Albspirit

Media/News/Publishing

Pas dënimit të Mlladiçit, a mundet Serbia të përballet me të kaluarën e saj?

Jelena Subotiç

Ratko Mlladiç është dënuar për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte për rolin e tij si komandant i Ushtrisë Serbe të Bosnjës gjatë luftës së viteve 1992-1995. U zgjova në këtë lajm në SHBA me një përzierje ndjesi lehtësimi, revolte dhe zemërimi.

Pas dështimit që ishte lirimi nga akuzat i Vojisllav Sheshelit, sigurisht që është lehtësim të shohim se Gjykata Penale Ndërkombëtare për Ish-Jugosllavinë i mbështeti gjetjet e saj në rastet e mëparshme për të arritur në vendimin se forcat serbe të Bosnjës kryen gjenocid kundër burrave dhe djemve boshnjakë në Srebrenicë në korrik të vitit 1995.

Provat në çështjen e Mlladiçit ishin aq të mëdha, përfshirë edhe një video ku vetë Mlladiç tregohej duke lajmëruar atë që do të ndodhte me civilët boshnjakë, ditarët e tij personalë që tregonin me detaje takimet e tij dhe lëvizjet e trupave dhe armëve (përfshirë edhe nga Serbia), që tregojnë në shumë mënyra se dënimi i tij as që vihej në dyshim.

Por, siç kemi mësuar nga rastet e dështuara më parë, ndonjëherë edhe dëshmitë më të forta nuk janë të mjaftueshme.

Përsëri në përputhje me vetë precedentin e ICTY-së, Gjykata nuk arriti në përfundimin se fushatat vrastare kundër boshnjakëve në vitin 1992 përbënin gjenocid, në vend të kësaj preferoi t’i kategorizonte si spastrim etnik.

Ky është një turp dhe një mundësi e humbur. Duke pranuar se krimet kundër njerëzimit ndodhën në një masë të madhe në muajt e parë të luftës në gjashtë komuna të tjera boshnjake dhe se ekzistonte “një plan për të shkatërruar” boshnjakët, gjykata justifikoi lirimin nga akuzat për këtë akuzë gjenocidi me argumentin se viktimat ishin “një numër relativisht i vogël boshnjakësh të mbrojtur në total”.

Ky është një interpretim i veçantë i ligjit ndërkombëtar mbi gjenocidin, i cili e vendos barrën në qëllimin e shkatërrimit dhe jo në numrin e anëtarëve të vrarë të një grupi të caktuar.

Vënia në zbatim e standardit “shkatërrues” do të kishte paraqitur një narrativë ndryshe të luftës në Bosnjë, një në të cilën forcat serbe të Bosnjës synonin ta largonin tërësisht popullsinë boshnjake nga Bosnja – fillimisht nëpërmjet dëbimeve dhe më pas nëpërmjet gjenocidit.

Kjo është ajo që kishte në mendje Mlladiçi kur foli për planifikimin e “një ndarje të plotë nga boshnjakët dhe kroatët” në Bosnje.

Vendimi i gjykatës është një mundësi e humbur për të lidhur historikisht gjenocidin në Srebrenicë me politikat e tjera të shfarosjes në pjesën tjetër të Bosnjës gjatë gjithë luftës.

Duke e lënë Srebrenicën si një rast të izoluar, ajo zvogëlon kuptueshmërinë e publikut për arsyen e kësaj lufte dhe lejon që Srebrenica të ndahet nga pjesa tjetër e luftës, si një rast unik vrasës dhe jashtë kontrollit ushtarak.

Por ky interpretim thjesht nuk përputhet me harkun historik të luftës. Vrasja nuk ishte e rastësishme për qëllimet e luftës serbe të Bosnjës. Lufta u zhvillua për të vrarë.

Ndër shumë personazhe të neveritshme në këtë luftë, Mlladici në veçanti ishte një figurë revoltuese. Ai u soll gjatë të gjithë luftës pothuajse si një figurë vizatimore e keqe, duke pasur një ekip televiziv që ndiqte brutalitetin e tij të frikshëm njësoj sikur ky të ishte një program reality gjenocidi.

Ka video ku ai shfaqet duke i dhënë ëmbëlsira fëmijëve boshnjakë, duke u premtuar atyre se çdo gjë do të shkojë mirë, ditë para se ai të urdhëronte që ata të vriteshin dhe të hidheshin në varre masive.

Është e vështirë të kuptojmë thellësinë e kësaj shthurjeje.

Me të arritur në Srebrenicë në korrik të vitit 1995, ai doli para kamerës dhe premtoi se “do të hiqte qafe turqit”, duke e bërë sa më qartë që ishte e mundur arsyetimin nacionalist serb për gjenocidin, duke lidhur aktuale me lavdinë mitike pre-osmane serbe.

Nuk është e jashtëzakonshme që arkitektët e projektit nacionalist serb në vitet 1990 ndanin të gjithë këtë pikëpamje. Fakti që Mlladiçi vendosi ta bënte këtë deklaratë publike dhe pastaj të vazhdonte duke urdhëruar vrasjen masive të 8,000 boshnjakëve bazuar te kjo, e bën atë njeriun e keq të identifikuar më lehtë të kësaj lufte të tmerrshme.

Por ndoshta pasoja më e turbullt, dhe ndoshta totalisht e parashikueshme” nga vendimi i Mlladiçit është mohimi i plotë dhe absolut i elitave politike në Republikën Srpska dhe në Serbi.

Presidenti i Republikës Srpska, Milorad Dodik, për habinë e askujt, konfirmoi se Ratko Mlladiç ishte “një hero lufte” dhe se dënimi thjesht “do të rriste statusin e tij mitik”.

Por ishte reagimi i presidentit serb Aleksandër Vuçiç ai që ishte më ciniku nga të gjithë.

Nga të gjitha gjërat që mund të thoshte presidenti i vendit që armatosi, financoi dhe vuri në lëvizje politikat shfarosëse serbe të Bosnjës, dhe më pas e mbrojti Mlladicin si një të arratisur për 16 vjet me radhë, mesazhi i Vuçiçit për popullin e Serbisë ishte “vazhdoni, s’ka asgjë për të parë këtu”.

Ai nuk kishte asnjë mesazh për t’i dërguar viktimave boshnjake të Mlladiçit dhe për zgjedhësit e tij, mesazhi i tij ishte se asgjë nga këto nuk ka rëndësi – se ata duhet të përqendrohen te puna, infrastruktura, anëtarësimi në Bashkimin Europian (një ditë, ndoshta) dhe sigurisht tek votimi për të.

Por Mlladiçi duhet ‘i interesojë Serbisë. Gjenocidi për të cilin ai u dënua a rëndësi që Serbia të kuptojë të kaluarën e saj.

Mungesa e plotë e pranimit të politikave nacionaliste të viteve 1990 që çuan në gjenocid është ende në thelbin e identitetit politik të Serbisë, 25 vjet më pas. Nuk ka ka pasur kurrë një mospranim të plotë të të gjithë projektit nacionalist që nisi nën udhëheqjen e Sllobodan Millosheviçit, por vazhdon ende edhe sot.

Presidenti aktual i Serbisë ishte ministri i informacionit në qeverinë e Millosheviçit gjatë luftës në Kosovë. Ai ishte përgjegjës për propagandën serbe të kohës së luftës dhe një anëtar i rangut të lartë i partisë politike që kishte një krah paraushtarak të armatosur gjatë gjithë luftërave në Kroaci dhe Bosnje.

Vuçiç thjesht s’është në pozitë të heqë dorë nga politikat serbe të viteve 1990 kur ai vetë ishte i dobishëm në zbatimin e tyre. Nacionalizmi vazhdon, ai thjesht ndryshon në forma.

Serbia ka nevojë ta pranojë të kaluarën e saj. Largimi i Sllobodan Millosheviçit në vitin 2000 nuk e bëri këtë, madje as vendimet e marra në Gjykatën e Hagës.

Dënimi i Ratko Mlladiçit  është i domosdoshëm, i drejtë dhe ndoshta mund të sjellë lehtësim të menjëhershëm për të mbijetuarit dhe të paktën sadopak njohje për mijëra viktimat e tij.

Ai duhet të sjellë gjithashtu një ndryshim në kuptimin e asaj që ndodhi, si e lamë ne të ndodhte dhe pse ishte tmerrësisht e gabuar./birn/

Please follow and like us: