Prokuroria: Ja lëvizjet e tre ish-zyrtarëve të Policisë para “arratisjes”
Tre urdhër-arreste të pazbatuara, tre ish-funksionarë të policisë së Vlorës janë zhdukur pa lënë gjurmë, ndërsa Prokuroria për Krime të Rënda nuk ka më asnjë dyshim se operacioni për ndalimin e tyre u dekonspirua.
Burime nga Prokuroria për Krimet e Rënda sigurojnë se në momentin që janë firmosur urdhër-arrestet për tre ish-zyrtarët e lartë të policisë së Vlorës, ish-drejtorin e Policisë, Jaeld Çela, ish-shefin e Seksionit Kundër Krimit të Organizuar Gjergj Kohila dhe ish-shefin e Postës Policore të Radhimës, Sokol Bode, ata ndodheshin në Shqipëri.
Të njëjtat burime saktësojnë për “BalkanWeb” se ata jo vetëm kanë qenë brenda territorit të Shqipërisë por edhe pranë vendbanimeve të tyre, por që prej paradites së të mërkurës, kur mund të arrestoheshin, janë zhdukur pa lënë gjurmë.
Prokuroria megjithatë ka dyshime të forta që ata fshihen ende në Shqipëri, duke iu referuar të dhënave të TIMS, sipas të cilave, tre ish-zyrtarët nuk rezultojnë të kenë dalë jashtë Shqipërisë gjatë kësaj kohe.
Të njëjtat burime konfirmojnë se hera e fundit që ata kanë lëvizur jashtë Shqipërisë ishin muajt korrik dhe gusht.
E ndërsa ka dyshime që ata fshihen ende brenda territorit të Shqipërisë, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit ka nisur procedura disiplinore ndaj tre ish-drejtuesve të Policisë Vendore në Vlorë me qëllim largimin e tyre nga Policia e Shtetit.
Sakaq vetë ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj dha urdhër një ditë më parë që çështja e tyre të hetohet me imtësi. Ai kërkoi të kalojnë në sitë i gjithë rrethi i ngushtë i personave që kishin dijeni për urdhër-arrestet.