J. G. Hahn për historinë e dy dialekteve të shqipes dhe reagimet ndaj tij
Prof. Bahri Beci
J.G. Hahn më 1854 në librin e tij “Studime shqiptare” shkruante se “Populli shqiptar ndahet në dyfise kryesore, në toskë, që banojnë në Shqipninë e Jugut (me gjithë krahinën e Beratit) dhe nëgegë, që banojnë në Shqipninë e Mesme dhe të Veriut”.
“Kufinin e gjuhës në mes toskëve dhe të gegëve, shkruante ai, e formon Shkumbini ( …); në jug të këtij lumi sot nuk ka ma gegë, por në pjesën veriore të krahinës së Beratit flasin nji dialekt, i cili asht toskënisht, ndonëse ka shumë elementë nga gegnishtja. Gjithashtu elementë të gegnishtes gjejmë edhe në dialektin që flasin banorët e fushës së Vjosës së Sipërme përreth Përmetit”.
Sipas Hahn-it, Strabon-i shënonte se ky kufi i gjuhës asht shumë i vjetër “Koha e ndarjes së tyne bie të ketë qenë në kohët prehistorike”.
Pra, J. G. Hahn ndarjen e sotme dialektore në gegërishte dhe toskërishte e çonte në rrethanat e kohës antike.
Ai nuk e ka shtruar problemin e vendit të formimit të dy dialekteve të shqipes drejtpërsëdrejti. Po duke folur për origjinën e shqiptarëve shkruante se “duhet të pranojmë që shqiptarët e sotëm janë pasardhësit e banorëve të lashtë të vendit; që kanë qenë këtu para se me ardhë sllavët” ose “stërgjyshnit e shqiptarëve të sotëm, kanë banuar në ato vende që zotnojnë shqiptarët sot, qysh në kohën e romakëve dhe të grekëve (…)”.
Për pasojë J. G. Hahn-i edhe formimin e dy dialekteve të shqipes e vendoste në territoret e tyre të sotme.
Shkakun e krijimit të dy dialekteve të shqipes J. G. Hahn-i e gjente në praninë e ilirishtes dhe të epirotishtes, folësit e të cilave, sipas Hahn-it ishin farefis.
“Shkumbini i ndan edhe sot gegët prej toskëve, shkruante ai, si pat nda dikur ilirët prej epirotëve (…) të cilët ishin farefis shoq me shoq”.
“Po të ndjekim Rrugën Egnatia (që shkon buzë Shkumbinit), tue dalë prej rrethit të Epidamnit (Durrësit) dhe Apolonisë (Pojanit), në krahun e djathtë, do të kemi fiset epirote (…) deri ke gjiri i Ambrakisë, ndërsa në të majtë malësinë e Ilirisë (…).
“Për Strabon-in, vijonte Hahn-i, kjo rrugë (rruga “Egnatia”) nuk ishte vetëm nji kufi politik, por edhe nji kufi etnik që ndante në përgjithësi fiset ilire prej atyne epirote.
Reagimet lidhur me pikëpamjet e J. G. Hahn-it
Studiuesit pas Hahn-it, pa përjashtim, në pajtim me të, kanë pranuar që shqipja dialektore ndahet në dy krahina dialektore ose dialekte dhe si kufi ndarës të dy dialekteve të shqipes Shkumbinin.
Mospajtime ka pasur lidhur me të folmet poshtë Shkumbinit, të ashtuquajturat “të folme kalimtare”, po kjo problematikë del jashtë objektit të këtij punimi.
Studiuesit pas J. G. Hahn-it (kam parasysh këtu: G. Meyer-in, N. Jokl-in, C. Tagliavin-in, E. Çabejn, V. Polak-un, A. V. Desnickaja-n, J. Gjinarin) nuk e kanë pranuar pikëpamjen e tij për vjetërsinë e dy dialekteve të shqipes.
G.Meyer, lidhur me pikëpamjen e Hahn-it për vjetërsinë e dy dialekteve të shqipes, ka shkruar se « Në çdo rast ndryshimi i sotëm në mes të gegërishtes dhe toskërishtes, i cili në fund të fundit nuk është edhe aq i madh, mund ta ketë burimin nga një dallim i mëvonshëm. Studimi i shqipes së folur në Greqi më bën të ruaj këtë mendim si më të pranueshëm ». N.Jokli shtonte: « (…) nuk është e vështirë për vëzhguesin gjuhëtar të vërtetojë risinë relative të ndarjes dialektore të zënë në gojë më sipër ».
Edhe Tagliavin-i ka shkruar se ndryshimi ndërmjet toskërishtes dhe gegërishtes është relativisht i vonë.
E. Çabej më 1967 theksonte se “në kundërshtim me J. G. Hahn-in, i cili ndarjen e sotme dialektore në gegërisht e toskërisht e shpie në rrethanat e kohës antike (…), G. Meyer-i, duke pasur parasysh dhe shqipen që flitet në Greqi, me të drejtë anon ta çojë këtë dallim te një diferencim më i vonë. Kështu afërsisht dhe N. Jokli mendon se nuk është vështirë të vërtetohet risia relative e ndarjes dialektore. Edhe të tjerë dijetarë, si J. Rrota, G. Petrotta, C. Tagliavin-i, M. La Piana kanë mbrojtur pikëpamjen se dy dialektet kryesore kanë qenë më afër dhe se vetëm në këta shekujt e fundit u larguan nga njëri-tjetri.
V. Polak, duke ju referuar G. Meyer-it, N. Joklit e O. Myderrizit, pohonte se ndarja e shqipes në dy dialekte është e re (shek. XVI-XVII) dhe “nuk duhet t’i atribuohet ndarjes që bëhet në Ilirë dhe Epirotë, sikurse pohonte Hahn-i”.
Lidhur me vendin e formimit të dy dialekteve të shqipes studiuesit pas Hahn-it, kam parasysh këtu: G. Meyer-in, N. Jokl-in, C. Taliavin-in, E. Çabejn, V. Polak-un, A. V. Desnickaja-n (të cilët nuk e kanë pranuar vjetërsinë e formimit të dy dialekteve të shqipes), nuk e kanë shtruar për diskutim as problemin e vendit të formimit të dy dialekteve të shqipes. Për ata dialektet e shqipes janë formuar në territoret e tyre të sotme.
Lidhur me pikëpamjen e J. G. Hahn-it për shkaqet e formimit të dy dialekteve të shqipes Tagliavin-i ka shkruar se ndryshimi ndërmjet toskërishtes dhe gegërishtes nuk mund ta ketë burimin tek ndryshimi midis gjuhës së ilirëve dhe epirotëve siç besonte Hahn-i.
Edhe E. Çabej mendonte se “me të drejt është lënë mënjanë nga ana e gjuhësisë mendimi i J. G. Hahn-it, që ndarja e sotme më dysh, në gegërisht e toskërisht, e ka burimin te ilirët e epirotët e antikitetit”.
V. Polak, duke ju referuar G. Meyerit, N. Joklit e O. Myderrizit ka shkruar se “ndarja në dy dialekte e shqipes, nuk duhet t’i atribuohet ndarjes që bëhet në ilirë dhe epirotë, sikurse pohonte Hahn-i”.
Po kështu I. Ajeti, duke ju referuar N. Joklit, dhe në pajtim me E. Çabejn, e quante të drejtë që “mendimi i Hahnit lidhur me ndarjen më dysh, në gegërishte e toskërishte sipas ilirëve dhe epirotëve të lashtësisë u la mënjanë nga ana e gjuhësisë”.
J. Gjinari, lidhur me pikëpamjen e J. G. Hahn-it që e lidhte ndarjen e shqipes në gegërishte dhe toskërishte me ndarjen e territorit të ilirëve në Iliri dhe në Epir ka shkruar se “ i pari që është marrë me këtë çështje ka qenë J. G. Hani, i cili, duke u mbështetur vetëm në faktorë historikë, pa analizuar shkaqet e lindjes së njërit ose të tjetrit tipar dialektor, ka dhënë një mendim të përgjithshëm se ndarja e shqipes në dy dialekte e ka burimin tek ndarja e dikurshme e territorit të Shqipërisë në Iliri dhe në Epir”.
“Një shpjegim i këtillë do t’i binte ndesh faktit që Epiri, d.m.th. treva jugore e Ilirisë që arrinte në Veri deri tek bregu i majtë i Vjosës, përfshinte një territor tepër të ngushtë në krahasim me atë të toskërishtes së sotme (…)
Pikëpamja jonë për kohën e formimit të dy dialekteve të shqipes
Për kohën e formimit të dy dialekteve të shqipes ne më 1972, 1979, 1982, dhe 1986 kemi shkruar se tiparet e pranuara (…) prej nesh si veçori dalluese të dy dialekteve të shqipes janë të periudhës parasllave, gjë që do të thotë që edhe ndarja e shqipes në dy dialekte është e kësaj periudhe.
Për vendin e formimit dy dialekteve të shqipes kemi shkruar se “duke pasur parasysh njërin nga ligjet më të rëndësishëm të gjeografisë gjuhësore sipas të cilit « afria kronologjike pasqyrohet me anë të afrisë gjeografike », mund të pohohet që tiparet dalluese të dy dialekteve të shqipes, të cilat përkojnë edhe kronologjikisht edhe gjeografikisht duhet edhe të jenë përhapur pak a shumë në të njëjtën kohë.
Duke u nisur nga rrethanat historike të vendit tonë mendojmë se këto tipare (të përftuara para shek. IX) nuk mund të fitonin shtrirjen që kanë sot (deri në afërsi të Shkumbinit) as në periudhën e mbretërive bullgare e serbe (shek. IX-XII) as në periudhën e formimit të shtetit të Arbërit (shek. XII-XIII), po as edhe në shekujt e mëvonshëm, në kushtet e sistemit feudal ushtarak turk, kur dihet që gjatë këtyre shekujve nuk ka pasur një ndarje politike, kulturore e administrative të qëndrueshme që të favorizonte shtrirjen e këtyre tipareve deri në afërsi të Shkumbinit. Shtrirja e tyre në kufijtë e sotëm duhet të jetë më e vjetër dhe duhet të lidhet me kushtet politike, ekonomike dhe kulturore të vendit tonë para pushtimit sllav, pra në Mesjetën e hershme (shek. VI-VIII) ose në antikitetin e vonë (IV-VI), gjithsesi para shek. IX.
Lidhur me shkaqet e formimit të dy dialekteve të shqipes më 1982 dhe 1986, ndër të tjera, kemi shkruar se “Zona ku shfaqen dukuritë dialektore të shqipes historikisht ka qenë e banuar nga fise epirote, etnikisht të një trungu me ilirët.
Strabon-i e bën fare të qartë që “kufiri etnik ndërmjet epirotëve (etnikisht të një trungu me ilirët) dhe ilirëve kalonte përgjatë rrugës Egnatia që do të thotë përgjatë luginës së Shkumbinit, që përbën edhe kufirin ndërmjet dy dialekteve të shqipes, kurse gjiri i Ambrakisë shënon kufirin jugor të tyre”.
Në vijim kemi shtuar se zhvillimet fonetike të emrave të vendeve të dëshmuara në këto territore nga koha antike ose Mesjeta e hershme si : Aulona > Vlona / Vlora, Tamarus > Tomor, Aoos > Vjosë, Arachthos > Artë, Germinium > Dhërmi, Xiµaipa > Himarë, Thyamis > Çam etj. dëshmojnë se këto emra kanë qenë pandërprerje në gojën e shqiptarëve dhe se vetëm gjuha shqipe ka mundur t’u japë trajtën që kanë sot”.
Sh. Demiraj për kohën e formimit të dy dialekteve të shqipes
Me vështrimin e historisë së strukturës dialektore të shqipes, në fakt të disa dukurive dialektore të shqipes, Sh. Demiraj është marrë më 1988 në librin e tij « Gjuha shqipe dhe historia e saj », po pa na thënë në mënyrë eksplicite se cila ishte, sipas tij, vjetërsia, vendi dhe shkaqet e formimit të dy dialekteve të shqipes.
Përkundrazi më 1999 ai ka pranuar në mënyrë eksplicite si kohë të formimit të dy dialekteve të shqipes periudhën pasromake dhe parasllave.
Lidhur me vendin e formimit të dy dialekteve të shqipes, po aty ka shkruar: “Këto dy dialekte të gjuhës shqipe me veçoritë përkatëse nuk mund të jenë zhvilluar veçse në trevat, ku vazhdojnë të fliten. Përndryshe, do të duhej të supozonim që folësit e dialektit verior dhe ata të dialektit jugor janë vendosur në trevat e tyre të sotme duke u shpërngulur në një kohë të caktuar nga treva të tjera, të ndryshme nga ato të sotmet, por një supozim është i pambështetur si gjuhësisht dhehistorikisht”.
“Duke u mbështetur në vjetërsinë mjaft të madhe të ndarjes dialektore të shqipes dhe duke pasur parasysh se viset ku është zhvilluar dialekti jugor i shqipes përkojnë në një pjesë të madhe me ato që në lashtësi bënin pjesë ne trevën e të ashtuquajturit Epir”, ka shkruar Sh. Demiraj më 1999 “mund pohohet se banorët e lashtë të asaj treve, në pjesën më te madhe, kanë folur një gjuhë, e cila nëpërmjet evolucionit të saj të shkallëshkallshëm ka dhënë variantin jugor të shqipes së sotme”.
Pra, më 1999 po edhe më 2015, Sh. Demiraj ka pranuar:
- që dy dialektet e shqipes janë formuar në periudhën pasromake dhe parasllave në territoret e tyre të sotme.
- që shkaku i krijimit të dy dialekteve të shqipes është prania e ilirishtes dhe e epirotishtes.
- që në të ashtuquajturin Epir gjuha amtare gjatë shekujve nuk ka qenë e ndryshme nga ajo e stërgjyshërve të arbëreshëve a shqiptarëve në përgjithësi.