Albspirit

Media/News/Publishing

Gjylameti: Basha të jap llogari se ku i gjeti 1 milion USD për lobim në SHBA

Partia Socialiste i kërkojnë organeve të drejtësisë që të hetojnë deri në fund skandalin e transferimit të pothuajse 1 milion USD, nga kompani “offshore” në llogaritë e kompanive amerikane të lobimit. Deputetja e PS, Blerina Gjylameti në një deklaratë për mediat u shpreh sot se ka ardhur koha që politika të ndahet një herë e përgjithmonë nga lidhjet e saj me krimin. Ajo theksoi se kreu demokrat Basha nuk mund t’i shpëtojë skandalit.

“Janë një milion dollarë të vërtetuara jo nga ne, por nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, që PD ka paguar gjatë vitit 2017. Kush i pagoi këto para? Nga erdhën këto para? Cili është burimi i tyre? Përse Prokuroria nuk nis hetimet”, tha Gjylameti. Gjylameti theksoi se Basha duhet të shpjegojë se çfarë bëri gjatë vizitës së tij në Uashington në 22 mars, kur firmosi një kontratë me vlerë qindra mijëra dollarë me “Stonington Strategies”, të gjitha këto para të paguara nga llogari fantazmë. “Janë mbi 500 mijë dollarë të kaluara sërish nga llogaritë fantazmë tek një tjetër kompani lobiste, me qëllim krijimin e “farsës” se Uashingtoni mbështeste bojkotimin e zgjedhjeve dhe dhunën e propoganduar nga çadra. Në total, shpenzimet e Partisë Demokratike për lobistët në Uashington për peridhën mars-qershor kapin vlerën e 825 mijë USD, më e lartë se të ardhurat totale që Partia Demokratike deklaroi në KQZ”, u shpreh Gjylameti. Deputetja socialiste shtoi se, sot jemi në kushtet e rënda të shkeljes së ligjit nga ana e PD. Në deklaratën e shpenzimeve që PD ka depozituar në KQZ nuk figurojnë fare të raportuara këto shpenzime. Asnjëra prej këtyre pagesave nuk rezulton e deklaruar në raportin financiar të dorëzuar nga PD në KQZ për zgjedhjet e 25 qershorit, çka ngre dyshime serioze për origjinën e parave. Dhe për transparencë të publikut, shpenzimet e PD për fushatën zgjedhore të 25 qershorit raportohen vetëm 500 mijë dollarë, dy herë më pak sesa shpenzimet e kryera për këto pagesa për kompani lobingu”, tha Gjylameti .

“Të gjitha kontratat e nënshkruara me kompanitë lobuese mbajnë emrin, mbiemrin dhe firmën e Lulzim Bashës. Ndaj, ai sot nuk mund të fshihet, por duhet të dalë dhe t’i përgjigjet secilës prej këtyre pyetjeve”, tha Gjylameti.

Please follow and like us: