Albspirit

Media/News/Publishing

Valbona Peraj: Lashë punën në shtet, më ngjante si bordello

Valbona Peraj është një nga këngëtaret shqiptar, e cila ka zgjedhur një tjetër tokë për të ndërtuar të ardhmen e saj dhe të djalit. Peraj vjen në këtë intervistë të gazetës “Shekulli” me një rrëfim interesant për jetesën e saj të re në Amerikë. Ajo flet për arsyet që e çuan drejt një kontinenti tjetër, aktivitetet e ndryshme profesionale dhe familjare. Këngëtarja tregon se shumë shpejt ka një projekt të ri muzikor, ndërkohë nuk ngurron të japë komentin e saj edhe mbi zhvillimet politike në vend.

Prej kohësh jeni vendosur në USA, si janë ditët tuaja aty? Angazhimet?

Relativisht prej 9 muajve. Oh kur bëhet fjalë për ditët e mia ma beso se çdo ditë them kam nevojë të fle, kam nevojë për pak pushime. Që në mëngjes fillon e mbingarkuar, duke përgatitur djalin për shkollë dhe veten time për punë… Pasi kam disa kohë që punoj në Kompaninë Prestigjioze Amerikane në Shitjen e Makina Honda në NY. Përveç punës stabël çdo fundjavë e kam të mbingarkuar me angazhime muzikore si dasma, fejesa e gëzime familjare apo raste festash tradicionale shqiptare.

Amerika nga ana juaj u pa si mundësi më e mirë për ju dhe të dashurit tuaj. Djali juaj si e sheh këtë jetesë në një ambient të ri?

Të them të drejtën Amerika nuk është ajo që ne jemi mësuar ta shohim në filma, ajo që quhet ëndërr amerikane nuk ishte kurrë ëndrra ime. Jo vetëm SHBA, por asnjë vend në botë. Kam dhënë koncerte dhe jam kthyer përsëri në Shqipëri dhe kur kthehesha isha me atë shprehjen “ hë se do bëhet mirë dhe këtu”, por Shqipëria ka 27 vite në tranzicion nga të gjitha aspektet dhe si duket nuk e ka në mend të dalë nga kjo situatë. Ardhja ime këtu është vetëm për djalin tim pasi ajo kala modeste që unë ngrita në Shqipëri në këtë vend nuk ta njeh njeri e mbi të gjitha duhet të fillosh çdo gjë nga e para dhe për mua nuk është absolutisht e lehtë. Ndërsa për engjëllin tim(ALBO) ky është vendi i të gjitha mundësive nëse ke një talent. Ai po ecën mirë është i shkëlqyer në matematikë ku herë e pas here e vlerësojnë me gjëra stimuluese mësueset e tij. Pastaj gjuha për të ishte problem ditët e para, por jo tashmë.

Po ish-bashkëshorti juaj sa ju mbështet në këtë rrugë të re?

Ai jo vetëm që nuk ka qenë pjesë e jetës time dhe djalit që në moshën 8 mujore të djalit, por vetëm është munduar të jetë pjesë penguese në lumturinë time dhe në jetën e djalit të tij.

Sa po ndikon jetesa e re tekValbona?

Që në fillim e dija që nuk është asgjë e lehtë, aq më tepër për mua një femër vetëm me një fëmijë në krahë, në një kontinent tjetër, ku çdo rrugë është e panjohur për ty. Por kam ardhur me qëllimet e mia në këtë vend jo me ëndrra adoleshentësh për të kap majat e ajsbergut, por të gjej veten time këtu dhe ti shtroj rrugën e jetës djalit tim. Në Shqipëri aq sa mora të mira mora dhe zhgënjime pa fund, thjesht vendos sa të provoj diçka ndryshe, pasi dhe unë si tip nuk më mungon as kurajë e as vullneti për të vrapuar drejt diçkaje të panjohur por me shpresë për ndryshim më të mirë. Nuk dua të vdes me shpresë se po bëhet mirë.

Me çmendim zgjoheni çdo mëngjes?

Çdo ditë për mua është ndryshe këtu. Mund të them që vrapon dhe unë s’e kuptoj as veten e as kohën Çdo ditë i them vetes nuk ke bërë asgjë ti ke mundësi të bësh më shumë, nuk jam kurrë e kënaqur me veten ndoshta një sëmundje e lindur ose e fituar gjatë viteve.

Keni një moto?

Unë e kam të vështirë të marr një vendim në jetën time. Çdo vendim e marrim me mendim se do jetë në favorin tonë, ndoshta brenda një kohe dhe mund të pendohemi. Ka gjëra që kam bërë një jetë dhe jam penduar, por në shumicën e rasteve po të kisha mundësi të kthehesha në kohë përsëri do të bëja shumë nga ato zgjedhjet që kam bërë. Në këtë vend nuk erdha se nuk kisha mundësi të fitoja jetesën time, por nuk isha e kënaqur me mundësitë që më jepte Shqipëria.

Kur kujtoni Shqipërinë për çfarë ndjeni mall?

Për ata për të cilët më merr malli i kam pranë vetes time, djalin tim dhe prindërit e mi që vinë e më vizitojnë, gjithashtu dhe motra ime dhe miket e mia më të mira. Por fakti që unë kam udhëtuar shpesh gjatë gjithë jetës time, jo me qëndresa kaq të gjata ma ka bërë më të lehtë këtë pjesë. Por atë mall mund ta shikoj te djali im, por edhe ai çdo ditë e më shumë largohet nga ajo ndjesi.

Fakti që keni punuar në administratë kur keni qenë këtu ju shtyn të mësoni të rejat e fundit nga politika në vendin tonë?

Të shoh TV nuk kam shumë kohë,vetëm kur shikoj diçka rastësisht në portalet online por jo të shikoj diçka me këmbëngulje. Pastaj fakti që ika ishte se për 8 vite sa ta kenë pushtetin këta gjakpirës, unë do mbaja punën time nëse do më lejonin me bërryla apo duke u përballë çdo ditë me perversat që solli pushtimin. Dorëheqja ime nga nga puna në shtet ishte për faktin se ai vend filloi të ngjasojë më shumë me një kosh plehrash e bordello se me një institucion shtetëror.

Kur do e vizitoni Shqipërinë?

E kisha plan në verë, pasi jam e ftuar në disa aktivitete në Ulqin, Shqipëri dhe dasma, por puna ime më kufizon në lëvizjet me kohë të gjatë… Se di…

Luani shah në Amerikë?

Kujtuat shahun (qesh) , jeni e paparë. Në fakt e gjithë jeta jonë është një lojë shahu. Ku secili nga ne është ushtar i dikujt, mbron dikë,ka pozicione dhe mundohet të luftojë në drejtime të ndryshme por në fund është mbret që mundohet të qëndrojë në këmbë në fushën e jetës.

Cilat janë projektet tuaja?

Në fakt kam disa por çdo gjë do kohën e saj sidomos në këtë vend. Momentalisht jam në disa projekte pune,si dhe ato muzikore në USA. Pasi erdha me këto mendime dhe plane në kokën time. Jam Anëtare e Shoqatës më të rëndësishme të shqiptarëve në USA, Shoqata “Vatra” ku anëtarësimi dhe kontributi im u vlerësua me tone optimizmi edhe gjatë vizitës së presidentit Bujar Nishani në USA, ku për nderin e ardhjes së tij u bë një super organizim me këngë e valle të traditës shqiptare. Unë do vazhdoj të jem pjesë e kësaj shoqate ku do mundohem të sjell projekte artistike për shqiptarët në këtë kontinent të largët.

Kur do kemi një këngë të re nga ju?

Shumë shpejt. Pasi këtë herë po punoj për një projekt me kompozitorë që bashkëpunoj për herë të parë me ta dhe do jetë një Bonë krejt tjetër. Jo për faktin e flokëve të shkurtra (qesh).

Biografia e Valbona Peraj

Valbona Peraj ka lindur në Shkodër, ndërsa është në moshën 36-vjeçare. Peraj është një këngëtare dhe autore këngësh e njohur. Rritur dhe arsimuar në Tiranë prej 23 vjetësh. Studimet e larta i ka kryer për inxhinieri mekanike në Universitetin Politeknik në Tiranë dhe juridik. Aktualisht rezidente në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjithashtu, vazhdon ndjek studimet në Manhatan. Ka punuar në KESH OST si Zëdhënëse me marrëdhëniet me Publikun. Ka punuar në Ministrinë e Transporteve në DPSHTRR. Përveç këngëve që ka fituar shumë çmime të para si Euro Fest në Maqedoni, Festivali i Çamërisë, Hitet Verore, Klipet e vitit, Pjesëmarrëse në Top Fest 1 dhe 2, Mikrofoni i Artë etje, ka interpretuar në dy filma komedi: “Pesha e Gruas Sime” (2001) dhe “Trapi i Vjetër” (2005). Gjithashtu ka qenë imazhi i një kompanie shqiptare, ndërsa është nëna e një djali./Shekulli/

Please follow and like us: