Albspirit

Media/News/Publishing

Bernard Guetta: Shansi i Francës dhe i Macronit

Vetëm tre muaj më parë, kryeministrja polake fliste për “arrogancë dhe mungesë përvoje”, pasi Emmanuel Macron kishte deklaruar se Polonia nuk meriton të ketë liderë, që vënë në dyshim sundimin e ligjit, shtyjnë vendin e tyre “në skajet e historisë së tashme dhe të ardhme të Evropës”.

Në atë kohë ishte e arsyeshme për t’u shqetësuar në pritje të takimit të planifikuar të 23 nëntorit në Elysee, por në fakt Kryeministrja Beate Szydło doli e qeshur nga takimi, duke deklaruar se “nuk ka patur mosmarrëveshje të mëdha mes Francës dhe Polonisë”, dhe duke theksuar se është tërësisht e natyrshme që të “ekzistojnë disa divergjenca”.

Në çdo rast, nga kjo ngjarje dalin tre vlerësime. E para është se ekziston një metodë Macron, efektive si me Jean-Luc Mélenchon, ashtu edhe me nacionalistët polakë. Kjo metodë konsiston në deklarimin publikisht dhe në mënyrë të qartë, se cilat janë problemet, për të kaluar më pas, në një manovër ribashkimi bazuar në interesa të përbashkëta. Kjo është një metodë me sa duket e pagabueshme, sepse nuk lë vend për të pathëna, sepse rezervon gjithmonë surpriza të kënaqshme, dhe për shkak se ka gjithmonë interesa të përbashkëta që mund të bashkojnë.

Rikthim në shkëlqimin e dikurshëm

Mësimi i dytë që duhet nxjerrë nga takimi i 23 nëntorit është se vendet si Polonia dhe Hungaria kanë shumë për të humbur nëse dalin nga BE.

Nacionalistët e pozicionuar në të djathtën ekstreme, ata që qeverisin të dy vendet sulmojnë institucionet dhe kryeqytetet evropiane, por ekonomitë e tyre kanë shumë nevojë për fonde dhe për tregun e përbashkët, që të guxojnë të vënë vërtetë në provë durimin e liderëve të tyre.

Vlerësimi i tretë është se Franca gjendet sot në një situatë të cilën nuk epërjetonte prej viteve të shkëlqimit të saj. Sigurisht, ekonomia franceze nuk e ka kaluar atë gjermane, dhe Macron nuk ka hedhur bazat e një federalizimi të Lindjes së Mesme. Pavarësisht vullnetit të mirë të presidentit, nuk kemi mbërritur ende në këtë pikë.

Megjithatë, paparashikueshmëria e Donald Trump ka hequr mënjanë SHBA, ndërkohë që Brexit dobëson edhe më shumë ekonominë e Mbretërisë së Bashkuar (një nga tre fuqitë evropiane) dhe Gjermania kalon një krizë politike tipike si ato që zakonisht i kalojnë vendet e Mesdheut. Kështu që, mbetet Franca, ku presidenti po e shfrytëzon këtë moment popullariteti të madh, për t’u afirmuar në të gjithë frontet./Bota.al/

Please follow and like us: