Albspirit

Media/News/Publishing

Nuk është halli i dhjetorit, është çështja e 2018

Alfred Peza

Ka një përpjekje aq të madhe për tu dukur si një matje forcash mes palëve politike kjo zhurmë e javëve të fundit të 2017, sa të krijohet ideja se me kalimin e festave të nëntorit, do të kemi edhe “luftën finale” mes tyre. Por asgjë nuk do të ndodhë as në dhjetor. Siç nuk ka ndodhur as në nëntor, e as në muajt dhe vitet e kaluara. Nuk do të ndodhë asgjë nga ato që shqiptarët kanë pritur të ndodhin me “peshqit e mëdhenj”, “me kapot e mëdhenj”, “me shefat e mëdhenj”, “me liderët e mëdhenj”, “me bosat e mëdhenj”, e as “me çunat me norma”.

Ka një shpjegim fare të thjeshtë për të gjithën këtë, edhe nëse nuk ke pikën e informacionit, por ke koshiencën e duhur dhe minimumin e domosdoshëm të kujtesës, për të kuptuar se ç’farë ka ndodhur deri më sot. Të gjitha mjaftojnë për tu sqaruar të paktën me veten, se ato që nuk kanë ndodhur në 27 vjet, nuk mund të ndodhin dot edhe nëse janë të gjithë vullnetet e njerëzve të kësaj toke dhe Zotave vetë, në 27 ditët e ardhëshme. Pa lënë mënjanë këtu faktin, se sistemi ynë i drejtësisë në tërësinë e vet, nuk e mundëson ende as në burime njerëzore, as në infrastrukturore, e as në kapacitete të tjera, mundësinë e një mrekullie të tillë.

Sigurisht që në këtë mori përplasjesh mes mazhorancës dhe opozitës, mes institucioneve kushtetuese brenda njërës apo të trija pushteteve sëbashku, mund të ketë edhe “viktima”, edhe “fajtorë”, edhe “emra”, edhe “të akuzuar”, edhe “engjëj apo djaj” e të kryqëzuar me apo pa të drejtë, në funksion të ushqimit dhe mbajtjes ndezur dhe në këmbë, të makinën së kohës. E sigurtë është që përmbysja e madhe, që do të na bëjë të gjithëve të besojmë se më në fund, edhe në Shqipëri kultura e pandëshkueshmërisë mori fund, nuk ka për të ndodhur dhe nuk ka për të patur.

Përveç shumë e shumë arësyeve të tjera, kjo edhe për shkak se vettingu do kohë të japi efektet e veta, implementimi i reformës në drejtësi do gjithashtu kohën e vet dhe ngritja e institucioneve të reja të drejtësisë krahas atyre që do reformohen, do gjithashtu momentin e vet inercial për tu vënë në lëvizje.

Ndaj, të gjitha shpresat mbeten për vitin 2018. Janë shpresa ndryshe. Janë shpresa jo politike. Janë shpresa jo vullnetesh thjeshtë dhe vetëm shqiptare. Janë shpresa europiane. Janë shpresa integruese. Janë shpresa ndërkombëtare. Janë shpresat e ëndrrës së 27 viteve më parë, “për tu bërë edhe Shqipëria, si gjithë Europa”.

Shqipëria vitin e ardhshëm ka shanse të mira për hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE. E tha pak ditë më parë Komisioneri Hahn, e tha sot edhe eurodeputeti, i njohur edhe si raportuesi në hije i Shqipërisë, Eduard Kukan. Në muaj shkurt të 2018, Komisioni Europian do të bëjë publike strategjinë e re të zgjerimit të Bashkimit Europian, pas Berxit-it dhe në kushtet e reja gjeapolitike që po kalon edhe kontinenti. Dy muaj më pas, në prill, do të publikohet progres raporti edhe për Shqipërinë. Pritet të ketë ndërkohë një datë anëtarësimi të Shqipërisë në BE, gjë që siç tha edhe Kukan, deri para pak vitesh, ishte krejt e paimagjinueshme për këdo.

Flitet për anëtarësimin në BE të Shqipërisë dhe vendeve të tjera të rajonit tonë, pas vetëm 7 vitesh, pra në vitin 2025. Nëse kjo mrekulli do të duam që të ndodhë, negociatat e anëtarësimit duhet të përfundojnë brenda 5 viteve të ardhshme, pra brenda vitit 2023. Sepse procesi I ratifikimit me 27 vendet anëtare të BE, kërkon plot dy vite kohë. E kjo axhendë nuk do të jetë më vetëm në dorë të shqiptarëve, vetëm në dorë të klasës sonë politike, vetëm në dorë të mazhorancës sonë, apo opozitës sonë, por do të jetë në dorë para së gjithash të Brukselit dhe aleatëve tanë stretegjikë euro-atlantikë.

Kaq mjafton për të kuptuar se përse po nxitojnë që ti mbarojnë brenda këtij viti të gjitha ç’farë kanë ende në dorë që të bëjnë: zhurmën, lojërat, cic-micet, skenaret, skemat, prapaskenat, kërcënimet, shantazhet, presionet dhe gjithçka tjetër e mbetur dhe e trashëguar nga pjesa neotomane e të kaluarës sonë. Eshtë shfaqja e fundit, e madhe, e shëmtuar “alla turka”. Kanë nostalgji dhe nuk dinë të bëjnë gjë tjetër, ndaj po e zbrazin njëherë e mirë, të gjithë repertorin e vjetër.

Në 2018, shumëkujt do i duhet që të dali nga skena, siç ndodh gjithmonë kur ka ndryshime kaq të thella epokale e cilësisht ndryshe në historinë e një vendi. Atyre që do ia hedhin e do nxitojnë që të përshtaten, do u duhet që të veshin kostumet e reja alla frënga, e të fillojnë të sillen në mënyrë oksidentale. Ashtu siç e do momenti, siç e do vendi. Të sigurtë janë gjithashtu që tani se pas kësaj, do u bëjnë atyre, atë që ata janë duke ua bërë tani shqiptarëve. Sepse edhe europianët tani e kanë mësuar, se si i do mushka drutë.

Please follow and like us: