Albspirit

Media/News/Publishing

Jeta dhe fati tragjik i mësueses mirditore, Marie Tuci

Marie Tuci lindi më 12 mars 1928, në fshatin Ndërfushaz Mirditë, si e bija e Nikollë Mark Tucit dhe e Dilë Fushës. Ka qenë nxënëse e shkollës së mesme të motrave Stigmatine në Shkodër e më pas, aspirante e jetës rregulltare. Në vitin 1946, abati Frano Gjini e dërgoi mësuese në shkollën e Mirditës, së bashku me Davida Gjonmarkajn, si katolike të mira e të afta të luftonin për bindjet e tyre fetare. U arrestua pas reprezaljeve që u bënë në Mirditë nga qeveria komuniste, me rastin e vrasjes së Bardhok Bibës, sekretar i Partisë Komuniste në Mirditë, 11 gusht 1949. Për atë vrasje u fajësuan shumë familje mirditore, ndër to edhe ajo e Gjonmarkajve, së cilës Maria i përkiste. Po atë ditë u arrestua edhe i vëllai, Marku, të cilin nuk e pa më, as të gjallë, as të vdekur. Ishte shumë e këndshme, trupmesme, me flokët e lidhur rreth kokës e me një fytyrë fëmije, ku shkëlqenin dy sy të mëdhenj e të kaltër. Shumë u habitën kur princesha e vogël e shtëpisë së Gjonmarkajve zgjodhi rrugën e kuvendit e ndonjë që deshi ta shihte nuse, edhe qau. Por ajo kishte zgjedhur të bëhej nusja e Krishtit. Një dëshmi nga një bashkëvuajtëse e burgut, Olimbi Baruti, na tregon Marie Tucin: “Maria ishte inteligjente, guximtare, me besim e fe, lutej vazhdimisht edhe në burg, ishte antikomuniste e vendosur. Një herë në muaj merrte ndërresat që ia dërgonte e ëma përmes një mikut të vet e ato, Maria i ndante me shoqet e veta, sidomos myslimane”. Por ishte pikërisht kjo zgjedhje që do të bëhej shkak që në moshën 20-vjeçare Maria të arrestohej dhe të dënohej. Gjykata Ushtarake, që mori në shqyrtim çështjen e të pandehurës Marie Tuçi, e cilësoi atë fajtore për qëndrimin e saj kundër pushtetit popullor dhe ndihmën që familja e saj i kishte dhënë të arratisurve. Në fakt, vetëm pak kohë pas daljes nga hetuesia, Maria vdiq në spitalin e Shkodrës. Ata që e njihnin e mbanin mend të bukur, ndërsa atje, në spital, ndërsa vuante pasojat e kundërshtimit me forcë të komunizmit, pamja e saj ishte tjetërsuar. Thonë që ishte torturuar në mënyrë çnjerëzore. Ndoshta sot është e vështirë të kuptosh dhe të imagjinosh që mendja njerëzore është e aftë të pjellë tortura të tilla, që mendja njerëzore është në gjendje të fantazojë tmerre që shkojnë jashtë çdo logjike. Nga dëshmitë është parë se Motër Marie Tuçi “në gjysmën e trupit e shtinë në një thes, ku kishte brenda edhe dy mace. E rrahën egërsisht, macet u tërbuan dhe e shqyen me thonj. Kështu, gjersa dha shpirt”. Vdiq në spitalin e Shkodrës pas torturave çnjerëzore, më 20 shtator të vitit 1950.

Please follow and like us: