Albspirit

Media/News/Publishing

Profesor Ndue Zef Toma, i përjetshëm kujtimi yt!

Fritz RADOVANI

 

 

 

PROF. NDUE ZEF TOMA

(1935 – 2017)

 

Dikund andej kah Kelmendi u shkëputën disa grumbuj shkambijsh e në rrotullim ndër prrojet e ujnave të pasterta t’atyne Bjeshkëve të Nêmuna, erdhën e zune vend dikund aty nga Mali Kolaj e, një pjesë e mirë e tyne kah Velipoja. Edhe pse shkapetjet ishin të rrebta, shkambi mbet shkamb! Edhe Burrat që sollen me vedi, mbeten shkambij…

Një prej Atyne shkambijve të pathyeshem ishte edhe Ndue Zef Toma i Velipojës!

Nana e vet e thirrte Nosh… Edhe shoqnia me atë Emen e njohti dhe me te u moshue…

Kur Noshi bani 6 vjetët, Baba Zef ia dorzoi me mësue në shkollen e Don Alfons Trackit në Velipojë. Fliste me admirim per atë kohë… Në vitin 1945 ishte në Shkoder dhe ka vazhdue shkollen unike në shkollen “24 Maji”, prej ku ndjeku edhe të mesmen per me u ba mësues. Aso kohe kujtohej se ishte nxanës i sjellshem dhe shumë i vemendshem, me prirje artistike letrare. Prof. Gasper Ugashi kujtonte hartimet e bukra të Noshit…

Nuk i shpetoi sherbimit ushtarak, ku u rrezikue nga komisari i repartit per me sherbye në organet e sigurimit, po Noshi, paraqiti si pamundësi “të folmen në gjumë”, kështu, “tue vazhdue me folë në gjumë per disa kohë”, mujti me shmangë rrezikun e operativit.

Mbasi u lirue nga sherbimi ushtarak, Noshi tregonte se kur shkonte nder fshatra Atij, ju donte shpesh me vazhdue lojen e vjeter “të folmen në gjumë”…

Noshi ishte natyrë studjozi, i mbyllun dhe i pasionuem me letersinë…

Nder ma të pergatitunit në problemet gjuhësore, gja që kujtohej nga shokët e Tij, sesi u çue në kambë Prof. Eqrem Çabej, kur po fliste Noshi në provimin universitar, e pyeti ke ke pasë mësues, i firmoi librezen dhe Noshi mori diplomen… Ma vonë edhe kanë pasë takime pune ku, Prof. Çabej, e vlersonte nder të rrallët studenta me pergatitje model.

Noshi u emnue inspektor arsimi nder fshatrat e Shkodres, ku punoi disa vjet. Gjithmonë një inspektor i nderuem që askush nuk kujton një të keqe nga Ky Njeri. Evitonte rastet e pasojave që mund ti sillte kujtdo. “A jemi të zotët me ba mirë ?!” Ishte parimi i Noshit.

Në zhvillimin e “Revolucionit ideologjik e kulturorr të 1967”, edhe Noshit Ju gjet një rrfanë per me u largue nga seksioni i arësimit. E thirri në zyre sekretari PPSh, Mantho Bala dhe, i komunikoi transferimin në shkollen e Bregut të Lumit në Dukagjin. Kujtoj se aso kohe Mantho Bala shkoi në Ministrinë e Kulturës, dhe porsa u mbyll viti shkollor, Mantho e transferoi Noshin në Tiranë, në Institutin ku doli në pension.

Ikja në Tiranë per Noshin kje hapje e një t’ ardhmes së paparashikueme. Atje u martue dhe krijoi një Familje me dy engjuj trashigimtarë… Zonja e Tij e Nderueme kur e takon, të jep pershtypjen se Ajo asht le dhe rritë në ambjentin e Noshit që në moshë të re.

Në Tiranë Noshi asht marrë me punë shkencore dhe ka lanë disa studime me vlerë.

***

Tri ditë perpara nga Noshi unë mora një “tubë lulesh me 10 drandofille”…

Njena ma e bukur se tjetra! Me një aromë të paimagjinueshme! Lule që zbukurojnë jo vetem, dhomen ku i kam vendosë, po gjithë shtëpia ka ndryshue…

Gjethët jeshile tregojnë freskinë e Noshit që mi ka dergue.

Kur i mora, as nuk më shkonte nder mend se Ato dhjetë drandofille, do t’ ishin per mue Kujtimi i fundit i një Miku të dashtun dhe të shtrenjtë, si asht kenë Noshi per mue…

Ato Lule nuk vyshken, nuk vjetrohen as thahen… Ata do të jetojnë nder Shekuj…

Ato janë të Perjetshme ashtu si Emni i Noshit, që këndon në Lahuten e Malcisë vargjet e të Pavdekshmit At Gjergj Fishta…

10 VEPRAT E AT GJERGJ FISHTES, JANË BRILANTAT QË SOT UNË I SHIKOJ E FLAS ME MIKUN TIM NDUE ZEF TOMA, TUE RUEJTË NË MEND DHE NË ZEMER PERJETSISHT KUJTIMET E TIJ…

            Melbourne, 23 Nandor 2017.

 

 

Please follow and like us: