Albspirit

Media/News/Publishing

Arnoni rrjetat -peshqit po ikin ditën për diell!

Pamflet nga Edmond Kaceli

Lajmi: Përpara se të binin në rrjetën e policisë, një treshe policësh të rangut të lartë, të akuzuar nga drejtësia, arritën të ikin në kohën e duhur!

Shumë të përgatitur këta drejtuesit e lartë të policisë shqiptare! As policia që duam nuk mbërriti t’i kapë në kohën e duhur!

Bravo çuna! Ikët në kohë! Ia hodhët paq. Të paktën për momentin.

Nuk jam në gjendje të them nëse arritët të merrnit me vete ndonjë shumë të mjaftueshme parash në kesh? Apo paratë i keni depozituar nëpër bankat e botës me kohë e me vakt! Jeta në arrati është shumë e vështirë, kërkon mund e sakrifica! Kam besim se jeni të përgatitur çuna!

Gjatë viteve të pushtetit, të tepsive të shkuara, dhe të tepsisë aktuale, besoj keni arritë të bëni para të madhe me punën tuaj të ndershme si drejtues të lartë të policisë së shtetit!

Mirë bëtë që ikët  në drejtime të paditura! Pse prangat politike do të pranonit ju!

Tani janë hedhur në kërkim se kush ju njoftoi! Dhëntë Zoti mos arrestohet ndonjë kryeplak prej katundit nga keni prejardhjen. Kjo simbas logjikës së drejtësisë së Timonierit të Madh: Faji në fund të fundit, është i kryeplakut të fshatit nga keni origjinën!

Me ligj, kryeplaku i fshatit duhet të dijë të gjitha drejtimet e ditura dhe të paditura të fshatarëve të tij, pavarësisht nga posti drejtues që kanë në shtetin shqiptar që do të bëhet një ditë!

Logjikisht dhe ligjërisht, për largimin në drejtim të paditur të tre drejtuesve të policisë, besoj nga fshatra të ndryshme, pritet të arrestohen tre kryepleq! Gjithëherë nëse nuk ka rrjedhje të informacionit, dhe kryepleqtë arrijnë të largohen nga sytë këmbët, në tre drejtime të mosditura! Arratia e kryepleqve, do të shëndrronte operacionin “Forca e ligjit” në “Forca e Leshit“.

Si është kjo puna e peshqve!

Rrjeta hidhet në detin e korrupsionit dhe fap!-Del bosh!

Sytë që t’iu pëlcasin të gjithë peshkatarëve! Të gjithë peshkatarëve, duke nisur nga Timonieri i Madh, Timonierët e Vegjël, Timonieri i Policisë dhe deri tek peshkatari Lu, (alias Ambasadori Amerikan).

Këtyre të vetëquajturve peshkatarë,  populli shqiptar, shumë largpamës në fushën e peshkimit, iu kishte thurur, shumë vjet më përpara se të niseshin për peshkim, këngën:

Peshkatari shkoi për peshk

hodhi rrjetat, zuri lesht!

Zotërinj peshkatarë, që të mos zini prapë lesht herën tjetër, lutem arnoni rrjetat!

Nëse nuk dëgjoni këshillën time, ju siguroj: Arnoni rrjetat! -se në rast mosarnimi të rrjetave, prapë peshqit do t’iu ikin ditën për diell, e prapë, siç thotë populli, do të zini vetëm leshtë!

Please follow and like us: