PD i përgjigjet Ballës: Kontratat e lobimit, dokument publik
Partia Demokratike iu është përgjigjur akuzave të deputetit Taulant Balla dhe Blerina Gjylametit në lidhje me kontratat e lobimit në SHBA. Prej disa ditësh selia rozë akuzon Partinë Demokratike se ka lidhur kontratë me një kompani lotimi me të ardhura financiare të dyshuara, duke thënë se burimi i parave është i fshehur. Sot PD është shprehur me një komunikatë zyrtare, duke thënë se kontratat e lobimit janë dokument publik që janë të depozituara në Departamentin Amerikan të Drejtësisë. Me ironi, opozita thotë se Balla e Gjylameti mund t’i hetojnë në çdo kohë dhe se janë të mirëpritur të marrin edhe Saimir Tahirin dhe Agron Xhafën dhe Moisi Habilajn në ekipin e hetimit.
Deklarata e plotë e PD-së
Kontratat e lobimit të Partisë Demokratike janë dokument publik që janë të depozituara në Departamentin Amerikan të Drejtësisë. Kontratat dhe pagesat e bëra janë subjekt i ligjeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe janë audituar dhe kontrolluar nga qeveria amerikane.
Megjithatë Taulant Balla dhe Blerina Gjylameti janë të mirëpritur t’i hetojnë ato në çdo kohë. Partia Demokratike u vë në dispozicion një kopje kur të duan. Madje janë të mirëpritur të marrin edhe Saimir Tahirin dhe Agron Xhafën dhe Moisi Habilajn në ekipin e hetimit.
Shpërqendrimi i vëmendjes nga kriminalizimi i qeverisë dhe Partisë Socialiste është shërbim ndaj krimit dhe minim i interesit publik. Vetë Taulant Balla dhe Blerina Gjylametaj duhet të jenë më të shqetësuar për fatin e partisë së tyre që ka rënë nën kthetrat e krimit.
Sidoqoftë, shashkat dhe tamtamet e tyre nuk mbulojnë dot bëmat ndaj shqiptarëve dhe Shqipërisë të Saimir Tahirit, Vangjush Dakos, Qazim Sejdinit, Elvis Roshit dhe të vetë Edi Ramës që janë zhytur në krim dhe trafik droge duke vënë në rrezik sigurinë kombëtare, sistemin politik dhe të ardhmen ekonomike të shqiptarëve.