‘Djaj në Veladon’, libri provokues ndaj kryepeshkopit Janullatos
Është komentuar jo pak në mediat greke dhe është quajtur provokim prezantimi në Panairin e Librit të Tiranës i botimit “Djaj në Veladon” me autor Sejdi Kondin. Në kopertinën e librit është stampuar ikonografia e Shën Kozmait dhe Kryepeshkopit të Kishës Orthodhokse, Anastas Janullatos me titullin “Djaj në Veladon”.
Libri në kopertinën e jashtme nuk përmban ndonjë shënim mbi shtëpinë botuese, por botimi prezantohej dhe shitej për publikun në stendën e “I Love Çamëria”, ku listoheshin kryesisht tituj librash mbi Çamërinë. Sipas mediave greke, libri nuk ka bërë përshtypje ndonëse në panair parakaloi thuajse gjithë kabineti qeveritar dhe Presidenti i Republikës.
Vetë kryepeshkopi Janullatos i pyetur nga ANT1 bëri këtë koment. “Forca ime është e madhe. Sulmi ka kaluar çdo kufij të arrogancës dhe provokimit, por nuk i ka kaluar kufijtë e mi të durimit dhe dashurisë. Me të tilla akte bëhen përpjekje të minohet harmonia fetare. Ne po luftojmë për bashkëjetesën harmonike”– tha kreu i Kishës Ortodokse të Shqipërisë.