Rama në “Financial Times” lau duart si Ponc Pilati
Koço Kokëdhima
Pak ditë më parë kryeministri iu drejtua BE-së dhe gazetës më të madhe ekonomike në Europë, “Financial Times”. Hyrjen e opinionit e ka qëndisur sikur të ishte sherifi i dhjerë i Zululandit. Rama e pranon me bisht në shalë atë që e mohonte si virgjëreshë dhe sy për sy me gjithkënd deri dje. “Jam i vetëdijshëm se, nëse përmend Shqipërinë, disa njerëzve u shkon menjëherë mendja te droga dhe krimi”- shkruan me dorën e tij.
Këtë të vërtetë që bënte mú prej vitesh, nuk e thonë më vetëm Kryetari i ZGJIDHJA-s, dhjetëra media, shoqata dhe parti opozitare, ata mijëra emigrantë shqiptarë që po lënë vendin e pajetueshëm nga politikat e Rilindjes. Këtë “konstatim” fatal e bën dora vetë, Kryeministri i Shqipërisë në gazetën me prestigjoze britanike. O tempora, o mores! Rama bën fajtore edhe vetë Europën për mafian e drogës në Shqipëri.
Argumenti është sa amatoresk, naiv, dinak e diabolik, por aq edhe hipokrit: “Qeveritë e vendeve europiane duhet po ashtu të mbajnë pjesë të përgjegjësisë për t’i çuar (kriminelet shqiptare) përpara drejtësisë.” Pika kulminante në opinion arrin kur shefi i Rilindjes e pranon se kemi një mafie të atillë kanabisi që është e aftë të blejë e korruptojë gjithçka jo vetem në Shqipëri, por edhe vetë vendet europiane. A nuk është ky pranimi i asaj që denonconte vazhdimisht ZGJIDHJA se paratë e mafias u përdoren masivisht nga Rama e Tahiri edhe në zgjedhjet e 25 qershorit në Shqipëri siç del edhe nga përgjimet e hetuesisë italiane? Vini re, frikën dhe panikun e Ramës tani që e shikon se të gjithë po drejtojnë gishtin nga ai, sepse e dinë mirë se kryeministri është përgjegjësi numër një për kanabizimin e Shqipërisë dhe trafikun e drogës në vitet 2015-2017 dhe tani kërkon të dalë i larë si Ponc Pilati. Ai shkruan: “Ndoshta, shumë prej tyre (mafiozë shqiptarë) jetojnë diku gjetkë në Europë, duke pretenduar se janë tregtarë të ligjshëm. Por mos u gaboni. Ata janë kriminelë, bizneset ndërkombëtare të të cilëve skllavërojnë njerëz e bëjnë kërdinë kudo. Ata nuk do e mendojnë dy herë të përdorin pasurinë për të blerë influencë”.
Kjo është saktësisht gjëja që ndodhi në Shqipëri. Rilindja nuk e mendoi dy herë të përdorte paratë e drogës dhe të korrupsionit për të blerë këdo, për të kompromentuar të gjitha institucionet dhe për të skllavëruar njerëzit e varfër e të këputur të Shqipërisë që nga fushat e kanabisit e deri te qendrat e votimit. Edi Rama shpreson se nuk do japë llogari. Do përpiqet të heqë qafe ca nga të vetët, të përdorë sherbimet dhe drejtësinë për të burgosur e damkosur ca peshq të mëdhenj e të vegjël të Rilindjes, të cilët do t’i përjashtojë edhe nga funksionet politike, për të thënë pastaj që çdo berr varet nga këmbët e tij, Rilindja u pastrua dhe se ai s’ka patur asnjë lidhje me pjesën e pistë të saj, as me drogën dhe korrupsionin! Letra e hapur e kryeministrit shqiptar drejtuar 28 homologëve të vendeve anëtare të BE-së, mbyllej: “Ne kërkojmë ndihmën tuaj, e në këmbim, ofrojmë tonën, për t’i kapur këta njerëz dhe për t’i çuar përpara drejtësisë”.
Rama duhet të zgjedhë të ikë në paqe. Gjithsesi ai duhet të ikë! Bashkohuni me ZGJIDHJA-n për t’i dhënë fund kësaj tragjedie kombëtare që quhet Rilindja!
#ZgjidhjaPërQeverisjenQëDoni