Albspirit

Media/News/Publishing

“Dashuria” e LSI për tragjedinë e marsit ’97 dhe shpresa për një tragjedi të re

Pas kësaj “dashurie” të madhe të LSI dhe Meta-Monikës me vitin 1997, fshihet diçka akoma më e madhe: përpjekja për të shpëtuar nga hetimi i dosjeve të rënda të krimit, korrupsionit dhe trafiqeve. Këtu konvergon dhe dashuria e madhe e LSI për vitin 1997, tek shpresa e një tragjedie të re për të mbuluar pisllëqet e vjetra!

Gjergj Zefi

Siç edhe mund ta keni vënë re lehtësisht ekziston një garë mes drejtuesve të lartë të Lëvizjes Socialiste për të rikthyer në memorien e shqiptarëve tragjedinë e marsit të vitit 1997. Kohën kur shqiptarët u rebeluan ndaj qeverisë së atëhershme të PD-së, e drejtuar me dorë të hekurt nga presidenti i asaj kohe Sali Berisha. Një rebelim ky, i justifikuar deri një një farë mase, pasi shteti kishte futur dorën në xhepat e qytetarëve të tij. Përmes piramidave mashtruese kishte grabitur 1.2 miliardë dollarë kursime. Të cilët të nxitur edhe nga Presidenti i kohës në këtë marrëzi kolektive, me deklaratat e tipit “paratë tona janë më të pastrat në botë”, shitën shtëpi e katandi dhe i futën në këto firma mashtruese. Një traumë kjo, që as sot e kësaj dite nuk është shlyer nga memoria e shqiptarëve. Shtuar këtu dhe afër pesë mijë të vrarë nga kjo marrëzi kolektive, për shkak të armatosjes së popullsisë ku miliona armë, ishin madje edhe në duart e fëmijëve. Bandat shpërthyen dhe lulëzuan ngado. Dhe pikërisht këtë kohë të tmerrshme ka gjetur të promovojë tash sa ditë LSI.

Në fillim nxorën Petrit Vasilikonë që deklaroi se “Rama duhet të heqë dorë nga prishja e kontratave që mund të sjellin një dëm ekonomik për arkën e shtetit deri në 2 miliardë euro. Se për cilat kontrata bëhet fjalë, vetëm Vasilikoja dhe ata që urdhërojnë Vasilin të flasë e dinë. Ndoshta bëhet fjalë për kontratat e guroreve dhe mermerit nga Fushë Kruja e deri në Malin e Tomorrit. Gurore që janë në pronësi të Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit dhe që vërtetë mund shkaktojnë dëm të madh ekonomik, por për familjen presidencialo-opozitare që e ka masakruar tërë këtë zonë.

Pas Vasilikosë, del vetë kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, e cila sërish rikthen në kujtesë dhe kërcënon me tragjedinë e marsit të vitit 1997. Monika është akoma edhe më e “egër”. Duke thënë se situata në Shqipëri është njëlloj si në vitin 1997, pasi sipas multimiliarderes Monikë, aktualisht shqiptarët janë duke vuajtur për bukën  e gojës, situatë në të cilën ishin dhe në vitin 97-të, pasi humbën kursimet e tyre.

Ndonëse shkaktari i tragjedisë së marsit 1997 është tashmë aleat i Monikës dhe Ilirit, madje ka qënë gjithnjë aleat i tyre, Monika vijon të “argumentojë” teksa thotë se nëqoftë se në ’96-’97 shqiptarët humbën kursimet e tyre, tashmë po humbasin  shpresën, sepse kursime s’kanë më. Zonja Monikë thotë se opozita erdhi nga tronditja e 25 qershorit, dhe do t’i duhet kohë që të riorganizohet. E ka për Lulin se vetë Monika erdhi nga pushteti tetë vjeçar me Berishën dhe Ramën. Rikthimi i LSI tek viti 1997 dhe rënia në “dashuri” me tregjedinë e para 20 vjetëve, ku u shkatërrua shteti nga themelet, e ka një qëllim..

Teksa Monika thotë se opozita është e dobët, tenton që të nxisë revolta popullore kundër qeverisë, për ta rrëzuar atë me dhunë. Jo thjeshtë për të ardhur në pushtet, por për të krijuar trazira dhe për të shmangur zbatimin e Vettingut dhe Reformës në Drejtësi. Pasi, pas kësaj “dashurie” të madhe të LSI dhe Meta-Monikës me vitin 1997, fshihet diçka akoma më e madhe: përpjekja për të shpëtuar nga hetimi i dosjeve të rënda të krimit, korrupsionit dhe trafiqeve. Këtu konvergon dhe dashuria e madhe e LSI për vitin 1997, tek shpresa e një tragjedie të re për të mbuluar pisllëqet e vjetra!/Pamfleti.com

Please follow and like us: