Urtësia është e pafuqishme përpara egërsisë
Ibrahim Berisha
Çfarë bënte turma metafizike brenda dhe jashtë gjyqit, salla dhe stadiume, kur shpallej dënimi me vdekje për Gjon Serreqin, Ajet Gërgurin, Marije Shllakun, Halim Spahinë.. Turma e zgjedhur e shkretë, e shndërruar në institucion patologjik (shoqëror) politik e propagandistik. Çfarë synonin të rinjtë entuziaste në salla dhe stadiume, kur thërrisnin: “Pushkatim, pushkatim!”. “Gjyqi i Popullit-Pushkatim!”.
Kur matematicienti dhe filozofi Arkimendi shpërtheu lakuriq nga vaska e ujit duke thirrur “Eureka”, autoritetet politike kishin bërë gati gjithë programin e ceremonisë së vrasjes së tij. Hyri në vaskë të lahej mirë e mirë për të shkuar në botën tjetër krejt i pastër. Tashmë, përpara se të vritej, ai qe i shpallur i çmendur, një çmendurak i jashtëzakonshëm? Kështu gjithë kjo ceremoni nuk do të bëhej për ta shëruar viktimën për krimin, por për ta qetësuar vetveten, ata që do të ishin shikues të aktorëve të bërë gati për kryerjen e aktit. Kur Arkimendi me një siguri të plotë në gjyq tha: “Është edhe një e vërtetë tjetër, e cila nuk njihet me botën tonë”, tashmë vdekja i qe gatuar me zjarrin e ndezur. Me aktin e krimit ndaj Arkimenit e merrnin një dënim të përhershëm dhe edukues edhe të gjithë thyesit tjerë të kodeve, normave, modeleve, kufijve.
…
Ta thyesh një kod, një model apo një kufi edhe në më të voglën pikë, je i gjykuar në të gjitha variantet, sepse kështu vullnetarisht ke hyrë në rrethin e errët dhe të pashteg të mospajtimit dhe kështu edhe të gjykimit-turmë. E gjithë kjo histori është me plot shmangie. Arkimedi kishte të drejtë, ne sot të gjithë e dimë se Arkimedi kishte plotësisht të drejtë. Por, e drejta çfarë mund t’i vlejë atij? Nëse themi asgjë, mund të gabojmë, por edhe të mos gabojmë plotësisht. Çfarë bënte turma, kjo viktimë e përhershme reale? Çfarë bënte turma kur ndizej Xhordano Bruno apo Galile Galileu! Çfarë bënte turma metafizike brenda dhe jashtë gjyqit, salla dhe stadiume, kur shpallej dënimi me vdekje për Gjon Serreqin, Ajet Gërgurin, Marije Shllakun, Halim Spahinë.. Turma e zgjedhur e shkretë, e shndërruar në institucion patologjik (shoqëror) politik e propagandistik. Çfarë synonin të rinjtë entuziaste në salla dhe stadiume, kur thërrisnin: “Pushkatim, pushkatim!”. “Gjyqi i Popullit-Pushkatim!”. Ngroheshin ata në habinë metafizike ndaj autoritetit që përgatiste vrasjet e pameritueshme, gjithnjë në emër të popullit dhe gjithnjë në emër të një të ardhme më të mirë dhe më të lumtur. Propagandai kryente misionin e tij të prerjes së “damarëve të armiqve dhe të kundërrevolucionarëve”.
…
Kaherë ka ekzistuar njeriu robot. Kjo ishte edhe ajo turma. Shpikja e tij vonshme “teknologjike” është vetëm një riafirmim joshpirtëror i robotit të kahershëm njeri. Në gjithë jetën publike – politike atëherë perfeksionohej, edhe sot vazhdon, ciklusi robotik i hierarkisë. Ndërsa, ajo, turma! Segmentimi i atëhershëm brendasistemor, kamuflon përmasën e saj të plotë. Turma, frymë e pamend e kohës, kjo përmasë entuziaste, ndezjen e druve dhe trupin e vrarë njerëzor e përjeton si kriter të dëshmimit të të drejtës. Çfarë të keqe ka këtu në këtë të drejtë, politike a hyjnore, mund të arsyetohen ata që ishin dikur dhe këta që janë sot.
Ka të gjallë, të cilët të thonë shkurt e shqip: Çfarë të keqe ka këtu nëse është dashur ta shkatërroj armikun tim, qoftë ai edhe vëlla imi, por me bindje tjera politike? Çfarë rëndësie mund të ketë gjithë ajo skenë nëse sot historia atij i jep të drejtë kur në kohën e dënimit nuk i ka dhënë këtë të drejtë! Vërtetë, kjo për një të gabuar të pamençur, nuk ka ndonjë rëndësi. As që do të ketë fare rëndësi ndonjëherë edhe për gabuesit e sotshëm, të cilët arsyetojnë veprimet me modelin mereologjik të Aristotelit (pjesët nuk mund të ndahen të padënuara nga tërësia).
…
Shumë kohë më vonë, një filozof tjetër, nga një gjendje krejt tjetër, do të thotë diç të diskutueshme dhe polemizuese. Levi-Strosi (1962) mbrojti të drejtën e mitit përgjasues me “mendimin e egër (fisnor)”, kundrejt historisë së filozofisë si përgjasuese me “mendimin e urtër (qytetërues)”. Egërsia ka shumë mundësi ta mund mençurinë. Urtësia është e pafuqishme përpara egërsisë. Fatkeqësi është kur krimi e dikton përmbajtjen e paqes. Këto janë disa mësime të pandryshueshme që i bart në kurrizin e pjekur qytetari, edhe ky yni, madje edhe më i zakonshmi.
Mesazhi provokues është kudo. E thoshte në poezinë e tij edhe Prima Levia: /Kam ardhur nga botë e largët/ të të sjell lajmin e kobit/ fluturova kodra/ pa pushuar fluturova/ të gjej dritaren tënde/ të gjej veshin tënd/ të të sjell lajmin e kobshëm…/.
Ndërsa Peguey, kur është fjala për episodin botë, shkruan: është “një botë e cila jo veç tallet, por vetëm tallet, dhe tallet me të gjithë…”. Arkimendi atëherë patjetër është dashur të bërtas “Eureka” për botën që nuk ishte reale, por ende donte të ishte pjesë e paekzekutuar, sado që ishte bërë zyrtarisht pjesë e dënuar e saj.