Astrit Gjunkshi: Pëmbledhja ime e dytë poetike «Shpirti rri zgjuar»
Kur një vit më parë u promovua libri im i parë me poezi, «Botët brenda shpirtit”, njëri nga recensentët e librit, poet i nderuar që foli me këtë rast, u shpreh se kishte ndjerë nëpër rreshtat e poezive e poemave se autori kishte lënë të hapura mjaft tema që do t’i zhvillonte më tej në libra të ardhshëm. Doli se kishte patur të drejtë. Pa kaluar ende një muaj nga dita e atij promovimi, fillova të shkruaj poezi të reja që u shtuan njëra pas tjetrës në një proces krijues intensiv.
Tashmë, një vit më pas, ato u bënë njëqind poezi të cilat janë përfshirë në këtë libër të dytë që e kam titulluar «Shpirti rri zgjuar». Shpirti që rri zgjuar pulson në të gjithë librin. Ai pasqyron ndjeshmërinë time si qytetar dhe si krijues për tema që zenë një vend shumë të rëndësishëm në përceptimin për botën, për jetën, për shoqërinë në përgjithësi dhe për aktualitetin, në veçanti.
Mesazhi që përpiqem të sjell qartë në çdo poezi është se jeta duhet përjetuar me gjithë shpirt, me gjithë dashurinë njerëzore për të mirën dhe virtutet, të cilat mund të fitojnë vetëm pëmes përpjekjeve të vazhdueshme për të ndryshuar veten, shoqërinë dhe botën në drejtim të progresit. Duke qenë thellësisht realist në përshkrimin poetik të subjektit, kam qëndruar larg pesimizmit, duke parë dritën në fund të tunelit edhe kur duket se ajo është shumë larg. Subjektet e poezive janë të larmishme dhe ngërthejnë aspekte jetësore që fillojnë nga jeta e përditëshme deri në dukuri dhe koncepte abstrakte të filozofisë së jetës.
Për të bërë më tërheqës librin, poezitë janë sistemuar në pesë pjesë të veçanta tematike, në të cilat është kërkuar edhe një këndvështrim poetik që dallon nga një pjesë tek tjetra. Peneli i fjalës është gjetja poetike e zgjedhur si titull për pjesën e parë të librit, për të nënvizuar se fjala e thënë me art ka fuqinë që të paraqesë një portret apo peizazh edhe më thellë se sa peneli i piktorit. Fjala jo vetëm arrin të përshkruajë atë që sheh syri, por mund të bëjë të dukshme deri në detaje edhe veprën, mendimet, ndjenjat dhe shpirtin e njeriut për të dhënë një portret unik të personazhit. Me këtë frymë, janë sjellë portrete të personazheve të njohur të letërsisë, artit dhe kulturës sonë.
Me penelin e fjalës autori ka pikturuar edhe autportretin e tij, mbështetur në një dialog me ndërgjegjen, si dhe mjaft peizazhe që bëjnë njësh relievin dhe arkitekturën e një qyteti apo çdo mjedisi tjetër me historinë, me traditat dhe me jetën e njerëzve.
Nuk mund t’i mungonte këtij libri pjesa që lidhet me një dimension kaq thelbësor për jetën e njeriut, siç është dashuria. Në pjesën e dytë të librit, kjo ndjenjë kaq jetike për njerëzimin sillet jo vetëm në kuptimin e drejtpërdrejtë të dashurisë që lidh jetën e dy njerëzve, por edhe në kuptimin më të gjërë të dashurisë brenda familjes si dhe të dashurisë njerëzore për gjërat e bukura që ka jeta. Në këtë mënyrë, poezitë e kësaj pjese arrijnë të përshkruajnë pemën e dashurisë me plot fruta të ëmbla të lumturisë që sjell kjo ndjenjë sublime e njeriut.
Me ndjenjën e thellë të përgjegjësisë qytetare, pjesa e tretë e librit i është kushtuar dukurive sociale e politike të shoqërisë shqiptare. Krahas fshikullimit të aspekteve të tilla që ndeshen shpesh në shoqëri si mungesa e tolerancës, urrejtja, mashtrimi, varfëria dhe diskriminimi shoqëror, në poezitë e kësaj pjese janë sjellë fabula dhe figura poetike që venë theksin te kultivimi i mirësisë, tolerancës, bashkëpunimit, besnikërisë, transparencës dhe miqësisë së vërtetë.
Nuk i shpëton tematikës së kësaj pjese edhe trajtimi i temave që përshkruajnë lidhjen e ngushtë të papërgjegjshmërisë së politikës me deformimet e zhvillimeve demokratike në vendin tonë. Ndjenja e dashurisë për atdheun dhe për vendlindjen është gjykuar si një domosdoshmëri për të qenë e pranishme në poezitë e librit, të sistemuara në pjesën e katërt të tij. Kjo ndjenjë është mishëruar në vargjet që ngrejnë lart ndjeshmërinë për identitetin kombëtar përmes trajtimit të elementëve që janë themeli i identitetit shqiptar me njerëzit, gjuhën, tiparet dhe zakonet, heronjtë dhe simbolet kombëtare, trashëgimia e hershme e racës sonë në vende të tjera, apo vendlindja me kujtimet e saj.
Duke u nisur nga disa dukuri të tjetërsimit të historisë dhe të heronjve tanë kombëtar nga njerëz të papërgjegjshëm, në këtë pjesë janë përfshirë edhe poezi që trajtojnë ndjeshmërinë për këtë çështje me rëndësi kombëtare. Si një vijim i trajtimit të temave mbi filozofinë e jetës në librin e mëparshëm, në pjesën e fundit të këtij libri janë përfshirë poezi që trajtojnë aspekte thelbësore të kuptimit të jetës së njeriut, të identitetit të tij, të gjërave që duhen vlerësuar në jetë.
Është nënvizuar se, për të patur një jetë të suksesshme dhe që vlerësohet nga njerëzit, janë të domosdoshme që të luftohen që në embrion mjaft deviacione të sjelljes së pandërgjegjëshme dhe të përqafohen virtute si puna e palodhur, marrëdhëniet miqësore, ndërgjegja, sinqeriteti, e vërteta, vendosmëria, vizioni, përpjekjet e vazhdueshme për të më- suar, respekti për të tjerët dhe për vetveten. Këta nuk janë trajtuar në mënyrë moralizuese por përmes fabulash, japin mesazhe që të tërheqin me artin e fjalës poetike. Jam i bindur se lexuesi do të gjejë në këtë libër mjaft kënaqësi përmes bukurisë së fjalës, por edhe fabula tërheqëse dhe mesazhe të dobishme që i vlejnë njeriut për të ndërtuar një jetë të përmbushur, me një shpirt që rri zgjuar dhe që e bën atë të suksesshme, të denjë dhe të dobishme për vete, për njerëzit e tij më të dashur dhe për shoqërinë.
Tetor 2017