me autor Artur Zhejin, erdhi në vitin 2013. Në periudhën e paszgjedhjeve të vitit të kaluar, para se Berisha të largohej nga pushteti, Artur Zheji arriti të siguronte që, me një vendim të posaçëm të qeverisë, vajza e tij jashtë martese Gerarta Ballo të punësohej si diplomate, duke marrë postin e sekretares së parë në Ambasadën e Shqipërisë në Itali. Emërimi u bë me sugjerimin e Ministrit të Punëve të Jashtme të kohës, Aldo Bumçi, për merita të veçanta të Gerarta Ballos. Cilat janë meritat e veçanta të saj, kur ajo nuk di as gjuhën shqipe, jeton në Itali që nga mosha pesë vjeç, dhe në moshën 28 vjeç kur u emërua në këtë detyrë diplomatike, nuk kishte bërë praktikisht asnjë punë në jetën e saj, në bazë të së cilës t’ i njiheshin merita të veçanta? “Merita e veçantë” e saj është një term i panairit të gënjeshtrave, për të cilin ka shkruar Arturi në një artikull shumë të qarkulluar edhe në median sociale. Merret vesh, e vetmja meritë e veçantë e saj ishte fakti se ajo ishte vajza jashtë martese e Artur Zhejit. Qeveria “Rama” i largoi nga detyrat të gjitha të emëruarit nga PD në diplomaci në përfaqësitë tona diplomatike në Itali dhe gjithandej në botë, të cilët i përkisnin kategorisë së Gerarta Ballos. Por vajza e Artur Zhejit i mbijetoi këtij spastrimit. Duket se Gerarta ishte bërë “Rilindase” socialiste me firmën e Saliut! Natyrisht se Arturi nuk është i kënaqur me kaq nga qeveria e sotme. Ai do edhe një post për vete, siç do të tregoj më tutje.
Shumë shpesh teleshikuesi dhe lexuesi shqiptar gjendet në pozitën e Roxie, në raport me disa analistë të televizioneve dhe të shtypit, të cilët herë na shfaqen si analistë, herë si politikanë (kandidatë për deputetë), dhe herë si zyrtarë të rëndësishëm të shtetit, me rroga, privilegje dhe mundësi të shumta për të bërë abuzime financiare, duke siguruar përfitime të mëdha. Ashtu si Roxie, pjesa më e madhe e teleshikuesve shqiptarë gënjehen pikërisht atëherë kur besojnë se kanë hyrë në shtegun e së vërtetës.
Për marrëdhënien “Roxie-manaxher i rrejshëm” të teleshikuesit dhe lexuesit shqiptar me analistët unë do të veçoja artikullin e Artur Zhejit “Panairi i gënjeshtrave”, i botuar në gazetën “Panorama” në 25 nëntor 2013. Artikulli nis me një definicion të gënjeshtrës që ndiqet nga një opinion mbi vendin e gënjeshtrës në shoqërinë shqiptare: “Gënjeshtra është, dhe kjo nuk ka nevojë për vërtetim, një realitet i mbramë dhe i mbrapshtë i natyrës njerëzore. Një shpikje apo një nevojë, një skutë apo një armë, përdorur gjatë betejave të mundimshme për t’ u përshtatur gjatë evolucionit të racës njerëzore. Është pra dhe themeli mbi të cilin ngrihet e lartësohet më e shumta e marrëdhënieve njerëzore. Një themel që përcaktohet nga natyra vdektare e njeriut, ndoshta qëkurse njeriu i parë mbi tokë vrau tinëzisht dhe mbas shpine vëllain e vet të parë. Mirëpo ky themel i shpikur nga dobësia, sot është, në Shqipëri një stil dhe mjeshtëri e pashoqe. Pra, jo vetëm themel i padukshëm, por edhe mure, edhe dritare, edhe çati, edhe stil jete publike”.
Kështu shkruan Artur Zheji, i cili me këtë i jep gënjeshtrës, nga njëra anë një origjinë natyrore (gjenetike), kur përmend evolucionin natyror, nga ana tjetër i jep një origjinë mbinatyrore (religjioze), kur përmend një nga mëkatet fillestare të njeriut biblik. Zheji si gjithmonë është konfuz, irracional, pikërisht atëherë kur kërkon të krijojë përshtypjen se ka gjetur fillin e arsyes. Nëse origjina e gënjeshtrës në natyrën e njeriut është ajo që thotë Zheji, atëherë gënjeshtra dhe vetë të gënjyerit është një diçka organike te njeriu, ashtu si frymëmarrja, dhe këtu merr fund çdo fajësim i njeriut si gënjeshtar. Gjithsesi, mendimi i Zhejit mund të ishte interesant nëse do të ishte monologu i një personazhi të një drame postmoderne, por ja që çuditërisht është nisja e një artikulli në një gazetë të përditshme?! Është simptomatike që Zheji niset të bëjë një artikull moralizues dhe denoncues për vendin që ze gënjeshtra në shoqërinë shqiptare (“Panairi i gënjeshtrave”, që është titulli i artikullit, i referohet shoqërisë së sotme shqiptare), dhe e nis këtë duke bërë apologjinë e gënjeshtarit, meqënëse e quan gënjeshtrën fatalitet gjenetik ose transhedental, sipas pikëpamjes së gjithësecilit mbi botën. Qartësisht Zheji, në subkonshin e vet ka ndjerë nevojën për një apologji. Koncepti i Zhejit për gënjeshtrën pasqyron padyshim eksperiencën formuese të tij në mjedisin krejt të veçantë familjar ku lindi dhe u rrit. Në kohën e diktaturës komuniste (Arturi ka lindur në 1961) shumë familje qenë të detyrara ta praktikonin gënjeshtrën e ngritur deri në art, për të mbijetuar, të bënin një jetë të dyfishtë, duke u përshtatur në dukje, me realitetin e kohës, që të mund të mbijetonin në një mjedis shoqëror armiqësor.
Familja e Arturit nga babai ishte dyfish e papëlqyer për dikaturën komuniste. Gjyshi i Arturit nga babai, Spiro Ballo (1901-1989), kishte qenë oficer i rangut të lartë në Ushtrinë e kohës së Monarkisë, si dhe në kohën e Italisë fashiste. Për këtë arsye, Spiro Ballo pas vitit 1944 pati probleme me regjimin komunist, i cili i konfiskoi shtëpinë, si dhe nuk i dha asnjë punë, as sa për të siguruar jetesën e familjes. Por Spiro Ballo kishte kushërirë Vito Kondin, e cila u bë gruaja e cila u bë gruaja e udhëheqësit të rëndësishëm komunist, Hysni Kapo. Vito Kapo i ndihmoi djemtë e Spiros në mënyrë që ata përveç të tjerash të mund t’ i jepnin dhe një rrogë informale babait të tyre. Vito Kapo, e cila i ndihmoi djemtë dhe vajzën e Spiros që të shkolloheshin dhe të merrnin vende pune të mira, i këshilloi që në shkollë dhe në punë të mbanin mbiemër tjetër, jo atë të familjes. Kështu që të tre fëmijët e Spiros morën mbiemrin e fshatit të tyre të origjinës, “Zheji”. Njëri djalë i Spiros, madje e ndryshoi mbiemrin edhe në regjistrin e Gjendjes Civile, duke e bërë Petrit Balla. Siç shihet i ndryshoi një gërmë. Ky Petrit Balla është Petro Zheji, babai i Artur Zhejit. Kështu, Petrit Ballo u bë Petrit Balla dhe me këtë emër firmoste në bordero kur merrte rrogën dhe shpërblimet e shumta financiare si përkthyes, por në librat e përkthyer shënonte emrin Petro Zheji. Në regjistrin e gjendjes civile atësia e Artur Zhejit është “Petrit” dhe jo “Petro”.
Ky Petrit Ballo, alias Petrit Balla, alias Petro Zheji ishte i vetmi njeri në Shqipërinë komuniste, të cilit iu lejua që të vendoste në librat e përkthyer prej tij një emër dhe mbiemër të ndryshuar. Duke ndryshuar emrin dy vëllezërit bënë karrierë si përkthyes, madje Gjergj Ballo (Zheji) bëri karrierë edhe si kritik letrar dhe si shkrimtar. Petro Zheji ka qenë shumë prodhimtar si përkthyes. Ai ka përkthyer mbi njëqind romane, shumë prej të cilëve me mbi 500 faqe. Aq shumë ka përkthyer Petro Zheji gjatë 40 viteve deri në 1991, kur u largua nga Shqipëria, sa nuk mund të mos pyesësh se kur e gjeti ky njeri kohën për të lexuar libra, se për të është krijuar një legjendë edhe si lexues, përveçse si përkthyes. E vërteta është se Petro Zheji, falë mbështetjes së Vito Kapos, arrinte që të merrte shumë libra për të përkthyer në shtëpinë botuese shtetërore, që ishte e vetmja në vend, dhe një pjesë të madhe të tyre i përkthente i ati i tij, Spiro Ballo, i cili zotëronte disa gjuhë të huaja. Në këtë mënyrë dilte në mënyrë jozyrtare edhe një rrogë dhe shumë e mirë madje edhe për Spiro Ballon. Të bën përshtypje fakti se pas vitit 1990, Petro Zheji, ndonëse ka pasur dhe ka shëndet të mirë, nuk ka përkthyer asnjë libër. E vërteta e fshehur është se Shqipëria në kohën e komunizmit ka pasur një përkthyes të madh, i cili ka qenë Spiro Ballo, por vepra e tij është varrosur në heshtje.
Spiro Ballon dhe familjen e tij në 1945 i nxorrën nga shtëpia që kishin në Tiranë të Re (atje ku u bë Blloku i Udhëheqjes komuniste), por ky nuk mund të quhej persekutim, se një njeri si Spiro Ballo nuk mund të rrinte me banim në një shtëpi që ishte shumë afër shtëpisë ku shkoi të banojë Enver Hoxha me familjen. Megjithatë, familjen e Spiro Ballos e trajtuan si të privelegjuar, nëse kemi parasysh shtresën së cilës i përkiste, se e dërguan me banim në një vilë te Rruga e Kavajës, përballë ndërtesës ku ka qenë më parë Radio Tirana. Në atë shtëpi kishte banuar deri në atë kohë kryetari i Bashkisë së Tiranës, i cili tashmë gjendej në burg. Pikërisht në atë vilë ku shkoi me banim familja e Spiro Ballos, në fund të viteve pesëdhjetë do të vinte të banonte kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor (kryetari i shtetit komunist), Haxhi Lleshi. Me këtë rast, familjes së Spiro Ballos i dhanë për banim dy apartamente te një pallat te Rruga e Durrësit, përballë Ambasadës së Jugosllavisë. Kuptohet se banesat që gjendeshin në këtë pozicion përdoreshin nga Sigurimi i Shtetit për të përgjuar ambasadën. Edhe këtë herë vendimtare ishte mbështetja e Spiros, por tashmë edhe djemtë e tij kishin nisur t’ i përshtateshin regjimit komunist dhe t’ i shërbenin atij.
Kur Gjergj Zheji, vëllai i Petros u bë rektor i Akademisë së Arteve në kohën që PD ishte herën e parë në pushtet, në vitet 1992-1997, një ditë ndërsa po ecte në trotuarin para ndërtesës së Akademisë së Arteve, në Sheshin “Nënë Tereza” një grua plakë por energjike, e cila po kalonte pranë tij, i tha rektorit me zë të lartë: “Djali i Spiro Ballos, pse nuk më përshëndet? I harrove ato që kam bërë unë për familjen tënde?” Studentët të cilët gjendeshin përreth u habitën shumë, aq më tepër kur panë rektorin që iku tutje sikur të kishte parë një fantazmë. Vetëm ndonjë profesor njohu te gruaja plakë Vito Kapon.
Pak kohë pas familja e Spiro Ballos shkoi me banim te pallati përballë Ambasadës së Jugosllavisë, ndodhi edhe martesa e Petro Zhejit me aktoren e njohur Besa Imami, nga e cila martesë lindi Arturi në gusht 1961. Në të vërtetë emri i Petro Zhejit u bë më së pari i njohur, jo si përkthyes, por për shkak të martesës së tij me Besa Imamin, e cila ishte një aktore shumë e njohur, se kishte luajtur rolin e Donikës, gruas së Skënderbeut, në filmin “Skënderbeu”. Besa Imami kishte lindur në Gjakovë në 1928 dhe familja e saj kishte ardhur me banim në Shqipëri, në kohën e Monarkisë. Shqiptarët me origjinë nga Kosova, me banim në Shqipëri nuk shiheshin me sy të mirë nga regjimi komunist. Regjimit komunist shqiptar nuk i pëlqente që rolin e gruas së Skënderbeut ta luante një kosovare, se Beogradi do të gjente këtu një simbolikë të papëlqyeshme. Por aktori aktori sovjetik (gjeorgjian) Akaki Khorava, i cili erdhi në Shqipëri për të luajtur rolin e Skënderbeut, ngulmoi që rolin e partneres së tij në film ta luante pikërisht Besa Imami. Fjala e Akaki Khoravës, i cili ishte një aktor shumë i njohur në Bashkimin Sovjetik dhe që ishte madje beniamini i Stalinit (ishte përfolur edhe si djali ilegal i Stalinit), nuk mund të vihej në diskutim.
Martesa e Besës me Petron, i cili ishte katërmbëdhjetë muaj më i vogël se nusja, erdhi pikërisht në kohën kur pritej që Besa të bënte një karrierë të madhe ndërkombëtare si aktore (me fjalën ndërkombëtare atëherë në Shqipëri kuptohej në kufijtë e kampit komunist dhe në rradhë të parë në Bashkimin Sovjetik). Akaki Khorava e kishte ftuar “Donikën” që të luante edhe në teatrin kryesor të kryeqytetit të Gjeorgjisë, Tbilis, ku ai ishte drejtor. Teatri i Tbilisit ishte një nga teatrot më të famshëm dhe më me traditë në Bashkimin Sovjetik. Martesa e cila erdhi pas një turi të një trupe teatri shqiptare ku bënte pjesë edhe Besa në Bashkimin Sovjetik, i dha fund praktikisht karrierës ndërkombëtare të saj.
Martesa e Petros me Besën përfundoi me një divorc të bujshëm për atë kohë kur divorcet qenë një gjë e rrallë, madje edhe në kryeqytet. Shkaqet e divorcit kanë mbetur të paqartë përderisa asnjë nga këta dy persona publikë të njohur nuk ka parapëlqyer të flasë për këtë gjë më vonë. Por fakti është se djali i tyre Arturi nuk mban mbiemrin zyrtar të të atit, që është “Balla” (kështu e kishte ndryshuar ai mbiemrin “Ballo”), por mban si mbiemër zyrtar në regjistrin e gjendjes civile mbiemrin letrar të të atit që është “Zheji”! Një komedi e vërtetë! Prandaj Arturi është i mirëpritur në studion e Blendi Fevziut, njeriut me pesë mbiemra!
Karrierën e tij para vitit 1990, Arturi nuk ia detyron të atit, i cili pavarësisht se çfarë mund të pretendojë Arturi sot, për t’ u dukur interesant intelektualisht, e kishte kufizuar kujdesin e tij për të birin, që jetonte me nënën, kryesisht në pagimin e detyrimit ligjor financiar. Pas divorcit, apartamentin te Rruga e Durrësit e mbajti Besa Imami, ndërsa Petroja mori një apartament në periferi të Tiranës. Atje Petroja bënte jetën e një asketi, duke pritur shumë njerëz të cilët i tërhiqte erudicioni i tij. Arturi, më tepër është përpjekur që ta imitojë të atij intelektualisht, duke u përpjekur që të krijojë përshtypjen se është formuar intelektualisht prej tij, se sa është formuar vërtet prej tij. Nuk mund të shpjegohen marrëdhëniet e Arturit me Petro Zhejin, pa u marrë parasysh fakti që Petroja, i cili vinte nga një familje e krishterë ortodokse, ishte thellësisht besimtar. Petroja edhe edhe në kohën e diktaturës komuniste, kur feja ishte e ndaluar, i ushtronte rregullisht ritet fetare në një mënyrë që me standardet e kohës quhej pothuajse e hapur.
Besimtari i thellë ortodoks Petro Zheji nuk do të bënte kurrë një martesë përveçse sipas riteve të shenjta fetare ortodokse, duke vënë kurorë në Kishë. Kjo do të thotë se Petroja nuk mund të martohej përveçse me një femër të krishterë ortodokse. Ai nuk e shkonte ndërmend që të martohej me një femër muslimane, përveç rastit kur kjo do të pagëzohej në Kishë, duke u bërë kështu e krishterë ortodokse. Në kohën kur u martua Petro Zheji feja në Shqipëri nuk ishte ndaluar ende. Feja u ndalua gjashtë vite pasi lindi Arturi. Por edhe në kohën kur u martua Petro Zheji regjimi komunist nuk i shikonte me sy të mirë martesat fetare nga një kategori njerëzish dhe Besa Imami, që ishte aktore në Teatrin Popullor bënte pjesë në këtë kategori. Aq më tepër që në rastin e Besës ajo duhet të pagëzohej më parë që të mund të bënte një martesë fetare me Petron. Kjo ishte përtej çdo limiti që mund të toleronte regjimi komunist. Pra, Petroja dhe Besa mund të martoheshin vetëm me një martesë të thjeshtë laike, civile. Për Petron si besimtar orotodoks ky ishte një mëkat i madh. Ai mund ta bënte këtë gjë vetëm nëse e detyronte regjimi komunist që ta bënte këtë martesë. Ndjenja e fajësisë së Petros, dhe pamundësia e Besës për të jetuar me një asket intelektualo-religjioz si Petroja, e shkatërroi shpejt martesën.
Sa për Arturin, Petroja, duke qenë shumë besimtar, e pa këtë djalë si kryqin që iu dha në jetë për ta mbajtur mbi shpinë si Krishti në rrugën për në vendin e kryqëzimit. Arturi, i cili nisi të luante bixhoz që në shkollën tetëvjeçare dhe që në gjimnaz u bë një mjeshtër i pokerit, shkonte te i ati kryesisht për të kërkuar para. Arturi e ndjente se nuk ishte i mirëpritur nga rrethi i miqve të të atit, dhe e dinte se sa më gjatë të rrinte atje, aq më shumë para do t’ i jepnin për ta bërë të largohej që të mos ishte i pranishëm gjatë bisedave disidente që bëheshin në atë shtëpi.
Për aq sa kanë ndenjur bashkë, Petroja u përpoq ta formësonte të birin intelektualisht me pikëpamje religjioze mbi botën, dhe këto Arturi i perceptonte nën prizmin e botëkuptimit të tij prej lojtari bixhozi, çfarë ishte okupimi i tij kryesor. Arturi, ndonëse nuk u bë një besimtar dhe praktikues i riteve fetare, ai mori mënyrën teologjike të të menduarit, pa marrë thelbin e saj. E thënë ndryshe Arturi mori nga i ati një palë letrash bixhozi ku figurat qenë Krishti, shenjtorët, Shën Maria. Artikulli i Artur Zhejit “Panairi i gënjeshtrave” pasqyron pikërisht këtë eksperiencë formuese të tij. Prej këtej vjen dhe prirja e Arturit që t’ i japë gënjeshtrës atributet e njëfarë mëkati fillestar të natyrës te njeriu, dhe që ky i fundit, në përpjekjet për të mbijetuar në mjedisin shoqëror, e ka praktikuar, duke e përkryer atë. Zheji e bën kështu Homo Sapiensin njëfarë ekuivalenti pa shpëtim të kameleonit, i cili siç dihet ndryshon ngjyrën sipas mjedisit.
Por ironia është se edhe babai i Arturit, Petroja, pikërisht te religjioni gjeti justifikimin për praktikimin e gënjeshtrës në jetë dhe këtë mënyrë sjelljeje ia predikoi edhe të birit. Në Shqipërinë komuniste, këta besimtarë të krishterë si Petro Zheji e shikonin veten si njerëz të cilët qenë në anën e së vërtetës në një shoqëri ku sundonte gënjeshtra ateiste në trajtën e ideologjisë komuniste. Shoqërinë shqiptare ata e shikonin si një lloj burgu otomano-komunist ku atyre u kishte takuar fati i keq që të jetonin dhe ku qenë privuar nga mundësia për të zhvilluar talentet e tyre intelektuale. Prandaj, njerëz si ata e kishin moralisht të lejuar që të gënjenin për të mbijetuar. Se ata në fakt qenë duke gënjyer Satanin. Ata mendonin se gënjeshtrën duhet t’ ua kursenin vetëm të ngjashmëve të tyre, besimtarëve të së njëjtës fe, pra të zgjedhurve, ndaj të cilëve duhet të kishin detyrime morale. Me këtë frymë e ushqeu Petron babai i tij Spiro Ballo dhe me këtë frymë e ushqeu Petroja Arturin.
Sado e çuditshme që të duket, Enver Hoxha diti që ta përdorte djallëzisht përkushtimin fetar të njerëzve si Petro Zheji. Pak vite pasi Enver Hoxha ndaloi fenë, Shqipëria vendosi marrëdhënie diplomatike me Greqinë. Duke qenë se dukeshin shenjat e prishjes së afërt të Shqipërisë me Kinën, Enver Hoxha u tregua veçanërisht i kujdesshëm që midis Shqipërisë dhe Greqisë të kishte marrëdhënie të mira. Por një nga shqetësimet kryesore që kishte Greqia sa i përket Shqipërisë kishte të bënte me objektet e kultit të fesë ortodokse. Enver Hoxha, për ta kënaqur Greqinë, gjeti një lloj kompromisi. Kështu, në kohën që ish-klerikët ortodoksë e kishin të ndaluar t’ u afroheshin objekteve të kultit, disa njerëz si Petro Zheji e kishin të lejuar që të shëtisnin gjithandej Shqipërisë ku kishte objekte të kultit të krishterë ortodoks, t’ i vizitonin lirisht ato, si dhe të kujdeseshin pak a shumë që aty të kryheshin disa rituale private sa për t’ u ndjerë përkushtimi i besimtarëve ndaj Zotit në to. Sigurisht që për objektet e kultit më të rëndësishme vazhdonte të kujdesej shteti duke i quajtur monumente kulture, por kujdesi i njerëzve si Petro Zheji kishte një konotacion fetar. Petron e lejonin që të bënte gjëra të tilla për të cilat të tjerët dënoheshin me shumë vite burg, me shpjegimin se ai ishte pak si i çmendur, ndonëse diktatura ua gjente vendin edhe të marrëve të cilët shkelnin ndalimet e vëna prej saj. Petroja mbante në shtëpi, në një vend të dukshëm, një ikonostas të mbushur me ikona, si dhe mbante një kryq në qafë, natyrisht poshte rrobave. Ky kryq u bë shkak një herë për një incident të rëndë me drejtoreshën e shtëpisë botuese, Donika Omari, gruaja e nipit të Enver Hoxhës, e cila i kërkoi që ta hiqte kryqin nëse donte të vazhdonte të rrinte në atë vend pune. Petroja nuk e hoqi kryqin, por drejtoresha nuk e pushoi dot. Që atëherë Donika Omari nuk guxonte ta qortonte për ndonjë gjë vartësin e saj ekcentrik.
Duke pasur Petroja këtë status, ai u shndrrua në një lloj kryepeshkopi informal të besimtarëve ortodoksë të Shqipërisë, të cilët vinin dhe e vizitonin në shtëpinë e tij, e cila ngjante si një kishë. Sigurimi i Shtetit kishte shumë interes për t’ i përgjuar këto biseda, por ai nuk mund t’ i thoshte drejtpërdrejt Petro Zhejit, se e dinte që Petroja do të refuzonte t’ ua bënte këtë të keqe bashkëbesimtarëve të tij. Prandaj duhej gjetur një njeri tjetër i cili kishte mundësi që të hynte e të dilte lirisht në atë shtëpi, në çdo kohë, i cili të vinte e të hiqte përgjuesit sa herë duhej, sipas nevojave le ta quajmë teknologjike. Nuk është e vështirë të kuptohet se cili ishte njeriu më i përshtatshëm që gjeti Sigurimi i Shtetit për të bërë këtë punë.
Arturi nuk ishte i mirëpritur nga vizitorët e shumtë të shtëpisë së Petros, të cilët e shikonin disi me frikë këtë djalë, sidomos pasi atij iu dha e drejta e studimit për regjisurë në Institutin e Lartë të Arteve (një privilegj shumë i madh ky në atë kohë). Në artikullin “Panairi i gënjeshtrave” Artur Zheji shkruan: “Më thosh dikur im Atë: A do të provosh se sa i fortë je realisht? Thuaj të vërtetën të paktën për disa ditë rresht. Në cilëndo rrethanë të ndodhesh. A mundesh dot?” Kështu paska folur njeriu i të vërtetave Petrit Ballo, alias Petrit Balla, alias Petro Zheji. Por a nuk duhej që ky zotëri i cili i jep këtë këshillë kiplingiane djalit të vet, ta kishte ndjekur edhe vetë atë këshillë, dhe së paku pas vitit 1990 të kishte rimarrë emrin dhe mbiemrin e tij të vërtetë. Është e vërtetë se vepra e tij si përkthyes ishte me emrin Petro Zheji, por ai mund ta vinte në kllapa këtë emër. Në vend që ta bënte këtë ai parapëlqeu të mbante në kllapa të vërtetën. Arturi do të kishte shumë për të thënë nëse do të kishte ndjekur këshillën e të atit. Kështu, do të ishte interesante nëse do t’ i viheshin para Arturit kalendarë të viteve tetëdhjetë dhe t’ i thuhej duke vënë gishtin në ditë të caktuara: Thuaj të vërtetën e kësaj dite!
Por edhe pa pohuar vetë Arturi të vërtetat e asaj kohe, janë privilegjet e çuditshme që ai mori nga regjimi komunist që flasin vetë. Në vitin 1985, viti i fundit i studimeve universitare për Arturin, ai sipas rregullave të regjimit komunist duhet të ishte përjashtuar nga shkolla për shkak se në mars të atij viti ai u bë babai i një vajze jashtë martese, të cilën e pati me një femër pesë vite më të madhe se veten. Arturi u detyrua që ta njihte vajzën, por nuk i dha asaj mbiemrin që mbante vetë, por mbiemrin “Ballo”, i cili ishte mbiemri që kishte pasur i ati i tij para se ta ndryshonte në “Balla”. Kështu ndryshimi i mbiemrave kaloi brez pas brezi, në brezin e tretë.
Në 1985, kur Arturi diplomoi për regjisor në Insitutin e Lartë të Arteve, ai nuk pati fatin e keq të shokëve të vet nga Tirana, të cilët u emëruan me punë në rrethe të largëta, ku duhet të punonin disa vite para se të shpresonin të vinin në Tiranë. Arturi u emërua ndihmëslibretist në Teatrin Popullor në Tiranë, që ishte teatri qendror i Shqipërisë. Libretist në Teatrin Popullor ishte dramaturgu më i njohur në vend, Rruzhdi Pulaha. Emërimi i Arturit i çuditi të gjithë se ai nuk kishte shkruar e aq më pak shfaqur në teatër asnjë dramë. Por Arturi nuk ishte aspak i kënaqur me vendin e ndihmëslibretistit. Ai dhe ata që e kishin sjellë në atë vend, kishin bërë një llogari. Rruzhdi Pulaha do të dilte së shpejti si shkrimtar me profesion të lirë, pra do të paguhej si shkrimtar, kështu që vendin e tij do ta zinte Arturi. Dhe Rruzhdi Pulaha u largua nga puna si libretist në Teatrin Popullor, në vitin 1986, pak muaj pasi Arturi kishte ardhur të punonte atje. Libretist në vend të tij u bë Arturi. Arturi ishte i pari libretist në historinë e Teatrit Popullor që nuk kishte shkruar dhe as shfaqur qoftë edhe një dramë të vetme.
Në Teatrin Popullor qarkullonte një shaka. Teatri Popullor ishte përballë Ministrisë së Punëve të Brendshme. Kur dikush e kërkonte Arturin në mjediset e teatrit gjatë ditës i thoshin se është në kafene. Dhe ai që e kërkonte shkonte në kafenenë e Teatrit, duke menduar se bëhej fjalë për të. Por, si nuk e gjente atje Arturin, pyeste përsëri dhe merrte këtë përgjigje: Të thanë se ishte këtu? Je ngatërruar vëlla, e kanë pasur fjalën për kafenenë e komshinjve tane (të Ministrisë së Punëve të Brendshme).
Meqënëse libretisti i Teatrit Popullor duhet të kishte shkruar dhe shfaqur në skenë një dramë, Arturi shkroi dramën e vetme të tij (po të përjashtojmë një dramë me një akt që e ka shkruar në Itali më vonë) me titull “Raimonda”. Kjo dramë ishte një plagjiaturë e qartë e dramës së Ibsenit “Shtëpia e kukullës”, vetëm se ngjarjet janë përmbysur. Drama çuditërisht, ose ndoshta jo, u vu në skenë, madje nga Teatri Popullor, një nder ky i padëgjuar për një dramturg të ri, dhe premiera u dha në 29 mars 1989. Sot është 15 vjetori i shfaqjes së kësaj drame. Natën e premierës, në 29 mars 1989, para se të fillonte shfaqja, dikush nga spektatorët pyeti me zë të lartë një të njohurin e tij disa karrige më tutje se çfarë pune bënte autori:
-Teknik fonie!- Erdhi përgjigjia dhe ata që dëgjuan qeshën. Një nga njerëzit që qeshi ishte dhe miku i ngushtë i Artur Zhejit në atë kohë, Kryeministri i sotëm Edi Rama, i cili gjendej në sallë si i ftuar i autorit.
Gjatë pesë viteve që Artur Zheji ishte drejtor i Përgjithshëm i Radio-Televizionit, e gjeti me vend që të mos e shfaqte kurrë në ekran dramën “Raimonda”. Arsyeja merret vesh. Arturi do që kjo dramë-plagjiat të varroset në të shkuarën.
Me hapjen e Shqipërisë, Petroja dhe Arturi u larguan nga vendi, me idenë se tani kishte ardhur koha që të tregonin talentin e tyre në botë, të bindur se do ta merrte vesh mirë Shqipëria se cilët qenë këta njerëz të cilëve nuk ua kishte ditur vlerën. Për hir të së vërtetës duhet thënë se këtë ide e kishte vërtet vetëm Petroja dhe jo Arturi, pork y i fundit u largua thjesht se i pëlqente të shikonte botën. As Petroja dhe as i biri nuk arritën ndonjë sukses andej nga shkuan. Madje viti 1990 shënoi fundin e karrierës intelektuale të të dyve, Petros dhe Arturit. Prodhimtaria e Petros si përkthyes mori fund në 1990, dhe ndonëse ai gjatë këtyre 24 viteve pas vitit 1990 ka qenë mirë me shëndet, nuk ka përkthyer as një libër të vetëm. Arturi, i cili te të huajt prezantohet si dramaturg pas vitit 1990 nuk ka shkruar dhe as ka vënë në skenë ndonjë dramë. Arturi është kufizuar duke shkruar disa artikuj politikë në vit. Shpejt, si Petroja, ashtu dhe Arturi e kuptuan se bota, e në radhë të parë SHBA ku shpresonin të arrinin sukses, as që donte t’ ia dinte për idetë e tyre, kështu që u detyruan të kthehen në Shqipëri. Petroja e ngushëlloi veten duke i thënë çdo njeriu që kishte dëshirë ta dëgjonte se SHBA ishin një vend komunist. Arturi kufizohej të thoshte se Perëndimi nuk ishte siç e mendonim, por megjithatë ai arriti diçka. Ajo që arriti Arturi ishte se u bë një nga gazetarët me kohë të pjesshme për Ballkanin në Radio Radikale në Itali, me një pagë prej 500 mijë lira (apo lireta siç thuhej në Shqipëri) në muaj.
Arturi u kthye në Shqipëri në fillim të vitit 1999 dhe për disa kohë luajti rolin e intelektualit të pavarur kritik që bënte gjykatësin e rreptë moral të shoqërisë dhe të politikës në përgjithësi. Artikulli “Panairi i gënjeshtrave” është një lloj manuali retorik të cilin Arturi e ka përvetësuar që nga koha e bisedave me Petron dhe që e ka përdorur si shabllon në retorikën e tij televizive dhe në artikujt në shtyp. Njerëzit fetarë kanë prirje për moralizmin. Arturi nuk është praktikues i riteve fetare, por në mjedisin familjar i është rrënjosur prirja për moralizim. Kjo ka sjellë që Arturi të bëhet një nga ushtruesit më elokuentë të artit të gënjeshtrës në Shqipërinë e tranzicionit. Them të artit se nga mënyra se si flet Arturi kuptohet se ai ka bindjen se e ka ngritur gënjeshtrën në art.
Synimi i Arturit kur u rikthye në Shqipëri ishte që ta pranonin në atë elitë mediale që mund ta quajmë si Tryeza e Rrumbullakët e Kalorësve të Fjalës së Gënjeshtërt, ku fjala e gënjeshtërt shpërblehet me benefite dhe privilegje të shumta nga Politika dhe në radhë të parë nga Pushteti. Qëkurse erdhi në Shqipëri Arturi u bë aleat me Fatos Nanon, i cili atëherë sapo ishte larguar nga qeveria, kishte dhënë dorëheqjen edhe si kryetar i PS, dhe po mendonte e punonte për revanshin. Nano e mirëpriti Zhejin së pari si shok tryeze bixhozi. Në këtë cilësi të dy ia kishin dëgjuar emrin njëri-tjetrit që në vitet tetëdhjetë. Në atë kohë Nanos nuk i afroheshin shumë njerëz nga elita e medias. Kështu që ai e mirëpriti Arturin, ndonëse ai i dukej pak si shumë konfuz në retorikën e tij. Kur e pyesnin Nanon se përse i duhej Artur Zheji, ai përgjigjej: “Di të gënjejë bukur!”
Prezantimin e Artur Zhejit për publikun shqiptar e bëri Spartak Ngjela, i cili në 1999 kishte një emision jetëshkurtër në Tv Klan me titull “Ngjela kundër”. Një prezantim i cuditshëm ky duke pasur parasysh titullin e emisionit sepse Ngjela i bëri vetëm lavdërime Zhejit si një analist i ardhur nga Perëndimi, që kishte marrë formim perëndimor (me këtë Ngjela kishte parasysh që Zheji si emigrant në Itali kishte bashkëpunuar me Radio Radikale). Zheji tha në emisionin e Ngjelës se së shpejti do të niste një emision të vetin në një televizion të rëndësishëm. Zheji nisi në Tv Arbëria emisionin 360°, në të cilin pasi bënte pyetjet e para për të ftuarit thoshte fraza si: “Le të bëjmë një endje 360° për të gjetur përgjigjet për këto pyetje.”
Por endja, lëvizja në 360° do të thotë që të bësh një rrotullim të plotë dhe të kthehesh në pikën e nisjes, ashtu si Shvejku kur u nis të shkonte në Bugjejovicë dhe në fakt vinte rrotull përreth Bugjejovicës, pa hyrë në qytet, sepse zbatonte metodën 360° të Zhejit.
Kur Nano u bë Kryeministër në vitin 2002 ai e emëroi Arturin Drejtor të Përgjithshëm të Radio-Televizionit Publik. Në këtë post, ku Arturi qëndroi për më shumë se katër vite, bëmat e tij janë të tilla që vështirë se ka pasur para tij dhe pas tij ndonjë drejtor tjetër në këtë institucion që të ketë abuzuar me detyrën aq shumë sa Arturi, duke siguruar përfitime të kundërligjshme. Arturi ishte drejtori i përgjithshëm që është konfliktuar më shumë me sindikatën e institucionit dhe të cilit si askujt tjetër sindikata ia ka denoncuar publikisht abuzimet e tij që arrinin në miliona euro. Në kohën që Arturi ishte drejtor i përgjithshëm, për herë të parë qëkurse ështe krijuar Radio-Televizioni Shqiptar, kanali televiziv publik nuk transmetoi ndeshjet e Kupës së Botës në futboll që u luajt në Gjermani në vitin 2006. Kjo ndodhi se Arturi kishte bërë një marrëveshje të fshehtë me transmetuesin privat me pagesë Digitalb, që t’ i linte hapësirë këtij për të marrë ekskluzivitetin e transmetimit të këtij eventi të futbollit botëror. Kur RTSH e ka të përcaktuar në ligj se duhet t’ i transmetojë pa pagesë evente të tilla sportive. Vetëm për këtë gjë Arturi duhet të hynte në burg për shpërdorim detyre.
Gjatë kohës që Artur Zheji ishte drejtor i përgjithshëm Radio-Televizionit Publik ai bënte një gjë të paparë në botë, që të shfaqej shpesh si analist në televizionet private. Me këtë tregonte se nuk kishte asnjë respekt dhe përgjegjshmëri për televizionin që drejtonte. Për t’ u dukur se vinte çdo ditë në punë, Arturi, pasi e kalonte gjithë natën deri në mëngjes nëpër kazino, restorante e pube, kur vinte orari zyrtar, shkonte në zyrë, mbyllte derën me çelës dhe shtrihej të flinte në kanape deri pas mesditës, kur dilte nga zyra me pamjen e një njeriu që është lodhur shumë duke bërë punë zyre.
Kur Arturi u largua nga detyra e drejtorit të përgjithshëm në fund të vitit 2006, ai iu afrua Ilir Metës dhe u vu në shërbim të tij si analist “i pavarur” televiziv. Por në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 Arturi u bë politikan dhe kandidoi për deputet në listën e LSI-së për Qarkun e Durrësit. Ndonëse Arturi nuk i solli vota LSI-së, ai mori benefite nga ardhja e kësaj partie në pushtet, në aleancë me PD, në 2009. Arturi u bë drejtor i Agjencisë Telegrafike Shqiptare (agjencia e vetme publike e lajmeve). Edhe këtu nuk qëndroi dot pa bërë abuzime. Shpejt mori një shumë të madhe parash nga qeveria, me ndërhyrjen e partisë, për të bërë disa rinovime në ndërtesën dhe pajisjet e ATSH, por në të vërtetë që të mund të përfitonte diçka. Pas dy vitesh në këtë detyrë të re Arturi u josh nga Henri Çili, i cili kishte marrë një kredi të madhe bankare me të cilën kishte nisur një biznes të madh, prandaj donte të siguronte lidhje të mira edhe me LSI-në, veç PD-së. Henri Çili mori Arturin drejtor të gazetë së tij “Mapo”. Me të marrë detyrën Arturi nisi të mburrej se ai nuk e kishte problem që të kalonte nga puna shtetërore në atë private, se ishte profesionist, dhe vlerat e tij si i tillë çmoheshin në treg, e kjo kuptohej nga fakti që ai tani merrte një pagë më të madhe se Presidenti i Republikës, Kryeministri dhe Kryetarja e Kuvendit të marrë së bashku. Në të vërtetë Henri Çili ia jepte këto para Arturit se donte ta përdorte si ndërmjetës politik, jo se i njihte ndonjë vlerë. Kjo u kuptua nga fakti se kur Henri nuk siguroi dot me anë të Arturit atë kërkonte e largoi Arturin nga gazeta “Mapo” brenda vitit, veç të tjerash se dështimi i tij ishte evident. Kështu ndodhi edhe me përpjekjen jetëshkurtër të Zhejit për të ringjallur emisionin e tij të dikurshëm 360° në televizionin Neës 24, në 2013, para zgjedhjeve parlamentare të atij viti.
Tani që LSI është në pushtet, në aleancë me PS, Arturi ka bërë kërkesë që të bëhet drejtor i Përgjithshëm i Radio-Televizionit. Por emërimi i tij është bllokuar për shkak se është bllokuar prej disa muajsh zgjedhja nga Kuvendi e anëtarëve të Këshillit Drejtues të RTSH, të cilët nga ana e tyre duhet të zgjedhin drejtorin. Duke pasur këtë ambicje, Arturi bën kujdes që të mbështesë Edi Ramën atje ku ky kërkon më së shumti mbështetje nga njerëz si Arturi. Deri para pak muajsh Arturi është shtirur si një kampion i oksidentalizimit, i orientimit perëndimor të Shqipërisë në panelet televizive dhe shtypin shqiptar. Por sa vuri re Arturi se Qeveria “Rama” nisi një kurs spektakolar të afrimit me Turqinë neo-otomane të Erdoganit, Arturi shpejtoi të kopjojë tezat e turkofilit Abdi Baleta. Kjo u duk sidomos në një artikull të Artur Zhejit me titull “Fillesat e një gjeopolitike të re”, i botuar në gazetën “Panorama”, në 26 tetor 2013, pas takimit të bujshëm të Kryeministrit Rama në Prizren me Erdoganin dhe Hashim Thaçin. Ky artikull i Artur Zhejit pati jehonë të madhe në Turqi ku u mirëprit, për shkak se Arturi është një i krishterë ortodoks që shkruan si turkofil. Sipas Arturit (artikullit të tij) politika e jashtme e Shqipërisë duhet të marrë një orientim të ri thellësisht proturk:
“Por kjo buron dhe nga stabiliteti 15 vjeçar ndonëse relativ i Shqipërisë, nga pavarësia e Kosovës, nga qëndrueshmëria dhe ndershmëria e aleatëve tanë strategjikë, nga vetëdija e rritur dhe nga ‘presioni’ shumëvjeçar i doktrinës së shkruar dhe të pashkruar, e thjeshtë sa më s’ ka që thotë se Shqipëria është e shqiptarëve. Në këtë sfond erdhi natyrshëm një shtatzëni shumëvjeçare konceptuale, nevoja për një dalje nga skema tradicionale, në një logjikë të re e që duhet adoptuar me fqinjët. Ishte pra, natyral dhe logjik ristrukturimi i ‘korsive preferenciale’ të reja në konceptimin e politikës së jashtme rajonale. Duke dalë nga skema dhe nga fasada formale, hipokrite, shpeshherë sa më s’ ka!”.
Kështu shkruan Artur Zheji! Por a nuk është hipokrite sa më s’ ka që njeriu i cili deri në atë ditë kishte predikuar oksidentalizmin, tani doli nga fasada e tij formale, nëse shprehem me fjalët e tij, dhe hyri në skemën neo-otomane, në mënyrë “hipokrite sa më s’ ka”, nëse vazhdoj të shprehem me fjalët e tij? “Korsia preferenciale” për të cilën flet më lart Arturi është sokaku politik neo-otoman. Arturi shkruan:
“Po ashtu, në këtë rrafsh mund të lexohet edhe ‘aksioni personal’ i Ramës në lidhje me krijimin e një korsie preferenciale në marrëdhëniet me Turqinë. Një korsi preferenciale krejtësisht logjike dhe madje e detyrueshme në politikën e jashtme rajonale. Përpos nevojës për ndihmë reale nga një vend ekonomikisht i shëndetshëm, kjo ‘Korsi e Re’ është produkt i një logjike të realpolitikës që ka bërë vend prej shumë kohësh në opinionin publik shqiptar. Dhe në përputhje me interesat tona konkrete. Në të vërtetë, përveç ekzagjerimeve, me emocione, trumbeta, dhe sfonde elektorale të ekzaltuara, si dhe ishte rasti i manifestimit të Prizrenit, me rastin e vizitës së Kryeministrit turk, substance që e çon politikën e jashtme shqiptare drejt korsive preferenciale alternative është e natyrshme. Madje e vonuar”.
Këtu nuk mund të mos bëhet pyetja se përse nuk ua ka sugjeruar qeverive shqiptare këtë “korsi të re” mendimtari Artur Zheji, por e pa këtë korsi vetëm kur shkeli në të Kryeministri Rama? Përgjigjia është e qartë. Arturi është mësuar që me “analizat” e tij të justifikojë lëvizjet kontroverse të qeveritarëve të cilët e shpërblejnë atë, jo t’ u japë ide atyre. Ndonjë kritikë për përdorim electoral të takimit të Prizrenit në paragrafin e mësipërm i adresohet Kryeministrit të Kosovës Thaçi, i cili e përdori takimin për zgjedhjet e ardhshme vendore në Kosovë. Kjo kritikë, merret vesh, nuk i prish punë Ramës. Ajo që del si përfundim nga artikulli i mësipërm është se ideja brilante e Mbretit Artur të Tryezës së Rrumbullakët të Analistëve nuk është gjë tjetër veçse ideja e kahershme e turkofilit Abdi Baleta, të cilën Arturi nuk merr mundimin as që ta citojë kur e përdor. Edhe si analist Arturi është plagjiator, ashtu si dramaturg. Baleta duhet të jetë tërbuar nga zilia që Arturi me idenë e kopjuar prej tij bëri një bujë aq të madhe në Turqi, sa Baleta nuk e ka parë as në ëndërr. Por Baleta e kupton se Turqia ia bën këtë nder Arturit pasiqë ideja baletiane e shprehur nga një i krishterë ortodoks është shumëfish më e vlefshme për Turqinë se e shprehur nga një islamik fanatik si Baleta.
Që kur botoi artikullin e mësipërm Arturi ka nisur të thotë se dashuria për Turqinë iu ushqye atij nga nëna e cila është nga një familje muslimane, të ardhur në Shqipëri si muhaxhire në kohën e Monarkisë. Mbiemri “Imami” tregonte për një traditë familjare të klerikëve muslimanë. Me artikullin e sipërpërmendur proturk Artur Zheji e meritoi më së fundi edhe intelektualisht epitetin “Mullah Omari” që ia vunë punonjësit e Radio-Televizionit Shqiptar, në kohën që ishte Drejtor i Përgjithshëm. Atëherë e quajtën kështu për shkak të flokëve të gjatë dhe mjekrrës së gjatë, dukshëm më tepër se sot. Tani e meriton nofkën edhe për mendimet. Por Arturi nuk shqetësohet aspak. Ai shqetësohet vetëm që të mësojë sa më parë se cila do të jetë gënjeshtra e radhës e panairit, e cila paguhet më mirë. A nuk shkruan Arturi në artikullin “Panairi i gënjeshtrave” se: “Shqipëria ngjan gjithmonë e më shumë me një kuti boshe me mure të pikturuara dhe kaq”.
Në të vërtetë, kjo që thotë Arturi është imazhi që i kanë ushqyer atij për Shqipërinë, imazhi i Spiros, Petros dhe i atij vetë. “Kuti boshe e pikturuar”. Domethënë ikonë e rreme. Duket mënyra religjioze e të përfytyruarit të cilën ia kanë ngulitur Arturit. A nuk pasqyron pra artikulli i Artur Zhejit “Panairi i gënjeshtrave” eksperiencë formative të tij si intelektual? Arturi megjithatë është në gjendje që të përfitojë gjithmonë diçka nga kjo “kuti boshe me mure të pikturuara”. Meqënëse Arturi e percepton Shqipërinë si një kuti bosh të pikturuar, ai mendon se duhet përfituar aq sa mund të përfitohet duke e shitur Shqipërinë në tregun gjeopolitik, siç është rasti te Turqia sot, meqënëse edhe Arturin po e pranojnë si shitës në këtë treg. Kur të mos ketë më gjë për të shitur, mendon Arturi, atëherë po largohem përsëri jashtë vendit, por këtë herë me shumë para. Për Arturin, si lojtar i vjetër bixhozi, Shqipëria është një fish i riciklueshëm në ruletë, që mund të shkojë shumë herë, deri kur për të paguhet. Ashtu si dhe fjala e gënjeshtërt mbi ato që ndodhin në shoqërinë dhe politikën shqiptare. All that jazz. All that lies.
Dhe Artur Zheji është vetëm 53 vjeç (55 sot). Ai ka ende shumë për të bërë në panairin e gënjeshtrave. Por një gjë ka për të mbetur e pandryshuar në kohë te ai. Duke qenë se Arturi është në thelb një dramaturg i dështuar, ai, me artikuj si “Panairi i gënjeshtrave” përmbush nevojën e tij vanitoze për të krijuar te publiku përshtypjen e rreme se ai përjeton një dramë si mendimtar, si analist, kur në fakt ai ka përjetuar dhe vazhdon të përjetojë thjesht një komedi.
Si analist Zheji në 2014 u filmua duke lexuar gjatë emisionit të Fevziut sms ku një politikan dhe familjarë të tij e kontrollonin sjelljen e tij në emision duke qortuar apo inkurajuar sipas rastit. Kjo ngjarje shkaktoi një debat mbi manipulimin nga ana e politikanëve të analistëve të njohur të debateve televizive nëpërmjet sms-ve që përmbajnë pyetje ose frazeologji të cilat ata duhet t’ i recitojnë me patetizëm në studiot televizive.