Albspirit

Media/News/Publishing

Yzedin Hima: Dekorimi i dhunshëm i jetës sonë

 

Ka kohë që në Berat, por jo vetëm në Berat ka një përkujdesje maksimale për të evokuar të kaluarën jo shumë të largët sipas një kriteri tipik ideologjik, për fat të keq ende të pranishëm në jetën tonë. Në qytet ka filluar dekorimi i fasadave, lulishteve, mureve me pllaka përkujtimore pas të cilave ajo që mungon më së shumti është ngjarja.
“Kjo shtëpi ka qënë bazë e luftës”, “Këtu ka kaluar brigada x sulmuese”, “Këtu është strehuar shoku Z”, deri tek një pllakë që të bën edhe të qeshësh :”Këtu u rrëmbye (u grabit- shënimi im, Y.H) nga njësiti gueril shaptilografi”.
Këto pllaka nuk kanë të sosur në qytet, në fshat, pra në të gjithë Shqipërinë.
Nga lind gjithë kjo përkujdesje për t’na sjellë të shkuarën e afërt, në mjaft raste edhe të gënjeshtërt, tani në shekullin e internetit?
Ç’është ky dekorim i jetës sonë ?
Herë- herë Shqipëria i ngjan të famshmit Haxhi Qamil, që në një kohë marrëzie totale,(dhe këto kohra nuk janë të rralla në jetën e shqiptarëve) u vetëdekorua gjysmë gjeneral e gjysmë robinhud. Veshi një xhaketë gjenerali europe, vuri në kokë një kallpak pashai osman dhe poshtë mbante brekushet e fshatarit tiranas dhe u vu në kërkim të Babës. Pas e ndiqnin mijra e mijra njerëz më të marrë se vetë marrëzia.
Edhe sot me keqardhje vëmë re se Shqipëria po dekorohet si e tillë, por nuk jam fort i sigurtë nëse vërtetë Shqipëria, ashtu si Haxhi Qamili, është në kërkim të Babës.
Pllakat përkujtimore, ku flitet për beteja që nuk janë zhvilluar kurrë, po mbushin çdo rrëpirë fshati, çdo rrugë dhish, ku prej vitesh nuk kalon njeri. Lapidarë dhe monumente i ngrihen një kohe, kur përçarja dhe urrejtja midis shqiptarëve arriti kulmin. Ç’është ky vrapim në të shkuarën?
Njihet thënia se kush përtyp të shkuarën, nuk ka as të sotme as të ardhme.
Po pse bëhet e gjithë kjo? Natyrisht jo thjesht për të ruajtur traditën, vlerat e saj. Nëse do të fiksohej e kaluara me vlerat e saj tashmë të provuara do të qe një punë e lavdërueshme. Por e kaluara, tradita, civilizimi për dekoratorët tanë mëngjarashë nis më 1941.Cinizmi, propaganda, dhuna dekorative janë të pashembullta në një shoqëri që trumbetohet si pluraliste, e lirë e demokratike. Sot mund të thuhet se Shqipëria është vendi më i ideologjizuar në Europë.
Poeti i madh nobelist Josif Brodski, një ditë të bukur, duke dëgjuar një fjalim të sekretarit të partisë komuniste në fshatin ku e kishin syrgjynosur, befas këputet e bie pa ndjenja. Miqtë e tij të alarmuar e çojnë në spital, ku poeti i jashtëzakonshëm i nënshtrohet një egzaminimi të kujdesshëm. Në fund mjekët erdhën në përfundimin se Brodski i madh nuk kishte asnjë gjë. Kishte rënë pa ndjenja thjesht nga alergjia që i shkaktuan mendimet e cekta, nonsenset politike, marrëzitë që nxirrte nga goja sekretari i helmuar ideologjikisht i partisë.
Natyrisht, një shpirti të lirë, një gjeniu si Josif Brodskij i bënin reaksion pallavrat.
Ka dashur Zoti që ne të mos jemi aq sqimtarë dhe të ndjeshëm sa Brodskij i madh, në të kundërt përfytyroni se çfarë do të ndodhte kur të dëgjonim lajmet në tv, kur të lexonim pllakat, kur të dëgjonim fjalimet nëpër festa apo në përkujtim të ngjarjeve që s’ndodhën kurrë, kur të dëgjonim “fjalimet” e ca ofiqarëve tanë në tribuna e në institucione publike, kur të dëgjonim “fjalimet” e disa deputetëve që kanë studjuar për rastësi të gjithë në një universitet në Maqedoni. Të gjithë do të binim e do të ndodhte një katastrofë e madhe humanitare.
Po pse bëhet e gjithë kjo?
Jo thjesht për arsye ideologjike.
Europa Lindore ka kohë që është çliruar nga këto marrëzi. Ajo kërkon të integrohet dhe po integrohet realisht në Perëndim, ku idiotësitë ideologjike nuk pinë ujë.
Ka një pragmatizëm në gjithë këtë marrëzi në Shqipërinë tonë të dashur (siç thotë shpesh një politikan). Pragmatizmi qëndron në faktin e dekorimit të mjedisit me një ngjyrë politike, thjesht për të mbajtur gjatë pushtetin. Hidhni një sy faqeve të on line të institucioneve qendrore dhe atyre vendore: ngjyra mavi dekoron institucionet shtetërore që mbahen nga taksapaguesit me dhe pa ngjyra partiake. Banorët e një pallat në qendër të qytetit të Beratit u gdhinë të lumtur, sepse pallati i tyre në krye të rreshtit të pallateve përgjatë shëtitores “Republika” u dekorua “flamur” i partisë në pushtet, u bojatis mavi, ( me siguri zgjodhën këtë pallat, sepse ngrihet në krye të vargut të pallateve dhe si i tillë i takonte roli udhëheqës). Tabelat treguese, të vendosura kudo në qytet, të cilat orientojnë turistët në qytet u lyen me bojë mavi. Madje edhe disa seli tregtare i bojatisën zyrat e tyre mavi, që ta kenë mirë me pushtetin.

Berati është një qytet emblematik i qytetërimit shqiptar. Kur vijnë vizitorët dhe lexojnë pllakat “e famshme”, stepen. Natyrisht, nëse nuk do të vuanin pushtetarët tanë nga epilepsia ideologjike, vizitorët mund të lexonin: “Këtu në vitin 1281, pas dhjetë muaj rrethimi e qëndrese qytetarët e Beratit thyen anzhuinët. Në nderim të asaj qëndrese u ngrit kisha e Shën Mëri Vllahernës.” Ose : “Këtu u gjet Epitafi i Gllavenicës, vepër arti e vitit 1373.” Ose: “Këtu ranë trimërisht në betejë kundër turqve 500 luftëtarë italianë të dërguar nga Alfonsi V i Aragonës nën komandën e Raimondo Orsatës në ndihmë të Skënderbeut.” Ose: “Këtu u ruajtën Kodikët e famshëm të Beratit.”, Apo më poshtë, në buzë të lumit mund të qëndronte fare mirë një pllakë e tillë përkujtimore: “Këtu poeti i shquar Nezim Berati, Anakreonti i Shqipërisë (siç e quajti Hani- shënimi im, Y.H) më 1735 u ndesh në një garë poetike dhe fitoi me Mulla Alinë.” Ose “Tek kjo lagje ka qendruar studjuesja dhe mikja e madhe e shqiptarëve Edit Durham.” Ose, aty ku ka qënë rrojtorja publike mund të vendosej një pllakë, ku të njoftohej vërtetë për një ngjarje: “Këtu ka punuar si faturist berberhaneje poeti, studjuesi dhe përkthyesi i shquar Vexhi Buharaja.”
Kuptohet se këto pllaka e mjaft të tjera do të ishin mjaft domethënëse. Dekorimi metaforik apo i drejtpërdrejtë i jetës sonë ndjek jo thjesht një traditë të shëmtuar. Në ditën e festës kombëtare, më 28 nëntor flamujt e kuq djegin gjithë qytetin, krahas fare pak flamujve kuq e zi që valëviten në këtë ditë të shënuar. Nuk besoj se kjo ndodh thjesht për traditë a si zbukurim. Ende, në çdo festë bëhet përskuqja e qytetit.(Lexues i nderuar mund ta vëresh këtë fakt në këto ditë të fundit të nëntorit). Po cila është simbolika e flamujve thjesht të kuq?!
Po dekorimi i dhunshëm i jetës sonë nuk ndalet këtu. Ai vazhdon në salla mbledhjesh, ku nuk mungojnë edhe zyrtarë dhe politikanë të lartë, që sapo janë ndarë me personalitete europiane e amerikane, ku kanë ironizuar e qeshur me marrëzinë diktatoriale. Janë hipokritë apo pragmatistë?
Në një sallë mbledhje qene mbledhur veteranët e luftës. Kështu të paktën u lajmërua nga folsi i tv-së. Natyrisht, në sallë nuk kishte ndonjë 90 vjeçar. Qenë fëmijë kopshti deri tek 50-60 vjeçarë. Këta janë veteranët e famshëm?
Thuhet, por unë nuk dua ta besoj, se po ngrihen organizata veteranësh në lagje, në shkolla e deri në kopshte. Po harxhohen miliona për të vendosur lapidarë, pllaka përkujtimore, monumente, skulptura heronjësh të rreme, memorialë në zona pa asnjë banor, në fshatra ku jetojnë 2-3 shtëpi. Televizionet japin filma me luftën, që siç u shpreh një regjizor i njohur i filmit, më së shumti kjo luftë u zhvillua në Kinostudion “Shqipëria e re”.
Ndërkohë gjimnazistët nuk kanë paisje për të realizuar orët e mësimit, nuk kanë një fotokopjues, ku të fotokopjojnë testet e shumtë, nuk kanë kompjutera, nuk kanë internet, nuk kanë salla argëtuese e kulturore.
E gjitha kjo është një marrëzi e madhe, që luhet në kurriz të komunitetit. Paratë Europa dhe Amerika i sjell për të përmirësuar jetën e shqiptarëve, jo për të shtuar logot e ekstremit të majtë.
Në Shqipëri logot e diktaturës janë kudo të pranishme: turma të tëra të modeluara gjatë diktaturës sipas modelit sovjetik, bunkerë, pallate si guva, rrugë të ngushta, mungesa e ujit, mungesa e dritave, sherret politike, mjerim shpirtëror e mjerim ekonomik, njeriu i ri përbindësh, (“Në Shqipëri pashë dhëmbë të prishur, këpucë të zeza dhe sy të sëmurë epshorë”,-shkruante në një gazetë perëndimore një reportere e re në vitet 80-të.) Kur kemi kaq e kaq simbole e logo të diktaturës, pse duhet të shtojmë edhe ca të tjerë?! Kush përfiton nga deformimi i identitetit tonë të ngjizur ndër shekuj?!
E kaluara na ka kapur prej duarësh, prej këmbësh, dhe ç’është me e vajtueshmja prej koke. Natyrisht, s’kemi pse ankohemi hiç, kur Europa na e vë kufirin tek thana dhe prej kohësh e ka thënë për ata që kanë veshë: “Qëndroni matanë portës dhe përtypni të kaluarën!”

Please follow and like us: