Ilir Levonja: Një vit pa Fidel Kastron
Si është sot Kuba e Fidel Kastros dhe Kuba e kubanezëve me 20 dollarë rrogë në muaj? Mos e pyet…, copë-copë. Akoma një diktaturë. Por me parë se t’i thoni njerëzimit qe humbën liderin e revolucionit. Pohoni atë tjetrën, që sot një kubanez paguhet me 20 dollarë në muaj. Se Kuba është e mbytur nga skamja, mizerja. Jo varfëria, mizerja. I thoni se për pesëdhjetë vjet me radhë. Qe njeriu që i bënte karshillëk demogagjik progresit njerëzor. Duke mbajtur më këmbë një ekonomi garuzhdesh, tenxheresh presioni etj. Me fonde nga Bashkimi Sovjetik, duke përfituar nga lufta e ftohtë e blloqeve. Nga garat e armatimit. Dhe nga tështimat që revolucionari i hidhte syve Amerikës. I thoni se pasi ranë sovjetët, vendit i mungonin gjërat më minimale të jetësës, si sapuni i duarve. I thoni për mungesën e dritave me muaj të tërë. Lideri i revolucionit iu qep si rrodhe Kinës dhe Venezuelës. Sidomos kësaj të fundit. Pasi një tjetër sozi a dishepull i tij qeveriste atë vend me po të njëjtat metoda demagogjike. Dhe liderit të revolucionit i vinte mirë të merrte qyl karburante dhe sapun duarsh. Kështu Kuba e revolucionit nuk mundi asnjëherë, në qeverisjen e demagogut të revolucionit. Nga 1959-ta e këtej.Të ketë ekonominë e saj, progresin e saj, lirinë e saj. Edhe pse sot e kësaj dite u krenohet vendeve rrënoje te pushtetit absolut, me një mjeksi kolektive nga koha e sovjetëve. Po në fund të fundit këto vende janë Haiti, Republika Domenikane etj. Si gjithë kazermat e socializmit, vendi lëngon akoma në mbeturinat e teknologjisë amerikane nga koha e Batistës. Aq sa kushdo që viziton Kubën sot, i duket sikur ndodhet në Amerikën e viteve pesëdhjetë. Vetëm nga pamja e makinave amerikane te markave daxh dhe shevrolet. Pasi të tjerat janë rum e puro. Krenaria e fundme e kubanezëve të lodhur. Atëhere kur Kuba imitonte po Amerikën. Dhe lideri i revolucionit, nuk e la popullin ta ndiqte vendin fqinj. Por e shpuri në anën tjetër të paqësorit. Me idetë e lugës së floririt. Dhe për inat të Amerikës, zhvillimit, progresit. Apo lirive dhe të drejtave te njeriut. Për qejfin e liderit të revolucionit sot nje kubanez i stërlodhur paguhet me 20 dollarë në muaj. Kur 20 dollarë qytetari fqinj i merr në orë. Pra kjo ishte dhe eshte Kuba e këtij vasali. Nga Janari i 1959 e deri sot e kësaj dite plot 57 e vjet skamje, luftë klasash dhe pushtet familjar. Një marrëzi që një popull e vuan dyfish. Pasi do t’i duhen po aq. Ndofta edhe më tepër që ta çrrënjosi…, ta hedhi tutje mendësinë nga diktatura në demokraci. Një përpjekje mes intrigash, klanesh dhe etjes për të zhvatur.
Sot disa webe transemetojnë pamje nga Havana e një viti më parë. Funerali…Pamje me turma njerëzish që qajnë. Më kujtohet që edhe ne shqiptarët kur humbëm Enverin në prillin e 85-ës, u grricëm sysh. Karvane pritje për homazh. Një budallepsje kolektive. Kjo është më se normale. Pasi e kam thënë gjithmonë, diktaturat nuk mbahen më këmbë vetëm. Megjithatë është dhe një fakt i artë i pasqyrës. Aq sa ashtu si ne sot dhe kubanezëve do u vijnë zorrët tek fyti kur të shohin veten, pjesë e një gjëmë të pështirosur. Një marrëzie kolektive. Ndofta kjo do ndihmojë të ardhmen. Që sojit të diktatorëve iu shoftë boja një herë e përgjithmonë.