Albspirit

Media/News/Publishing

Topuzi: Përjashtimi nga taksat i hoteleve me pesë yje do të dëmtojë industrinë ekzistuese

Shqipërisë i mungon infrastruktura bazë (aeroporte, pastrimi i ujërave të zeza, menaxhimi i mbeturinave, përgjegjësi të qarta në të gjitha nivelet për zhvillimin e turizmit, etj.) për të zhvilluar me shpejtësi turizmi elitar, shprehet Zak Topuzi, nga Shoqata e Hotelerisë dhe Turizmit.

Ai thotë se studimet e 15 viteve të fundit për sektorin e turizmit flasin për një zhvillim të moderuar të strukturave hoteliere, kryesisht ato me 3-4 yje, ndërtimin e një numri të kufizuar resortesh dhe zhvillimin e turizmit familjar duke vitalizuar fshatrat ekzistues. Kapërcimi me shpejtësi tek turizmi elitar do të jetë një ndërmarrje e vështirë.

Topuzi shprehet se në zonat bregdetare ka potenciale turistike, por mungojnë infrastruktura dhe kapacitetet profesionale, duke filluar nga personeli i shërbimit e deri tek kapacitetet menaxhuese në Bashkitë korresponduese. “Vlerësoj nxitjen e qeverisë për të ndërtuar njësi të turizmit elitar, por druhem se nuk jemi gati. Është një praktikë që mund të dëmtojë industrinë ekzistuese, në rast se nuk bëhet e studiuar mirë”, pohoi ai.

Si i vlerësoni masat nxitëse që ka marrë qeveria për turizmin në Paketën Fiskale përmes përjashtimit nga tatimfitimi, taksa e infrastrukturës, taksa e pronës dhe zgjerimit të uljes së TVSH-së?

Shqipëria ndodhet disa hapa prapa rajonit. I mungon Strategjia, gjithashtu Master Plani i Përgjithshëm i Turizmit. Janë dy elemente të rëndësishëm për të nxitur investime serioze në turizëm. Nuk ka filluar procesi i vlerësimit dhe klasifikimit me yje i hoteleve. Pra jemi të papërgatitur për një hap të shpejtë të zhvillimit të turizmit elitar. Shqipërisë i mungojnë kapacitetet akomoduese, nuk ka asnjë njësi, në bregdet, që të plotësojë kërkesat e një target-grupi për turizëm elitar të rërës dhe detit. Vlerësoj nxitjen e qeverisë për të ndërtuar njësi të turizmit elitar, por ndruhem se nuk jemi gati, për arsyet që përmenda më lart. Është një praktikë që mund të dëmtojë industrinë ekzistuese, në rast se nuk bëhet e studiuar mirë.

Sa hapësirë dhe treg ka vendi për ndërtimin e hoteleve me 5 yje?

Në zonat bregdetare ka potenciale turistike, por mungojnë infrastruktura dhe kapacitetet profesionale, duke filluar nga personeli i shërbimit e deri tek kapacitetet menaxhuese në Bashkitë korresponduese. Kujdes duhet të tregohet në Tiranë pasi ka një tendencë për të ndërtuar hotele me pesë yje kur tregu për këtë kategori biznesi është i kufizuar.

Lidhur me investimet në zonat malore ka një zhvillim pozitiv lidhur me hartimin e Rregullores së Planifikimit të Territorit, por dhe Planeve të Përgjithshme Vendore për Bashkitë në zonat Verilindore, por jemi ende në fazë jo përfundimtare.
Investimet në këto zona kërkojnë përgatitjen e infrastrukturës në përgjithësi dhe paraqesin risk të lartë në kthimin e kapitalit të investuar. Paketa e stimulimit, hartuar nga qeveria për ndërtimin e hoteleve apo resorteve në këto zona, do të ishte një zhvillim shumë pozitiv.

Sa krijon diskriminim kjo paketë me pjesën tjetër të hoteleve që synojnë turizmin masiv?

Sigurisht do të sjellë çorientim dhe inflacion të çmimeve të shitjeve e deri te çekuilibrimi i tregut të punës në zona të tejngopura si Tirana. Në rastet e investimeve në bregdet apo zonat malore, ndikimi do të jetë më pak i ndjeshëm si rezultat i kërkesës në rritje të vetë tregut ballkanik për shërbime cilësore. Vetë shqiptarët nuk e gjejnë veten dhe kërkojnë përvoja rajonale për pushime. Greqia raportoi një fakt interesant. Turistët shqiptarë që frekuentojnë Greqinë nga viti 2009 deri në 2016 janë dyfishuar (nga 225.000 turistë në 2009, raportohen 510.000 turistë shqiptarë në 2016).

Për çfarë lloj turizmi ka potencial Shqipëria dhe si duhet nxitur ai?

Duke studiuar me kujdes Strategjitë e Turizmit në 15 vitet e fundit arrin në konkluzionin që Shqipërisë i mungojnë Infrastruktura Bazë (aeroporte, pastrimi i ujërave të zeza, menaxhimi i mbeturinave, përgjegjësi të qarta në të gjitha nivelet për zhvillimin e turizmit, etj.) për të zhvilluar me shpejtësi një turizëm elitar. Ato flasin për një zhvillim të moderuar të strukturave hoteliere, kryesisht ato me 3-4 yje, ndërtimin e një numri të kufizuar resortesh dhe të zhvillojë turizmin familjar duke vitalizuar fshatrat ekzistues. Kapërcimi me shpejtësi tek turizmi elitar do të jetë një ndërmarrje e vështirë/monitor.al

Please follow and like us: