Llogaritari çalaman, Kryeprokurori dhe vdekja e klasës politike
Shpëtim Nazarko
Furtuna e ngritur në “çështjen Tahiri”, historia për gjetjen e Kryeprokurorit të ri, sekuestrimi i “Santa Quaranta” dhe “vogëlsira të tjera” kanë zënë prej ditësh pothuajse të gjitha faqet e shtypit të shkruar.
Vështruar si fenomen, këto lloj skenash për lexuesit, apo brezin e vjetër të Shqipërisë, janë të njohura. Herë pas here, i gjendur në vështirësi, sistemi i Hoxhës gjente armikun e radhës për të shmangur vëmendjen e popullit nga varfëria dhe hallet e përditshme dhe për të forcuar edhe një herë pushtetin e atij që quhej i pari i vendit.
Duket se edhe kjo klasë politike e improvizuar në shumicën e kohës, po dhe shumicë e ardhur nga ish-sistemi i vjetër, nuk gjen dot mënyra të tjera për të mbijetuar. Pikërisht kjo arsye e bën shumicën skeptike dhe ndonjëherë tallëse me situatën e krijuar.
Kur filloi me trumbetë të madhe çështja Tahiri, e shumë menduan se me të do të mbarohej punë shpejt, m’u kujtua një shembull që i atribuohej një kryekomunari këtej rrotull Tiranës. E kam rishkruar edhe një herë këtë histori, që duket se endet në pragun e legjendës. Për të shpëtuar nga burgu, në këmbim të arrestimit të tij dhe një të afërmi, me të cilin kishin kryer bashkë zullumet, ai afroi “haraçin” për të shpëtuar… Por kësaj radhe ishte e pamundur dhe mospranimi u shoqërua nga një frazë legjendare, e cila, edhe nëse nuk është e vërtetë i shkon hata situatës së sotme.
Zotëri, ti na duhesh për BE-në dhe i afërmi yt për Amerikën. Kështu që nuk mund t’i shpëtosh fatit tënd të keq, sado para të hedhësh.
Në rrëmujën e ngritur me ngut për çështjen Tahiri, duket, pra, sikur ai do të duhej të luante rolin e kryekomunarit të mësipërm. Nëse varianti shkonte mirë, pra ai arrestohej apo shkonte menjëherë në burg, atëherë, në sulm e sipër, opozita do të merrte iniciativën edhe për çështjen e Kryeprokurorit, etj., etj.
Po a jemi në një situatë të ngjashme?
Mundet të themi dhe kështu, por ka disa faktorë që tregojnë se ai që quhet Vetting nuk është fare çështje personash të klasit të dytë, apo të parë. Është një çështje që, për mendimin tim, ka për të shkulur nga rrënjët një klasë të tërë politike. Për kohë të tëra në Evropë punon staf i specializuar nën komandën e Pribes, një funksionar gjakftohtë, që, veç të tjerash, njihet edhe për saktësinë gjermanike. Me të njëjtin precizion, por me specifika më të rrepta dhe të drejtpërdrejta, referuar traditës, duket se edhe amerikanët po bëjnë të njëjtën gjë në krahun e tyre.
Pra, a mund të jetë ky operacion me sukses të pjesshëm dhe shoqëria do të duhet të kënaqet ashtu si në kohën e Hoxhës me disa funksionarë që do t’i drejtohen burgut dhe pastaj loja do të rifillojë nga e para?
Në gjykimin klasik, që respekton plakun Balzak, mund të jetë edhe kështu. Në vendet me qeverisje të dobët, -thekson ai,- gati dyqind vjet më parë- ligji dhe zakoni përthyhen nga qendra në provincë, duke e dobësuar aq shumë fuqinë e tij, sa ndonjëherë përmbajtja e tij kthehet në të kundërtën e qëllimit fillestar. Balzaku thotë më tej, që në këto raste në provincë shpëton, ose me ndonjë krushqi të mirë me më të fuqishmit e zonës, ose nëpërmjet dhuratave të mëdha që dërgohen në kryeqytet, pra te vetë ata që përbëjnë qeverinë qendrore.
Po ngjarjet kësaj radhe janë të ndryshme. Evropianët dhe amerikanët e kanë ngritur ndryshe stekën dhe thelbi nuk drejtohet drejt ndëshkimeve të karakterit thjesht individual, siç mendon një pjesë e madhe e opozitës, por edhe individë të pozitës. Ka një arsye të shëndoshë. E ngërthyer në marrëdhënie të shumta me BE-në dhe NATO-n, Shqipëria është pjesë e një vendi më të madh sesa duket në hartën e saj. Janë pikërisht këto marrëdhënie, që nuk të lejojnë të mendosh si zakonisht.
Pozicioni gjeografik i Shqipërisë, kalimi në rrugët, doganat apo marrëdhëniet në fushën e bujqësisë, pra të ushqimit të përbashkët, imponojnë Evropën në një tjetër qasje të tipit radikal dhe gjithëpërfshirës. Brenda kësaj qasjeje, duhet parë edhe sjellja e shumë prej ambasadorëve, të cilët shpesh kritikohen me të padrejtë nga shtypi. E thënë thjesht, bazuar edhe te historia e vjetër e sistemit të Hoxhës. Nuk është detyrimi prej tij futja në një kooperativë, ku sjelljet janë të detyruara, por është kërkesa apo dëshira jonë për të hyrë aty. Dhe hyrja është e shoqëruar me kushte që duket nuk i korrespondojnë gjëkundi kësaj klase politike, që është mësuar të rrojë ndryshe dhe t’i japë llogari vetëm vetes së saj.
Nisur nga këndvështrimi i mësipërm, duket thjesht që klasa politike nuk mund të shpëtojë duke ngritur flamurin e çështjes Tahiri apo Kryeprokurorit të ri, i cili, dhe sipas dispozitave të reja, nuk do ketë më fuqinë e dikurshme.
Po a do të ketë vështirësi ky operacion i stërmadh evropiano-amerikan?
Mjafton të shikoje procesin e sekuestros së Santa Quaranta-s, për të kuptuar se çështja është më e thjeshtë sesa duket në pamjen e parë. Ashtu si ky hotel i stërmadh, në zemrën e një qyteti të vogël, “llogaritari çalaman” (kështu kam qejf t’ia vë kurdoherë emrin) e ka shumë të lehtë procesin e kontrollit të pasurisë së gjithë klasës politike, majtas e djathtas.
Edhe sikur ajo të gjente mjete të pafundme justifikuese, do të mjaftonte kontrolli i pagesës së taksave ndaj shtetit për të mos justifikuar dot pasurinë e madhe që shndrrin në fshatin e stërvarfër, e të stërmadh, që e quajmë Shqipëri.
Në thelb apo për thjeshtësi është një proces i ngjashëm me atë të Al Kapones, që e zunë mat vetëm për shpenzimet personale të pajustifikuara apo “pirje kafeje”. Ka një ironi në këtë frazë, që cilëson “gjyqin për kafetë” me ish-byroistët e dikurshëm.
Procesi mund të quhet historik në një drejtim tjetër. Klasa politike e improvizuar këto njëzet e pesë vjet pas rrëzimit të komunizmit, gradualisht shkoi në idenë se ky i fundit nuk mund të rikthehej dot kurrë, të paktën në formën e tij klasike, që presupozon “sekuestron e pasurisë” dhe pastaj dënimin fatal.
A ka cinizëm në radhët që po shkruaj?
Në pikëpamje historike, shumica e personazheve tona politike i ngjan atyre që përshkruajnë mjeshtrat e mëdhenj të satirës ruse, nisur nga Gogoli, Shcedrini apo Çehovi. Ata u kalbën gradualisht nën peshën e dhjamit të pasurisë dhe të paditurisë së tyre. Kaq do të mjaftonte të mos na vinte keq për fatin e tyre personal dhe t’i linim në udhën që e zgjodhën dhe e ndoqën me babëzinë e njohur gjithë këto vite.
Për mua, klasa politike ka vdekur dhe dënimi i saj është i sigurt. Por ajo që duhet të llogarisim, duke u pikëlluar në fatin tonë, është dëmi i shkaktuar. Dhe ky dëm nuk është ai që lidhet me pasurinë që krijuan ata këto vite. Dëmi lidhet me atë që lanë pas.
Sa miliarda duhen për të rikonstruktuar Shqipërinë e re?
Një sy i hedhur nga avioni të jep të kuptosh se shumica e shtëpive të ndërtuara në fshat e qytet, ku mund e si mund, duhet të ribëhen nga e para. Duhen 250 shtëpi,- thoshte Frashërlliu i madh,-për të bërë një fshat. Ndryshe nuk duhet bërë kurrë, se nuk dalin kostot…
Sa tuba uji, elektriku, rrugë nga e para duhen bërë? Si do t’i bëhet fati atyre mijëra pikave të karburantit, kafeneve, agjencive turistike e bizneseve pafund, që harxhuan milionat apo miliardat, që në shumicën e rasteve u krijuan me mund, djersë dhe sakrificë nga rrugëtimi i shqiptarëve në gjithë anët e botës.
Ky është problem real dhe aspak qarja e një klase politike, që e ka zgjedhur me kohë fatin e saj dhe që përpara se të bjerë nën presën e “llogaritarit çalaman” duket e vdekur dhe e pakallur?
A ka ende Shqipëria fuqinë të ringrihet për të vënë në rregull një vend që duket se ka vdekur bashkë me klasën e saj politike?
A mjaftojnë shembujt e shkëlqyer individualë, që pavarësisht çfarë ndodh në vendin e tyre të bekuar, vazhdojnë me mund e përpjekje titanike të arsimojnë fëmijët e tyre dhe të ndërtojnë diçka të vogël e të ndershme, që i ushqen e i bën të shkojnë përpara?
Ky është problem real i Shqipërisë dhe jo klasa e vdekur politike, që dhe nëse do të shpëtojë pjesërisht nga Vetting-u, ka vdekur më parë se ai të veprojë mbi të. E kjo thjesht edhe për shkak të babëzisë dhe paditurisë së saj…/konica.al/