Albspirit

Media/News/Publishing

Sadik Bejko: Mbase prushëroj sërish…

Image result for bejko me izet shehun prishtine
(Poezi postume nga Izet Shehu)

Kam në duar rreth 100 poezi të pabotuara të Izet Shehut. Ato vijnë nën titullin “Poezi për më vonë”, një titull të lënë nga autori që me gjallje të tij. Nuk çuditem që kam dhe një libër të ri të Izet Shehut dhe se ai u bënë gati tre vjet që nuk është më. Në bisedat tona të përditshme binte fjala dhe për atë që ai na thoshte se po shkruaj poezi, shkruaj për natë.
Ne, pak shokë të tij që iu ndodhëm pranë deri në ditët e fundit e kujtojmë shpesh atë. Dhe na zgjohet një buzëqeshje për atë vetvetishmëri e spontanitet të sjelljes së tij. Izeti ishte i drejtpërdrejtë. Ai shpërthente si zjarr e shuhej ëmbël me një buzëqeshje gati naive. Nuk mund të mos e duash një njeri të tillë. Të tejdukshëm. Madje deri në një shkallë të tillë që shpesh të vinte në shmang, se Izeti mirë me ne miqtë, po dhe me të tjerët nuk fshihte gjë në ato që ndjente e mendonte.
Kanë ndodhur ngjarje që ai i priste dhe ne mendojmë atë që do të thoshte në njërin rast apo në tjetrin. Në jetë dhe në art Izeti ishte njeriu që donte dhe që urrente. Ishte o andej, o këndej. Nuk i pëlqenin oportunistët. Ai që kishte vuajtur burgje e pushkatime në familje, i urrente katovicianët, neokomunistët që u shtirën si demokratë. Si ish i persekutuar ai shpejt e provoi mbi shpinë se era e demokracisë së cilës ai iu përkushtua me gjithsej, nuk ishte për të.
Këto që shkrova lidhen me këtë vëllim. Izeti ishte një copet, si në shoqëri, si në shtëpi, si në poezi. Pra poezia e tij vjen si çlirim nga ngërçet shpirtërore, si shfrim i fortë ndjenjash, si evokim situatash emocionale, si ëndërrim, si parandjenjë, si mallkim.
Ai shkroi me shpejtësinë dhe me forcën e një përroi malor me dallgë. E filloi poezinë aty nga viti 1997 dhe rrëketë e forta të frymëzimit të tij veç rridhnin, vrullonin deri ditën që vdiq. Këtu po shënoj se atij ia ndërprenë për arsye politike botimin e një libri poetik në rininë e tij. Pas 1997-tës ai shkroi artikuj, ese roman, tregime dhe poezi. Atë që s’e lanë ta bënte në një jetë, i dha formë dhe e përsosi në pak vjet. Në pak kohë ai arriti ta kansolidojë shprehjen poetike. Në këtë libër shohim formën strofike pak të çlirët të një strukture poetike me rreth 15-20 vargje. Një poezi që nuk e kalon faqen. Izeti është i ngjeshur në fjalë dhe rrëmet buçitës në forcë, në ndjeshmëri.
Kohë më parë duke komentuar një poezi të tij kam shkruar se ndonjëherë poezi kaq të thjeshta mund të ndryjnë mesazhe të mëdha. Nuk e tepëroj, ose dhe në mund ta tepëroj pak, prapë ngul këmbë që jam shumë serioz në këtë që po ju them: poezi të tilla duhen shkruar në sheshet e qyteteve, në stacionet e autobuzave, në vendqëndrimet e taksive, në limane ku ndërrohen pasagjerët e trageteve, etj kudo ku ka grumbullime publike të atyre që janë në lëvizje.

***
Mos e mallko shpresën e tharë,
Mos i mallko ëndrrat e verdha,
Të marrit mos i thuaj i marrë,
Fluturat mos i qorto pse i vërtit era.
Mos u ngazëllo kur shpërthen jargavani,
Kur zhvishen sërish mos u trishto!
Një kumbull e kaltër në hiroglifet e ajrit
Diç do të thotë, por s’e thënka dot.
Mos e mallko fatin e paracaktuar,
Bindu shkrimit mos u tundo nga mosbindja.

Në botën shqiptare të këtyre viteve ka shumë marrëdhënie të prishura, ka shumë urrejtje, shumë zili, shumë padrejtësi, shumë zhgënjim. Jo më kot Shqipëria renditet ndër vendet më të palumtura në botë. Shqiptarët e vuajnë faktin e një tranzicioni me institucione te brishta, për të mos thënë hibride as demokratike as totalitariste, e vuajnë faktin që varfëria e papunësia nuk po zbuten, që të pasurit me çdo mjet e paudhësi po hyjnë në politikë, që fëmijët e shumicës së shqiptarëve po emigrojnë nga Shqipëria dhe ata të rinj që mbeten këtu mund të kenë fatin e prindërve që po plaken pa e jetuar jetën si njerëz. Ja përse dhe poezia e Izetit mbartte shumë rrevoltë e zhgënjim, mbartte ankthin ekzistencial që jep zhgënjimi dhe pasiguria. Në poezinë më lart si dhe në shumë pozi të librave të tij, edhe të këtij vëllimi, Izeti merr mbi supe misionin e shëruesit të traumave. Shërimin shpirtëror të vetes dhe të njerëzve të kohës së tij. Ai bën thirrje për ekuilibër shpirtëror, për forcë shpirtërore, për përballje dhe për pranim të fatit.
Temat e tjera, ato filozofike me pyetjet hamletiane për shthurjen, me atë që kjo botë dhe krijuesi i saj nuk japin një përgjigje për pyetjet pse vijmë, pse ikim, është ferri në tokë, po Parajsa? Janë të shkruara me dertin e meditimin e të moshuarit që po ikën dhe që ende e shtypin dyshimet e kuptimit të ekzistencës.
Janë dhe temat e vendlindjes, të Myzeqesë së cinkës, zarigogës, të fushës, të Lunjës, lumit të fëmijërisë së Izetit. Vijnë ndërrimet e stinëve, të motit, rrënia e veshja e gjethimit në pemë. Por jo si poezi të natyrës, vijnë si poezi të meditimit, të refleksionit për fatin dhe rrokullisjen e rrotës së fatit njerëzor.
Pa dyshim që në libër parandjehet vdekja. Janë një sërë poezish me këtë temë. Thonë se njeriu vdes atëherë kur ai do vetë që të vdesë. Izeti që nxitonte të shkruante, ta shkundte të gjithë thesin poetik, e kishte prekur vdekjen. E dinte ku ishte. Kishte pranuar të shkonte me të, në “perandorinë e frikshme”. E dinte dhe që do të delte përtej saj, prapë këtu në tokë jo gjetkë. Te ne që e lexonim dhe e donim. Së pakut tek ne e kishte të sigurt që do të kthehej. Por edhe tek të tjerë.
Ndaj e ka lënë pas këtë libër.
Ai në ditët e fundit nuk na pranonte kur kërkonim ta takonim. Kishte vendosur të ikte. Nxito shpejt o dre se të zuri nata, thotë në një nga poezitë e fundit. Ai e di se çfarë llogarish brenda vetes së tij dhe me veten e tij po mbyllte:

Ca porta të përhime, ca kërcëllima që therin,
Ca mëdyshje që hepohen mes dritës e territ.

Ai është ndier edhe këndej, edhe andej. Mbase. Por poezitë thonë edhe që me fjalën, nëpërmjet fjalës poeti mund të ringjallet: “Më lexo kur të kem vdekur… mbase më kupton më mirë/mbase prushëroj sërish”.
Sadik Bejko 6 korrik 2015

MË LEXO…

Më lexo kur të kem vdekur,
Mbase më kupton më mirë.
Do të jem thëngjill i djegur,
Midis barit në çair.
Aty ndalu pak po deshe,
Më fikso në sytë e bukur.
S’do ta gjesh prushin e parë,
S’do të flatëroj si flutur.
Më lexo kur të kem vdekur,
Më kupto çfarë ruaj në shpirt,
Mbase më kupton më tepër,
Mbase prushëroj sërish…

 

Në përkujtim të 5-vjetorit të ndarjes nga jeta të poetit dhe shkrimtarit Izet Shehu (15 dhejtor 1942-25 nentor 2012).

 

Kush është Izet Shehu?

Izet Shehu lindi në Lushnjë më 15 djetor 1942. Mbaroi gjimnazin nëLushnjë1960, ndërsa studimet e larta në Universitetin e Tiranës,Fakulteti Histori-Filologji, dega gjuhë letërsi shqipe. Më 1995 ka kryer Kolegjin e Mbrojtjes së Shqipërisë. Ka punuar si mësues i gjuhës dhe iletërsisë shqipe në Lushnjë dhe Elbasan. Krijimtarinë letrare e nisi qysh në bankat e shkollës. Botoi dendur gjatë viteve gjashtëdhjetë, por, për shkak të biografisë politike, pasi iu pezullua vëllimi poetik “Gjaku im”, do t’i hiqej përfundimisht e drejta e botimit deri në vitin 1990. Është një prej inicuesve dhe themeluesve të Partisë Demokratike dhe në vitin 1991-1996 u zgjodh deputet i kësaj partie në Kuvendin e Shqipërisë. Është dekoruar si mësues me urdhrin “Naim Frashëri të klasit I” dhe me medaljen “Pishtar i demokracisë”. Pas viteve ’90-të boton artikuj, polemika, ese, prozë e poezi në disa nga organet më të rëndësishme kombëtare.

Disa nga botimet e autorit

  • “Çiltërsi lirike”, përmbledhje poetike
  • “Vjeshtë njerëzore”, përmbledhje poetike
  • “Ëndrra trëndafilash në borë”, përmbledhje poetike
  • “Brohorima e një dimri”, përmbledhje me tregime dhe novela
  • “Troku i fatit të verbër”, përmbledhje poetike
  • “Mjegulla e trishtimit”, përmbledhje me tregime
  • “Fatkeqja e bukur”, novelë
  • “Perëndimi në zabelin plak”, përmbledhje me tregime
  • “Mbi qerpikë çlodhet agu”, përmbledhje me poezi
  • “Drithërime muzgu”, përmbledhje poetike
Please follow and like us: