Avdush CANAJ,cikël poetik
DIEJT ME ÇANTA
Kur dalim nga çerdhja e drites
Pakëz vonohemi për në shtëpi.
Shoqet i ëmbëlsojmë
me buzëqeshje akulloresh.
Shkojmë edhe në Gërmi
t`i shohim dredhëzat
a i ka puthur dielli.
Edhe te shtëpitë ë zogjve ndalemi
për simfonitë e ëndrrave tona.
Kur kthehemi
gënjejmë ëmbël:
Ishim në një lojë basketi.
Zemrat e nënave e dinë mirë,
qeshin trëndafilçe:
Sa shpejt u rritën
diejt tanë me çanta!
VËLLA I PROMETHEUT
Ata godit e godit
Unë gojëkyqur
I lidhur duroja
Plasën nga inati ata
Thuaj të paktën Of
Asnjë klithmë
Dhëmbët shtrëngoja
Njëri bëri më gisht:
Është vëlla i Prometheut
Sigurisht
Sigurisht
Zemrën t`ia nxjerr dikush
Ta pjekim për raki në prush
Mostar,
Llogor i Veriut, 13 maj 1983
KU JE?
Ku je, baba?
Ku je?
Eshtrat
ku të tretën?
Në cilin varr masiv
të fshehur nga lubia?
Dua të mbjell
një lule për ty
e s`di ku,
me dhimbje shpirti
ta ujis.
Pikëllimi prek mbi re!
Baba, ku je? Ku je?
FSHEHTËSI
Më tha një fshehtësi
ylli im mbi qershi
që përralla më falë
nga xhepat e Cukelit:
Hëna
ka filluar të shkruajë
një roman të vogël
për ëndrrat e harabelit!
Ju, pësssssst!
Askujt asnjë fjalë!
Ju betohem
në peshqit e lumit,
kur ta përfundojë,
do ta lexojmë bashkë
te pragu i gjumit!